Ferat Shala

Ferat Shala: Shkelja e radhës nga Qeveria e Kosovës!

Sot, bordi i përkohshëm mbikëqyrës i Trepça sh.a, i emëruar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, paska shkarkuar krye shefin ekzekutiv të ndërmarrjes Trepça. Pa dashur të bëjë komente mbi punën dhe performancën  e drejtorit menaxhues që është shkarkuar, dua të them se ky vendim është tërësisht joligjor dhe arbitrar. Është joligjor dhe arbitrar për shkak se, bordi i përkohshëm mbikëqyrës i Trepçës i emëruar më datë 06.03.2020, ka vetëm 4 anëtarë, ndërsa sipas Ligjit për Trepçën dhe statutit të saj, bordi duhet t’i ketë 9 anëtarë. Sipas nenit 20 të statutit të Trepçës, “Mbledhjet e bordit mbikëqyrës kanë validitet nëse prezantojnë shumica e bordit…”. Andaj, për të pasur kuorum nevojiten minimum 5 anëtarë, që në këtë rast nuk kanë qenë.

Nuk më befason aspak urdhri që i ka dhënë qeveria bordit të përkohshëm mbikëqyrës të Trepçës, për të shkarkuar kryeshefin ekzekutiv, por më befason më shumë fakti se si këta anëtar të bordit, të cilët i njoh personalisht dhe kam konsiderat për ta, kanë rënë nën ndikimin e këtij presioni të paligjshëm të qeverisë. Jam i bindur se katër anëtarët e bordit të përkohshëm mbikëqyrës të Trepçës janë të vetëdijshëm që vendimi që kanë marrë sot, por edhe vendimet tjerat të tyre janë të paligjshme.

Kjo formë e veprimit dëmton rënd ndërmarrjen Trepça dhe zhvillimin e saj të mëtutjeshëm. Qeveria do të duhej të hartonte plane dhe strategji konkrete për të zhvilluar këtë ndërmarrje dhe jo të bëjë veprime të paligjshme në këtë kohë krize.

Që nga dita e parë, puna e kësaj qeverie është karakterizuar me veprime, emërime dhe shkarkime të paligjshme dhe jokushtetuese. Në vend se të merremi me rezultatet e luftës tonë kundër pandemisë COVID19, duhet të merremi me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendimeve të qeverisë.

Kjo qeveri nuk njeh asnjë normë kushtetuese, ligjore dhe demokratike. Ajo njeh vetëm arbitraritetin dhe propagandën, si forma veprimi. Të parën e përdor si mjet për të uzurpuar dhe kapur pushtetin, të dytën, ndërkaq, si mjet për të mbajtur atë dhe për të provuar të ju shpërlaj trurin njerëzve.

Prishtinë, 15.04.2020.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …