Këshilltari politik i presidentit të Kosovës, Artan Behrami, ka thënë se pasi shkeli dy herë Kushtetutën, kryeministri në detyrë Albini Kurti nuk i ndal kërcënimet kundër Gjykatës Kushtetuese. “Duke e parë një kryeministër solipsistë, Komisioni i Venecias, në përgjigjen dërguar Qeverisë, mbron Gjykatën Kushtetuese nga paranojat dhe kërcënimet e Kurtit. ‘Nëse Komisioni do të ndërhynte, kjo do të rrezikonte ta dëmtonte autoritetin e Gjykatës’, thuhet në këtë përgjigje. Kjo tashmë është një dëshmi me legalitet dhe legjitimitet ndërkombëtar me të cilën Kurti ka synuar dëmtimin e autoritetit të Gjykatës Kushtetuese”. “Por, kjo nuk i ka mjaftuar. Në RTSH kërcënoi Gjykatën Kushtetuese sikur një kamikaz që për inate personale është në gjendje të vetëflijohet dhe, bashkë me të, krejt Kosovën. Aty ku nuk respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, aty pushon shteti dhe fillon anarki!”, ka shkruar Behrami. Ai ka thënë se pas kundërshtimit të ashpër të Komisionit të Venecias, tani janë sosur të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare, dhe sipas tij, Kurti e ka vetëm një rrugëdalje – daljen në rrugë.