Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, mori pjesë në tryezën e diskutimit me temën “Përmirësimi i Sistemit të Prokurimit Publik”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Me këtë rast ai shprehu përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për projektet e këtilla të cilat kanë për qëllim rritjen e transparencës në shfrytëzimin e parasë publike dhe ndihmojnë në gjetjen e mënyrave më të mira ligjore për racionalizimin dhe shfrytëzimin efikas të saj. Zharku tha se në të gjitha fushat, e posaçërisht në atë të prokurimit publik, transparenca është çështje kritike dhe, sipas tij, të gjitha autoritetet duhet t’i kushtojnë rëndësi rregullimit të kësaj fushe.
Mënyra se si Qeveria sillet në udhëheqjen e transaksioneve të saja, drejtpërdrejt ndikon në publik dhe besimin e tij për qeverisje të mirë. Ministri Zharku, theksoi se raporti i sotëm tregon se është domosdoshmëri që të bëhet standardizimi i procesit të prokurimit publik, thjeshtimi i qasjes në informata dhe disponueshmëria e tyre. Në këtë aspekt, sipas tij, fillimi i prokurimit elektronik shihet nga Qeveria si mundësia më e mirë për arritjen e këtyre qëllimeve, ku tashmë është filluar me pilot projektet në prokurimin elektronik kurse nga viti i ardhshëm i tërë procesi duhet të kryhet në këtë mënyrë. Prandaj, vetëm procesi transparent i prokurimit publik mund ta inkurajojë këtë konfidencë përmes shkëmbimit të lirë dhe të hapur të informatave, përparimit të dijes, përmirësimit të efikasitetit dhe zvogëlimit të potencialit për korrupsion e humbje. Ministri Zharku, gjithashtu, falënderoi Ambasadën Britanike në Kosovë dhe ambasadorin Ruairi O’Connell për përkrahjen në zhvillimin dhe forcimin ekonomik e social të vendit.