Në fillim të qershorit, sipas konsultimeve të shokëve kontributi i tij (Behajdin Allaqit) ishte i nevojshëm në vijat e frontit dhe për këtë gjë ai shkon për t’u takuar me shokët. Më 11 qershor 1998, nga Shtabi i Drenocit, Behajdin Allaqi niset me disa përfaqësues të SHP të UÇK-së (me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin – sh.b) për në selinë e SHP në Drenicë. Dhe, nga data 11 qershor 1998, familjes Allaqi dhe shokëve të Behajdinit do t´i mungojë jo vetëm informacioni por edhe vendi i rënies së tij, do t’i mungojë jo vetëm vendi i rënies por edhe varri i tij dhe në fund do t´i mungojë edhe dëshmori. Prej asaj ditë (11 qershor) nuk dihet mirëfilli se a ka arritur Behajdini në SHP të UÇK-së, apo gjatë rrugës është përleshur me forcat pushtuese serbe!
Behajdin Allaqi (7 prill 1963 – ?. ?. 1998)
Behajdin Myrteza Allaqi u lind më 7 prill 1963 në Prizren. Rrjedh prej një familje me tradita kombëtare, e cila vazhdimisht ishte në sy të regjimeve pushtuese serbe. Në të tilla rrethana dhe frymë atdhetare u rrit edhe Behajdini. Shkollën fillore dhe atë të mesme (gjimnazin e përgjithshëm) i kreu në Prizren. Aktiviteti i tij patriotik zë fill qysh në bankat e shkollës së mesme, me pjesëmarrjen aktive në demonstratat gjithë popullore të pranverës së vitit 1981. Gjatë verës së vitit 1981, Behajdini me shokët e tij organizon aksione për shkrimin e parullave “Kosova Republikë”…, si në qytet ashtu edhe në disa fshatra të rrethit të Prizrenit. Në këto zhvillime aktiviteti i tij bie në sy të sahanlëpirësve të regjimit serb, dhe si pasojë disa herë merret në bisedë informative në zyrat e UDB-së, mirëpo në mungesë të fakteve do t´i shpëtoj burgosjes. Përkundër këtyre përjetimeve të hidhura, Behajdini nuk do ta ndalë dot për asnjë moment aktivitetin e tij kombëtar.
Behajdin Allaqi, në shtator të vitit 1981, pasi regjistrohet në Fakultetin Filozofik – Dega Filozofi, detyrohet të shkojë në shërbim ushtarak, në Zemun – Beograd. Gjatë shërbimit ushtarak, Behajdini ishte vënë në shënjestër të oficerëve të shërbimit sekret të ushtrisë jugosllave, dhe duke qenë nën masa të rrepta vëzhgimi e izolimi, atij do t´i pamundësohet kryerja e aktiviteteve të lira dhe kontaktet me ushtarët tjerë shqiptar.
Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, Behajdini i vazhdon studimet në vitin akademik 1982/83, dhe në tetor të vitit 1986, i përfundon ato më sukses të lakmueshëm. Gjatë kohës së studimeve, Behajdini, krahas punës shkencore nuk do të ndalet së vepruari për çështje kombëtare. Asokohe ai bie në lidhje me anëtarë të lëvizjes ilegale që vepronin në Prishtinë dhe mëpastaj do të vë kontakte edhe me anëtarë të organizatës që vepronin në Zvicër, veçanërisht me Fazli Veliun, ish-udhëheqësin e degës së LPRK-së që vepronte në perëndim.
Pasi i përfundoj studimet, (në vitin 1986), Behajdini u punësua në gjimnazin e Prizrenit, si profesor i lëndëve sociologjike. Në këtë qendër arsimore Behajdini do të punojë së bashku me Prof.Xhemajli Berishën dhe kjo lidhje do të forcohet në drejtim të shtrirjes së aktivitetit në radhët e veprimtarëve në Prizren dhe rrethinë. Në këtë periudhë Behajdini me shokët e tij, do të përpiqen që të jenë tashmë pjesë e organizuar brenda strukturave të organizatës LPRK.
Falë përkushtimit të tij të madh për çështjen kombëtare dhe besimit që krijojë në shumë rrethe të organizuara mirë në ilegalitet, arriti të zgjoi interesim të veçantë tek strukturat më të larta të LPRK-së. Në fillim të vitit 1988, ëndrra e Behajdinit me shokë, për tu kyqur në radhët e LPRK-së, u bë realitet. Pikërisht në kohën kur LPRK-ja do ta rrisë dukshëm aktivitetin saj, nëpërmes veprimtarëve të Lëvizjes nga Rrethi i Rahovecit, gjegjësisht përmes veprimtarit Ramush Krasniqi nga Brestoci (shokë i ngusht i Fadil Vatës), Behajdinit do t´i jepet rasti të provohet për detyra të mëdha në kuadër të LPRK-së.
Behajdini, në takimin që pati me krerët e Lëvizjes, të prirë nga Fadil Vata, do të dëshmojë cilësi të një luftëtari të paepur, aftësi e njohuri të gjera politike e organizative, shkathtësi e guxim të madh për të vepruar, në çfarë do kohe e rrethane. Ai, kyçjen në LPRK e konsideron si një mision të shejtë.
Kështu, në Konferencën e parë që mbajti LPRK-ja, në Divjak të Berishës, ku merrnin pjesë përfaqësuesit kryesor të organizatës, siç ishin Afrim Zhitia, Fadil Vata, Bardhyl Mahmuti, Binak Berisha, nga diaspora: Ali Ahmeti, Hajdin Abazi etj., përveç tjerash do të vendoset që Behajdin Allaqi, si përfaqësues i Këshillit të Rrehtit të LPRK-së në Prizren, të kooptohet në Komitetin Drejtues të saj. Në mbledhjen e parë të radhës, (pas konferencës së parë), Behajdini ngarkohet me detyrën e Sekretarit Politik të LPRK-së. Ardhja e Behajdinit në udhëqjen më të lartë të LPRK-së padyshim do të gëzonte të gjithë, por gëzimi më i madh do të reflektohet te Fadil Vata, i cili në një bisedë me Ramush Krasniqin, do të theksoj, me entuziazëm, se “Tani LPRK-ja është bërë me kokë”.
Pas vrasjes së Afrim Zhitisë dhe largimit të detyrueshëm të Fadil Vatës nga Kosova për në Zvicër për shkak të keqësimit të gjendjes shëndetësore, gjatë viteve 1988-90 Behajdini do të bartë barrën kryesore të punëve organizative në Komitetin Drejtues. Nga këto goditje të marra, për shkaqe sigurie, me qëllim të ruajtjes se radhëve të organizuara të LPRK-së, Behajdini zhvendoset në Prizren ku me ndihmën e bashkëveprimtarëve gjithandej nëpër Kosovë, të familjes së ngusht dhe të gjerë (dajës Isuf me djemë, nipave në Krushe të Madhe …), do të arrijë të mbajë kontinuitetin e veprimit aktiv të LPRK-së në tërë Kosovën.
Detyra e Sekretarit Politik për Behajdinin, do jetë një rast i mirë për materializimin e njohurive të tija politike e organizative, dhe këto cilësi i dëshmojë gjatë punës në përgatitjen e shumë takimeve e mbledhjeve konsultative të niveleve të ndryshme. Kontributi i tij do të ndihet kudo e sidomos në nxjerrjen e vendimeve të rëndësishme në të gjitha forumet e Lëvizjes. Në arkivat e LPK-së ruhen shumë shkrime si: Pamflete, komunikata, proklamata dhe projektprograme, të lëshuara në periudhën prej vitit 1988, ’89 dhe në vitet ’90-ta, në formulimin e të cilave roli i tij ka qenë shumë i madh. Mbi të gjitha, Behajdini me përkushtim ka punuar në përsosjen e Programit dhe Statutit të LPRK-së në frymën e rrethanave të kohës.
