KKMSH: 45 të prekur nga virusi COVID-19 në Komunën e Vitisë, tre prej tyre janë shëruar

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti gjatë kryesimit të mbledhje së rregullt të Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim ( KKMSH), ka njoftuar se në këtë komunë nga virusi pandemik COVID-19 janë prekur gjithsej 45 persona, kurse 3 prej tyre tashmë janë shëruar. Ai potencoi se komuna e Vitisë, në bashkëpunim me të gjithë akterët, po bënë çmos për të parandaluar përhapjen e këtij virusi. Kryetari Haliti njoftoi se dje në oborrin e QKMF-së në Viti, është vendosur edhe tuneli dezinfektues, dhuratë nga kompania “Ekologjia”, kurse tha se një tunel i tillë do të vendoset edhe QMF-në e Pozheranit, por nga një donator tjetër. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, i cili ritheksoi se policia e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet komunale të Vitisë dhe të tjerë në luftën kundër përhapjes së virusit COVID-19. Ai potencoi se policia po bashkëpunon edhe në menaxhimin e vatrave të përhapjes së infeksionit të cilat janë shpallur nga Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë si kryetari Haliti ashtu edhe komandanti Halili kërkuan mirëkuptimin e qytetarëve që të zbatojnë rekomandimet dhe urdhëresat që kanë të bëjnë me parandalimin e përhapjes së këtij virusi. Gjatë këtij takimi është folur edhe për vazhdimin e bashkëpunimit të KKMSH-së për sigurimin dhe shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për qytetarët me gjendje më të renduar financiare.

Kontrolloni gjithashtu

Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, organizoj tryezën me temën “Roli i fesë në shoqërinë bashkëkohore”

Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, organizoj të premtën tryezën me temën “Roli i fesë …