Me qëllim të njoftimit nga afër me operacionet e deminimit të FSK-së, Ministri i Mbrojtjes Anton Quni me stafin e tij, sot vizitoi njësinë operuese të deminimit të FSK-së që është duke zhvilluar operacionin e deminimit në Babaj të Bokës të komunës së Gjakovës. Ministrin Quni e priti Komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së gjeneralbrigade Xhevahir Geci i shoqëruar nga Komandanti i Kompanisë së Deminimit Major Gëzim Sada. Si nikoqir, Major Sada e njoftoi Ministrin Quni me aftësitë dhe kapacitetet njerëzore, me pajisjet dhe kapacitetet tjera teknike, me kapacitetet trajnuese dhe nivelin e profesionalizimit si dhe me kapacitetet e mbështetjes logjistike dhe infrastrukturore të njësisë. Më pas Ministri Quni u njoftua në hollësi me operacionet e deritashme dhe ato të planifikuara të deminimit dhe veçanërisht me operacionin aktual në Babaj të Bokës.
Nga ana e tij, Ministri Quni, përgëzoi Gardën Kombëtare, respektivisht Kompaninë e Deminimit për të arriturat e jashtëzakonshme përgjatë gjithë procesit të deminimit , duke demonstruar nivel shumë të lartë të përgjegjësisë dhe profesionalizimit.
Në fund, Ministri Quni para oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të njësisë përkatëse u zotua për ofrimin e mbështetjes maksimale për të avancuar edhe më tej në përmbushjen e detyrës së shenjtë, në kuadër të misionit të mbrojtjes dhe sigurisë së qytetarëve tanë.