Adem Breznica

Adem Breznica: Pse Kurani i ndaloi dhe i la “të prapambetura” artet e bukura?!

Shpjegim i thjeshtë:

Sepse pikturat, skulpturat dhe muzika iu dedikoheshin analfabetëve klasikë e jo njerëzve të ditur që zotëronin leximin e gjithë atyre teksteve e librave voluminozë nga të gjitha sferat e dijes.

Shpjegim me dy fjalë-fjali:

Sepse kur vdiq Muhamedi a.s., shumica e pasuesve të tij dinin shkrim dhe këndim-lexim. Të llogarisim vetëm viktimat e luftës së Ebu Bekerit. Në betejën e parë me një armik të jashtëm u martirizuan 70 hafizë [nxënës të përmendshëm të Kuranit], që dmth se ushtarët më të thjeshtë e “më të padhimbshëm” te khalifit të parë ishin jo vetëm lexues por edhe zotërues të teksteve të gjëra e voluminoze.

Tutje, gjeneratat e para nuk kishin nevojë që muret e xhamive (vendtubim, kuvend), dhe as miniaturat e librave, t’i ilustronin me piktura e skulptura për t’iu rrëfyer besimtarëve (xhematit-masës) ngjarjet dhe veprat e Muhamedit a.s., sepse këtë e mësonin nga imam të dijshëm dhe nga librat që vet dinin t’i lexonin.

Gjithashtu imamët (prijësit-mësuesit-hoxhët) nuk kishin nevojë, që në agjendat e tyre të ngritjes së emocioneve ndër besimtarë, të fusnin veglat dhe as korin muzikorë. Atyre u mjaftonte melodia unike e Kuranit që nuk e ka shoqen dhe as nuk mund ta sfidojë kush, edhe nëse bëhen bashkë të gjitha harpat, instrumentet e koret muzikore për ta konkurruar.

Secili prej besimtarëve i lexonte ajetet (shenjat) e Kuranit në muret-muralet e xhamive (dhe jo vetëm) dhe secili që dëshironte dhe gjente kohe të lirë mund të thellohej e frymëzohej tutje në leximin e librave prej letre me bollëk… Sepse ishin njerëz të lexueshëm, njerëz të penës dhe dijes…

Dituritë e gravuara në gurë, drurë, dyllë, argjilë, papirus e pergamenë qenë privilegje të aristokratëve dhe priftërinjve drejtues për mijëra vjet pa iu dorëzuar masave të gjëra, madje as në kohët më të lulëzuara të disa prej shoqërive paraprake e paralele me atë islame. Islami është i pari sistem që njohjen e leximit dhe shkrimit e bëri fondament të tij për masat e gjera, deri në ngadhënjimin e kësaj vlere përmes bartëses së saj – letrës, në të gjitha shoqëritë.

Prandaj xhamitë vazhdojnë edhe sot e kësaj dite ta ruajnë me krenari burimin puro të Islamit (Paqes), që rrjedh nga vet emërtimi i Fjalës se Shenjt “Kuran” – “i lexueshëm”, dhe fjalës së parë të Kuranit “Lexo!”, duke i zbukuruar gjeometrikisht sheshet, muret dhe librat me fjalën e shkruar dhe jo të pikturuar e skulpturuar (edhe pse as këto nuk u lanë mënjanë) dhe as të ilustruar analfabetikisht…

Pra nuk bëhet fjalë që piktura, skulptura e muzika ta kenë iluminuar (ndriçuar) mendjen e njeriut homosapiens (njeriu koshient, i vetëdijshëm), sepse këto lloje të artit ekzistonin pashkëputshëm prej mijëra e mijëra vjetësh me radhë ndër të gjitha breznitë e njerëzimit, dhe si te tilla ato në të gjitha kohërat iu drejtuan me mesazhe e iluzione turmave analfabete për t’i drejtuar, e mbase edhe mbikëqyrur e kontrolluar; por ishte determinizmi i leximit masiv, që e obligoi Islami ndër masa si fondament të tij, ai faktori kyç që e nxori njerëzimin nga “temperaturat” e ngurta ngrirëse mijëvjeçare në ato të buta shkrirëse dhe të vakëta që i përjetojmë edhe ne sot e gjithë ditën…

Fundja e fundit, nuk ka asnjë tekst kuranor që i ndalon artet e bukura, ndërkaq klasifikimi “historiografik” se Kurani i ka ndaluar ato, dhe si rrjedhojë edhe i ka prapambetur, është mëse i shpifur.

Post Scriptum:

Këto sqarime i bëra duke marre shkas nga vandalizimi dhe djegia e xhamisë qindvjeçare në Drenicë si dhe tendencat e herëpashershme për ta shfaqur Islamin si kulturë të prapambetur, gjëra këto nxitëse për dhe në të tilla raste barbareske.

Kushdo që përpiqet t’i demonizojë burimet dhe rrjedhat e Islamit si të prapambetura, dhe të shkelura nga koha, gabohet proceduralisht dhe bënë shkelje të rëndë mbi kriterin bazë të shkencës: kritiken e pavarur dhe shumë dimensionale dhe krahasimtare. Përndryshe, gjurmët dhe dritën e kulturës islame nuk e errësojnë dot askush prej kushit.

E nëse ka diçka tendencioze, atëherë bëhet fjalë për çalim të rëndë humanist, iluminist e kultural, edhe pse mund të pretendohet se ato “spërkatje” bazohen mbi këto vlera.

/Adem Breznica, profesor i historisë dhe studiues i religjioneve komparative/

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …