Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në një konferencë për media të mbajtur sot ka ngritur shqetësimin e mijëra qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë mbetur jashtë vendit gjatë kohës së pandemisë, e që tani duan të kthehen në atdhe. Ajo ka thënë se Qeveria e shkarkuar po ikë nga përgjegjësitë konkrete duke mashtruar qytetarët e diasporës. Deputetja Musliu ka theksuar se pas shtatë javësh pandemi, pa u kthyer kanë mbetur afër 75% e qytetarëve që kanë kërkuar të riatdhesohen. Ajo ka pohuar se shumicës së tyre po iu shteron durimi, kanë mbetur pa punë, apo një pjesë ka shkuar për probleme shëndetësore e kanë nevojë të kthehen, ndërsa studentëve iu është ndërprerë shkollimi, ceku deputetja Musliu. “Këtë konferencë shtypi po e organizojmë për të ngritur zërin lidhur me mijëra qytetarë tanë që ende kanë mbetur të bllokuar jashtë vendit. Bëhet fjalë për shtetasit tanë të cilët për arsye nga me të ndryshmet kanë udhëtuar jashtë vendit, kanë shprehur nevojën për t’u kthyer në vendlindje, por ende nuk iu është mundësuar kjo gjë. Prononcimet e kabinetit qeveritar të shkarkuar, se gjoja qenkan duke e menaxhuar për mrekulli çështjen e riatdhesimit është mashtrim i pastër.