Programi i LPK-së
Puna e Behajdinit është sprovuar edhe në prëgatitjen dhe organizimin e takimeve me rëndësi të veçantë për LPRK-në, siç ishin takimet dhe mbledhjet parapërgatitore, e në veçanti Konferenca e dytë e Lëvizjes, mbajtur në Prapashticë në rrethinë të Prishtinës, pastaj Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e LPRK-së që mbahet në tetor 1991 në Ujëmir të Klinës dhe takimi konsultativ që mbahet në Prill 1993, në Kollare të Kërçovës, ku u përgatitën materialet për Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të LPRK-së që do të mbahet nga 28-29 korrik 1993 (më 26 -27 korrik 1993 – sh.b) në Kodër të Trimave në Prishtinë.
Behajdini në mbledhjen e Ujëmirit, që përfaqësonte rrethin e Prizrenit, kërkojë që platformën dhe strategjinë e luftës politike të kësaj organizate ta zëvendësojë organizimi i armatosur, përkatësisht të përgatitet masa për një luftë të armatosur, që e pret Kosovën. Në këtë takim pos Behajdinit kanë marrë pjesë: Ahmet Haxhia, Ramadan Avdiu, Xhavit Haziri, Ilaz Kadolli, Azem Syla etj. Ndërkaq në prill të vitit 1993 në Kollare të Kërçovës, Behajdini si pjesëmarrës i mbledhjes konsultative, shprehu qëndrimin që LPRK duhet përkrahur grupet e armatosura kundër pushtuesve. Në këtë takim të pranishëm ishin edhe Gafurr Elshani, Ali Ahmeti, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Adem Grabovci, Azem Syla, Bilall Sherifi, Halil Selimi, Hidajete Krasniqi etj.
Pra, siç vihet në dukje roli i Behajdinit, si kuadër i dëshmuar në LPK, është dhe do të mbetet historik. Behajdini ka pas një bashkëpunim të mirë edhe me kolosin e çështjes kombëtare shqiptare Ukshin Hotin. Ai kishte arritur të krijonte një lidhje të fortë e të natyrshme në mes të profesor Ukshinit dhe të Lëvizjes. Behajdini do të dëshmohet si një veprimtar me dinjitet të madh, duke i sfiduar tronditjet e rënda e të dhimbshme që i shkaktoheshin Lëvizjes, me rastin e rënies së shokëve Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, vdekja tragjike e Fadil Vatës, Prof. Xhemajli Berishës, Nesimi Elshanit etj. Këto sprova të rënda, edhe pse do ja vështirësojnë veprimtarinë Behajdinit, nuk do të arijnë dot ta ndalin në rrugën e shejtë – në rrugën drejt lirisë.
Krahas veprimtarisë ilegale Behajdini do t´i përkushtohet edhe hulumtimeve kërkimore e shkencore në fushën e studimeve sociologjike. Kështu në vitin 1989 ai regjistroi studimet posdiplomike në Fakultetin e shkencave politike në Sarajevë. Atëbotë provimet i kreu në afat rekord, por nuk pati mundësi të diplomojë për shkaqet që pasojnë më vonë: fillimi i luftës në në ish-Jugosllavi… Behajdini gjatë viteve të 90-ta do të arrijë të merret edhe me punë kërkimore të familjes dhe ka përfunduar hulumtimin e vitit të katërt të gjimnazit, ku ka hulumtuar dhe ndihmuar personalisht nxënësit. Në shkollën ku edhe punonte ishte bartës i miniprojektit “Organizimi i debateve për trajnimin e fenomeneve sociopatologjike” me të cilat përballen jo vetëm nxënësit, po edhe shkolla, familja dhe shoqëria në tërësi. Pra, siç shihet më lartë, Behajdini posedonte edhe aftësi të tilla që i mundësonin të krijohej si një personalitet i nivelit të lartë intelektual, politik e shkencor.
Në vazhdën e aktiviteteve të LPRK-së Behajdini kontribut të veçantë ka dhënë edhe në ruajtjen, strehimin dhe kalimin ilegal të shokëve të tij për në Shqipëri. Ta zëmë në janar të vitit 1992, pas një sulmi të forcave policore e ushtarake serbe në familjen e Jasharajve në Prekaz të Drenicës, përmes veprimtarëve të LPRK-së Rifat Jashari (vëllau i madh i Adem Jasharit) gjeti strehim në lagjen Tusus (tani lagjja e trimave) në Prizren dhe pas disa ditësh qëndrimi në këtë lagje, Baci Rifat, nën përcjelljen e Behajdin Allaqit, Besnik Krasniqit dhe Shaip Budurit kalon në trevën e Vërrinit, nëpër fshatin Hoqë të Qytetit dhe në hymje të fshatit Billushë (tani Kushtrim) i dorëzohet veprimtarit Sheradin Berisha, dhe prej këtij fshati nëpër mot të acart të asaj nate Baci Rifat kalon në Zhur prej ku (në orët e para të mëngjesit) me ndihmën e veprimtarit Ismet Badallaj përfundimisht kalon në Shqipëri. Kjo vijë e kalimit ilegal të veprimtarëve të shumtë për në Shqipëri, gjatë viteve 1990-93 ka shërbyer edhe si kanal për futjen e armatimit për anëtarët e LPRK-së dhe të grupimeve tjera atdhetare, të cilët bënin përgatitjet e para për rezistencë të armatosur në Kosovë.
Pas një aktiviteti të bujshëm atdhetarë Behajdin Allaqi më 1 gusht 1993 arrestohet nga UDB-a dhe më 11 nëntor 1993, nën akuzën për: ”Bashkim për veprimtari armiqësore dhe rrezikim të tërësisë teritoriale të Jugosllavisë”, në Gjyqin e Qarkut në Prizren denohet me 2 vjet e tre muaj burg të rëndë. Së bashku me Behajdinin u burgosën edhe Ilaz Kadolli, Hysen Gega, Binak Berisha dhe Shefki Muçaj. Behajdini burgun do ta vuaj në Dubravë të Istogut (tani Burim).
Faksimile të Aktgjykimit P.nr.16/93 datë 10.XI.1993 (fq. 1 dhe 12) i shpallur nga Gjykata e Qarkut në Prizren. Trupi gjykues ishte i përbërë: Nada Haxhiperiq (kryetare e trupit gjykues), gjyqtarët porotë: Jovan Derimanoviq dhe Millutin Lekiq, me procesmbajtësen Shurete Salihu.
Pas lirimit nga burgu, Behajdini sërish vazhdoi të punojë në gjimnazin e Prizrenit, deri në qershor të vitrit 1998. Me formimin e celulave të para të UÇK-së në regjionin e Prizrenit, Behajdini do të jap kontributin e tij në forcimin dhe masovizimin e radhët të UÇK-së. Disa herë merrë pjesë në organizimin e aksioneve ushtarake në fshatrat e Përdrinisë dhe planifikon rrjetin e bartjes së armatimit përmes maleve të Pashtrikut.
Në fillim të qershorit, sipas konsultimeve të shokëve kontributi i tij ishte i nevojshëm në vijat e frontit dhe për këtë gjë ai shkon për t’u takuar me shokët. Më 11 qershor 1998, nga Shtabi i Drenocit, Behajdin Allaqi niset me disa përfaqësues të SHP të UÇK-së (me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin – sh.b) për në selinë e SHP në Drenicë. Dhe, nga data 11 qershor 1998, familjes Allaqi dhe shokëve të Behajdinit do t´i mungoj jo vetëm informacioni por edhe vendi i rënjes së tij, do t´í mungoj jo vetëm vendi i rënjes por edhe varri i tij dhe në fund do t´i mungoj edhe dëshmori. Prej asaj ditë (11 qershor) nuk dihet mirëfilli se a ka arritur Behajdini në SHP të UÇK-së, apo gjatë rrugës është përleshur me forcat pushtuese serbe!
Dëshmori i kombit Behajdin Allaqi ka lënë një mori krijimesh shkencore të botuara dhe në dorëshkrim në fushën e sociologjisë. Ai la pas vetes gruan Nazmijen, vajzën Qëndresën, dhe djemtë Qëndrimin dhe Çlirimin.
( Pashtriku.org, 20. 03. 2016)