leoni

Dr. Zymer Neziri

Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri: U DOGJ SHKOLLA FILLORE NË KATUNDIN DACAJ TË ROZHAJËS

              Lajmi i rëndë bëhet shumë më i rëndë kur merr vesh se u dogj një shkollë, si kjo në katundin Dacaj, Komuna e Tregovishtës (Rozhajës). I doli flaka vendit të njohur të dijes së kësaj ane në gjuhën shqipe. Lajmi bëhet edhe shumë më i trishtueshëm, kur të thonë ky zjarr nuk është nga fatkeqësia. Të zë tmerri e ankthi dhe mbetesh pa gojë kur merr vesh se dora e njeriut ia vuri flakën kësaj shkolle, më tha me telefon Haxhi Lajçi, njeriu që është në krye të shkollës fillore ‘’Dacaj’’, në Dacaj, dhe është veprimtar shumë i njohur i kësaj ane.

              Ndoshta në rruzullin tokësor ka ndodhur që më 16 maj 2020 të digjet qëllimshëm një shkollë nga dora e njeriut. Sado e pabesueshme, kjo është e mundur në këtë botë të trazur dhe të pandemisë botërore të virusit Korona. Por, nuk të shkon mendja se kjo mund të këtë ndodhur tash, më 16 maj 2020, në Evropë. Është djegur një shkollë në viset tona në Malin e Zi, ku gjuha shqipe edhe ashtu po frymon me shumë vështirësi, ku rreziku i saj nga boshnjakishtja po duket i pandalshëm edhe në Tregovishtë (Rozhajë) , Plavë e Guci, ashtu siç ka ndodhur me tërë Sanxhakun e Pazarit të Ri.

               Pra, në Evropë, më 16 maj 2020, është djegur qëllimshëm një shkollë shqipe nga dora e një shkollëvrasësi. Janë djegur librat e saj. Eshtë djegur biblioteka e saj, ku pata dërguar rreth dyqind libra, dhuratë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, në përvjetorin e saj të 50-të. Janë djegur dokumentacioni dhe ditarët e mësimit. Pra, nuk ka më zi. Dhe, pak është të thuash se ky është atentat mbi shkollën shqipe dhe një krim mbi arsimin e kulturën e një populli.

               Besoj se organet përkatëse kanë për ta thënë fjalën e vet. Besoj se do të bëhet edhe ndërtesa e re e shkollës shqipe, në përvjetorin e saj vijues, të 54-tin e radhës, po edhe biblioteka do të mbushet me libra të nevojshme. Besoj se fëmijëve e prindërve të tyre do t’u kthehet gëzimi. Besoj se arsimtarët do të punojnë edhe më shumë, por nuk  e di si do t’ia bëjmë me shkollëvrasësit e shqipes, si duket, të vetmit e këtij lloji në Evropë, që çojnë dorë mbi tempullin më të shenjtë të një populli, të një kulture shumë të vjetër, që bën pjesë ndër civilizimet më të lashta të Evropës e të Mesdheut.

 

Prishtinë, më 17 maj 2020

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …