Në ditën Botëror të Ujit, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka vizituar Kompaninë “Ujësjellësi Rajonal”, në Mitrovicë, ku me drejtorin Sami Miftari, ka biseduar për zgjidhjen e problemeve të ujit të pijshëm për qytetarët që nuk kanë furnizim të rregullt dhe të mjaftueshëm me këtë artikull të domosdoshëm jetësor, apo që nuk janë fare të kyçur në rrjetin e ujësjellësit.
Në takim morën pjesë edhe drejtorët e drejtorive komunale, Sami Zeka e Besnik Beka, përfaqësuesja e LUX-DEV-it, që e financon projektin për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, Drita Llagjeviq, përfaqësuesi i Kompanisë konsulente për realizimin e projektit, SETEC, Kurt Luschin dhe ekspertët e Ujësjellësit Rajonal.
Drejtori Miftari, ekspertët e Ujësjellësit Rajonal dhe përfaqësuesi i SETEC, fillimisht e njoftuan kryetarin Bahtiri me punët për realizimin e projektit të financuar nga LUX- DEV-i për ndërrimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në tërë komunën e Mitrovicës. Ata thanë se aktualisht janë duke bërë ndërrimin e gypave në lagjen Fidanishte dhe duke bërë hulumtime për zgjidhjen e problemeve për furnizim me ujë të pijshëm për fshatrat Gushafc, Vinarc, Koshtovë, Zasellë etj.
Kryetari Bahtiri kërkoi nga drejtuesit e Ujësjellësit Rajonal që të bëjnë zgjidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme për zgjidhjen definitive të çështjes së furnizimit me ujë për pije të Gushafcit, Vinarcit, Koshtovës dhe Zasellë, si dhe të disa lagjeve në qytet.
“Pas kësaj faze, ne do të organizohem bashkërisht për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë për pije për banorët e fshatrave të Shalës së Bajgores. Komuna e Mitrovicës në të gjitha rastet, do t’i kryej me kohë obligimet e veta financiare dhe të tjera”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.