Shoqata “Familja dhe Shpresa” edhe një herë më shumë ka kërkuar sot nga kreu i shtetit të Kosovës Hashim Thaçi dhe nga krerët e krejt partive politike të vendit që të plotësojnë ligjin për gjykatën speciale në Hagë në mënyrë që të obligojnë në mënyrë ligjore krye-prokurorin Smith për të ngritur aktpadi ndaj vrasësve të shumtë serbë për krimet e luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Kur drejtësia ndërkombëtare në rastin konkret, heshtë dhe dështon, jeni krejt ju dhe pikërisht parlamenti i Kosovës ata të cilët mund ta bëni dhe duhet që ta bëni punën tuaj e të përmirësoni gabimin e rëndë e të turpshëm të gushtit 2015 dhe ta plotësoni ligjin në fjalë për të dërguar para drejtësisë kriminelët e Serbisë,” shkruan në një letër publike kryetarja e shoqatës Zana Bytyqi dërguar sot Thaçit the krerëve të partive politike: VV (Albin Kurti); LDK (Isa Mustafa); AAK (Ramush Haradinaj); NISMA (Fatmir Limaj); AKR (Behxhet Pacolli).
Bytyqi-Geci përsëri ka kërkuar nga Thaçi që të përdorë të drejtën e tij kushtetuese për iniciuar në parlamentin vendor plotësimin e ligjit, i cili në formën e tij të miratuar në gusht të vitit 2015 i ka amnistuar ekzekutuesit dhe përgjegjësit serbë të krimeve të luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Letra publike e kryetares së OJQ “Familja dhe Shpresa” ndërlidhet me ankesat e Thaçit i cili të mërkurën tha se drejtësia ndërkombëtare po heshtë ndaj krimeve serbe, ndërkohë që Thaçi dhe krerët e partive politike shqiptare duhet që ta shfrytëzojnë mundësinë për të vepruar konkretisht që duke e plotësuar ligjin në fjalë ta obligojnë Jack Smithin që ai të ngre padi ndaj kriminelëve serbë të mbrojtur nga Vuçiçi për krejt krimet e luftës ndaj shqiptarëve të vendit tonë.