Nënkryetari i komunës së Mitrovicës Safet Kamberi, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit të aksionarëve të Ndërmarrjes “Kosovatrans-Stacioni i Autobusëve” në Mitrovicë, Gani Mustafa, janë takuar në Prishtinë me kryetarin e Bordit të AKP-së Petrit Gashi, me ç’rast kanë biseduar rreth shkresave të Komisionit komunal të aksionarëve për Ndërmarrjen “Kosovatrans-Stacioni i Autobusëve” në Mitrovicës, të cilat brenda vetës ngërthenin pyetjet në raport me pronësinë dhe kapitalin.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Sead Ujkani, kryesues i Bordit të Ndërmarrjes “Kosovatrans-Stacioni i Autobusëve” në Mitrovicë, Ramadan Ademi e Sefedin Beka, anëtarë të Bordit të ndërmarrjes, si dhe Xhavit Hasani, u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv në Ndërmarrjen “Kosovatrans-Stacioni i Autobusëve”, në Mitrovicë.
Gjatë takimit u diskutua kryesisht për pronësinë dhe kapitalin e Ndërmarrjes K.T.U. “Kosovatrans”, përkatësisht për atë se cila ishte kur i është dorëzuar ish AKM-së, cila ishte pronësia dhe kapitali i ndërmarrjes kur është dorëzuar nga ish AKM-ja tek AKP-ja dhe cila ishte pronësia dhe kapitali i ndërmarrjes kur është dozuar nga AKP-ja tek Komuna e Mitrovicës, më datën 20.06.2012. U bisedua edhe për obligimet tjera të ndërsjella.
Në përfundim të këtij takimi, përfaqësuesit e AKP-së u zotuan se do t’i përgjigjen kërkesës së Kuvendit të Komunës së Mitrovicës përmes formës së shkruar në raport me problematikën e ndërmarrjes së lartpërmendur.