Përfundimisht është shëruar edhe një fëmijë nëntë muajsh, që ishte prekur me virusin korona, javë më parë. Kjo është konfirmuar në komunikimin zyrtar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pasi e njëjta ka dalë negativ në dy testimet e fundit dhe konsiderohet plotësisht e shëruar. Me këtë, numri i të shëruarve në Komunën e Malishevës, shkon në 73, ndërsa raste aktive mbesin edhe dy. Po ashtu gjatë ditëve në vijim, pritet të shërohen edhe dy pacientët tjerë. Me këtë rast, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, në emër të Shtabit Emergjent Komunal, e ka uruar fëmijën e shëruar dhe dy rasteve aktive, ju ka dëshiruar shërim të shpejtë. “Ky rast i shëruar, ishte në mesin e disa rasteve të tjera, të cilët ende nuk i kishin mbushur një vit, dhe ishte në mesin e 76 të prekurve, dhe natyrisht se ky lajm na gëzon të gjithë neve”, tha nënkryetari Berisha. Gjendja aktuale me COVID-19 në Komunën e Malishevës, është kjo: 76 të prekur me COVID-19, prej tyre 73 janë shëruar, 2 raste janë ende aktive, ndërsa një rast ka pësuar me fatalitet.