Adil Fetahu

Adil Fetahu: RINGJALLJA E APETITEVE SERBE PËR DALJE NË DET!

*Daçiqi: Oferta nuk refuzohet. Me dëshirë do të lahesha në Shkodër!

Këmbim territoresh midis Serbisë e Shqipërisë, llogari pa hanxhiun

Shkëmbimii i territoreve midis shteteve është çështje e madhe politike, shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ideja për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës e Serbisë tash sa kohë flitet e përflitet, sillet e pështillet në qarqet dhe kuloaret e Serbisë dhe të Kosovës, por edhe në ato ndërkombëtare, me opsione e variante të ndryshme, edhepse akoma nuk ka ndonjë verzion i publikuar zyrtar nga asnjëra palë. Është temë e përshtatëshme për konspiracion dhe  propagandë mediale. Kohët e fundit, sidomos prej korrikut të vitit 2019, në mediat serbe është lëshuar si tullumbaçe në opinion një variant, sa i pamundur aq qesharak, i shkëmbimit të territorit midis Serbisë e Shqipërisë! Në këtë variant, Serbia e konsideron Kosovën si territor nën jurisdiksionin e saj, dhe shprehet e gatshme që një pjesë të Kosovës t’ia cedojë Shqipërisë, për një territor të shetit shqiptar që do t’i jepej Serbisë si koridor për dalje në Detin Adriatik! Këtë variant propaganda e diplomacisë serbe e ka shti në vesh të disa qarqeve të Amerikës, me shpresë se do të mund ta realizojë përmes presidentit Donald Tramp

Drejtori i Institutit për Studimet Strategjike nga Washingtoni, dr Georgie Kopli, në programin e televizionit BN (9 shtator 2019), dhe në intervistën dhënë Portalit “Kosovo on-line” (26 janar 2020), ka thënë se dialogu për çështjen e Kosovës duhet të zhvillohet midis Beogradit e Tiranës, e jo midis Beogradit e Prishtinës, dhe ai dialog duhet të përfundojë me një marrëveshje për shkëmbim territoresh midis Serbisë e Shqipërisë. Sipas atij trabanti amerikan, “Serbisë duhet t’i jepet Veriu i Kosovës me shumicë serbe dhe një koridor për dalje në det përmes Shqipërisë Veriperëndimore. Pjesa tjetër e Kosovës, me shumicë shqiptare t’i bashkohet Shqipërisë. Ky do të ishte një kombinim me të cilin fitojnë edhe Serbia edhe shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë”. Ai ka shtuar se “Kosova nuk do të kthehet më në Serbi sikur ishte dikur. Populli i Kosovës dhe UÇK-ja përherë e kanë dëshiruar bashkimin me Shqipërinë. Kjo është e mundur dhe mund të pranohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Për një marrëveshje të tillë do të mund të pajtoheshin edhe Trampi e Putini, meqë Shqiptrët do të ishin në NATO, ndërsa Serbia mund të bëhet urë e fortë midis Lindjes e Perëndimit, gjithnjë nën ndikimin e forte të Rusisë”,-ka thënë Kopli.

Duke u përgjigjur në pyetjen: A mund të arrihet marrëveshje midis Beogradit e Prishtinës, zyrtari amerikan thotë:  “Po, është e mundur në qoftë se marrëveshja arrihet me Tiranën. Nuk ka motiv  Beogradi të arrijë marrëveshje me Prishtinën, për arsye morale që Serbia nuk e njeh Kosovën. Udhëheqja e Kosovës është në rënie politike dhe ekonomike. Nga ana tjetër, Prishtina dhe qeveria e Shqipërisë po vazhdojnë bisedimet për bashkim. Ky bashkim mund të arrihet vetëm nëse e pranon Beogradi dhe nëse Serbia dhe  Shqipëria pajtohen për shkëmbim territoresh. Sipas planit të propozuar nga profesori i Universitetit të Beogradit, Darko Trifunoviq, Serbia do të mund të pajtohej që një pjesë e Kosovës, përveç pjesës veriore në të cilën Serbët janë shumicë, t’i jepet Shqipërisë, ndërsa Shqipëria t’ia jep Serbisë territorin që ka nën juridiskion në pjesën veriore të saj, duke përfshirë edhe pjesën vriperëndimore të Kosovës, gjithnjë duke shkuar përbri kufirit të Malit të Zi deri në bregdet, duke përfshirë edhe Shkodrën (!!!). Ky plan do të bashkonte rajonin në të cilin dominojnë Shqiptarët, do t’i kthente Serbët e Kosovës në Serbi dhe njëkohësisht do t’i kthente rajonet serbe të cilat aktulisht janë nën dominimin shqiptar. Ky plan do ta krijonte “Shqipërinë e Madhe”, të cilën e dëshirojnë Shqiptarët, ndërsa Serbisë do t’i siguronte daljen në det”(sic)!

Duke u përgjigjur në pyetjen , si do e shihnin fuqitë e mëdha një marrëveshje të tillë midis Beogradit, Tiranës dhe Prishtinës, Kopli, thotë: “Nevojitet guxim i madh i liderëve të Beogradit, të Tiranës dhe të Prishtinës për të arritur një transformim të tillë. Kjo në të vërtetë është e vetmja mënyyrë që e kaluara të lihet atje ku duhet të mbetet – në të kaluarën. Në këtë mënyrë mund të nxitën fillime të reja rajonale. Është e nevojshme të inicohet çdo proces i tillë i pajtimit dhe harmonizimit përmes kontakteve të cilat nuk janë formalisht të lidhura me qeveritë. Për shembëll, mund të fillojnë bisedimet midis krerëve të kishave ortodokse serbe dhe shqiptare. Mund të bisedojnë trashëgimtari mbretëror Aleksandri i Serbisë dhe Leka i Dytë i Shqipërisë. Një proces të tillë do të mund ta përkrahin edhe Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, sepse kjo është një qasje “vin-vin”, sipas së cilës fitojnë të dy palët.

Sa ndikojnë zgjedhet e nëntorit të ShBA-ve në këto hapësira, ishte pyetja tjetër që iu bë ekspertit amerikan? – “Situata politike në ShBA është e tillë që me një probablitet të madh që zgjedhjet e nëntorit 2020 t’i fitojë Donald Tramp. Situata ekonomike e ShBA-ve është e mirë dhe vazhdon të përmirësohet, përkundër realitetit që situata ekonomike në Europë dhe në Kinë po keqësohet. Rizgjedhja e  presidentit Tramp do të kishte ndikim pozitiv në Ballkan”. Kopli ka shtuar se qysh në vitin 1919, pas  Luftës së Parë Botërore, presidenti Truman (!) i ka premtuar Serbisë daljen në bregdetin shqiptar.

Siç duket, ky farë ekspertuci jo se nuk e njeh historinë as gjeografinë e Ballkanit, por nuk e njihka as historinë e presidentëve të vendit të tij, duke ngatërruar periudhat e mandatit të tyre. Sepse, në periudhën e Luftës së Parë Botërore  deri në përfundimin e Konferencës së Paqes, president i ShBA-ve ka qenë Woodrow Wilson (prej 4 mars 1913 deri më 3 mars 1921), kurse Trumani e ka marrë mandatin e presidentit të ShBA-ve prej 1 prill 1945 deri më 20 janar 1953). Madje, Wisloni ishte ai që e shpëtoi Shqipërinë pa e copëtuar ujqit e Konferencës së Paqes.

Reagimet në Serbi

Pas fjalëve shpresëdhënëse të ekspertucit amerikan, për mundësinë e arritjes së një marrëveshje sipas së cilës Serbia do ta kthente një pjesë të Kosovës dhe do ta merrte një territor të Shqipërisë për dalje në det, këtë opsion e pëlqejnë në Serbi. Vet ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar: “një ofertë të tillë do ta pranoja menjëherë dhe me shumë dëshirë do të lahesha në Shkodër (!)”. (Unë i them Daçiqit të shkojë e të lahet në Parali të Greqisë, në plazhin e hotelit të Dragan Palmës nga Jagodina e Shumadisë së tij, se në Shkodër mund të lahet vetëm në gjakun e vet e jo në det!).

Profesori i Universitetit të Beogradt, Darko Todoroviq, që njëkohësisht është edhe drejtor i Institutit për Siguri Kombëtare dhe Ndërkombëtare, e pëlqen këtë plan si të mundshëm dhe të arsyeshëm, bile pretendon se ky është plan është ideja e tij, për të cilin thotë se duhet angazhuar të gjitha forcat lobuese dhe përmes miqëve tanë në Izrael këtë plan t’ia parqesim sa më shpejtë presidentit Donald Tramp, e ai si njeri pragmatik do të pajtohej dhe do ta bënte realitet, sikur e bëri Jerusalemin kryeqytet të Izraelit.

Analistë e komentatorë të ndryshëm në Serbi konsiderojnë se administrata e Trampit e ka ndryshuar dukshëm qëndrimin ndaj Kosovës dhe si rezultat i atij ndryshimi menjëherë ka filluar tërheqja e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga disa shtete.  Kryetari Tramp nuk e ka në qejf bustin e Klintonit në qendër të Prishtinës.  Djali dhe dhëndërri i Trampit  kanë kërkuar tërheqjen e forcave të ushtrisë amerikane nga Kosova. Kryetari Vuçiq ka bërë punë të madhe në përmirësimin e marrëdhënieve me Amerikën. Aleksandar Karagjorgjeviqi (trashëgimtari i fronit mbretror, v.j.) ka më se 30 vjet që njihet personalisht me Trampin. Serbia duhet t’i shfrytëzojë këto lidhje, derisa lobi shqiptar nuk ka ndonjë ndikim në Trampin. Por, akoma është një lob i fortë në favor të Kosovës, me në krye  senatorin Eliot Engel, i cili është kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme të ShBA-ve, veçse për te Trampi ka mendimin më të keq, thotë Trifunoviq.

Instituti i Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare i Beogradit ka organizuar një konferencë të ndërkombëtare, në Kuvendin e Serbisë, më 11 shtator 2019, kushtuar marrëdhënieve serbo-amerikane. Në marginat e asaj konference është biseduar edhe për planin e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë e Shqipërisë dhe hapjen e një koridori për daljen e Serbisë në Detin Adriatik. Përveç personaliteteve tjera, në atë konferencë kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të Gardës Nacionale të Ohajos dhe kjo ka bërë jehonë në Vashington, duke marrë parasysh se presidenti Tramp i dëgjon shumë këshillat e ushtarakëve të armatës së tij.   Gjenerali i asaj Garde, Stiv Stajers, është bashkëkryesuesi i kokusit serb. Por akoma na pret punë e madhe për të përmirësuar marrëdhëniet me Vashingtonin, ndërsa Trampi mund t’i bindë dhe të jetë garant për marrëveshjen e shkembimit të territoreve me Shqiptarët, thotë Trifunoviq.

“Llogari pa hanxhiun”

Ambicjet e Serbisë për dalje në bregdetin shqiptar tash e më se një shekull kurrë nuk kanë pushuar. Jovan Civjiqi, në vitin 1912 e “justifikonte” planin e daljes së Serbisë në bregdetin shqiptar me arsye ekonomike. Tash, përveç arsyeve ekonomike, daljen në bregdetin shqiptar e justifikojnë me zgjidhje politike të problemit të Kosovës, pa e njohur pavarësinë e saj, por duke ia shkëputur një pjesë të territorit dhe jo vetëm të Kosovës veçse edhe të Shqipërisë!

Megjithëse këto llogari po bëhën pa “hanxhiun”, është e çuditshme se si asnjë zyrtar politik, as diplomacia, madje as mediat shqiptare,  të Kosovës e të Shqipërisë nuk kanë bërë kurrëfar reagimi! Fitohet përshtypja se as kanë informacione për këtë plan  djallëzor të Serbisë, të cilin e kanë në mendje dhe e kanë lansuar në kanalet e tyre diplomatike e mediatike.   Sado që ky plan duket një iluzion e kahmotshëm dhe i pamundshëm i Serbisë për shkëmbim territoresh e dalje në det, politika shqiptare nuk duhet ta nënçmojë e neglizhojë. Veçmas duke pasur parasysh politikën dhe qëndrimet e paparashikueshme të presidentit amerikan Donald Tramp.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …