Komunikatë për shtyp nga OJQ, “Familja dhe Shpresa”

Komunikatë për shtyp nga OJQ, “Familja dhe Shpresa”

21 pranvera pa më të dashurit tanë e 21 vite gënjeshtra nga politikanët e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare. Drejtësia për vrasjen e më të dashurve tanë gjatë luftës së vitit 1998-1999 për liri e pavarësi e kthimi i trupave të tyre tek ne të mbijetuarit është injoruar dhe po injorohet plotësisht edhe nga politikanët e Kosovës përplot 21 vite, po aq sa edhe krerët e shtetit fqinjë Serbisë dhe bashkësia ndërkombëtare.

Prandaj, janë pikërisht krejt partitë politiket të Kosovës, krerët e institucioneve të Kosovës dhe deputetët e parlamentit ata që duhet të marrin përsipër gjërat në duart e tyre e të veprojnë konkretisht për drejtësi për krimet e luftës ndaj më të dashurve tanë anekënd Kosovës, duke e plotësuar ligjin për gjykatën speciale, e jo të na gënjejnë 21 vite me radhë siç po na gënjejnë edhe këtyre ditëve.

Institucionet e Kosovës e kanë këtë armë të madhe politike në duart e tyre për të detyruar bashkësinë ndërkombëtare dhe shtetin vrasës fqinjë; për të gjykuar kriminelët që ende janë të lirë në Serbi pikërisht përmes kësaj gjykate të krijuar me ligjin e parlamentit të Kosovës të gushtit 2015.

Është ish-ministri i Kasapit të Ballkanit (Sllobodan Millosheviqit), kryetari i tashëm i Serbisë Aleksandar Vuçiçi, ai i cili duhet që të detyrohet pikërisht nga krerët e institucioneve të Kosovës për drejtësinë e munguar për krimet e luftës dhe kthimin e kufomave të më të dashurve tanë të vrarë e të zhdukur tash e 21 vite nga ndërmarrja kriminale e Serbisë.

Nuk ka paqe pa drejtësi të plotë me shtetin që i masakroi më të dashurit tanë e që po i fsheh ende kufomat e tyre nëpër Serbi.

Dialogu me Serbinë duhet që të kushtëzohet me gjykimin në gjykatën speciale për Kosovën në Hagë e kriminelëve serbë të mbrojtur nga Vuçiçi si dhe me kthimin e kufomave të familjarëve tanë tek ne. Drejtësia është në duart e politikanëve të Kosovës, krejt partive politike dhe institucioneve të vendit tonë.

Prandaj, krerë të institucioneve të Kosovës e krerë të partive politike e anëtarë të parlamentit, plotësojeni ligjin për gjykatën speciale e ndaloni të gënjeni siç na keni gënjyer plot 21 vite.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …