Haliti: Mediat po luajnë rol të rëndësishëm në luftën kundër pandemisë

Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti, vlerëson lart rolin e mediave dhe të gazetarëve në luftën kundër pandemisë me COVID-19. Ai në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka pritur një grup të gazetarëve nga Klubi i Gazetarëve “Kerem Lawton”, në Viti. Kryetari Haliti shprehu respektin dhe mirënjohjen për punën dhe angazhimin e gazetarëve dhe kameramanëve në këtë kohë të vështirë, të cilët nga vija e frontit po raportojnë dhe po e paraqesin gjendjen në terren. Ai tha se informimi i drejtë dhe me kohë, ka shërbyer në menaxhimin më të mirë dhe më të lehtë të situatës dhe në vendosjen e komunikimi të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë me qytetarët në lidhje me masat dhe veprimet që janë ndërmarrë. I pari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, mediave iu ka ofruar bashkëpunim të mirë edhe në të ardhmen, duke shprehur respekt për punën e tyre. Ai ka kujtuar edhe gazetarin e ndjerë vitias, Ibrahim Sefedini, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar. Kryetari i klubit të gazetarëve “Kerem Lawton”, Shyqeri Halabaku, ka thënë se liria e shprehjes tek ne ka shënuar një përmirësim të vogël, por mediat po ballafaqohen me krizë financiare, sidomos në këta muajt e fundit të pandemisë. Ai në emër të gazetarëve ka falënderuar të gjithë mekanizmat relevant për bashkëpunim në plasimin e informacioneve në lidhje me gjendjen e krijuar nga pandemia. Paraprakisht, gjatë ditës, kryetari Haliti me bashkëpuëntorë, gazetarët dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, bënë homazhe tek memoriali kushtuar gazetarit britanik Kerem Lawton, i cili humbi jetën në vitin 2001, gjatë raportimit nga konflikti i armatosur në Maqedoninë e Veriut. Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar edhe në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, shpalli 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet çdo vit në mbarë botën.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Vitisë organizon tryezë diskutimi për aktivizimin kundër dhunës ndaj gruas

Komuna e Vitisë, përmes zyrës së kryetarit dhe Zyrës për Barazi Gjinore, ka mbajtur sot …