Në kuadër të realizimit të projekteve kapitale, Komuna e Malishevës, momentalisht, është duke ndërtuar katër shkolla të reja dhe dy fusha sportive. Ecurinë e punimeve në dy nga këto projekte, e ka parë nga afërt edhe drejtori i urbanizmit, z.Ahmet Morina, me zyrtarë të tjerë (inxhinier) të kësaj drejtorie, ku ka kërkuar që këto projekte të realizohen sipas planifikimit dhe të ketë cilësi në punime.
Drejtori Morina dhe stafi i tij, i kanë inspektuar punimet në ndërtimin e objektit të shkollës në Astrazup, ku është duke u ndërtuar një shkollë moderne dhe që do ti plotëson nevojat, sipas standardeve për mësimnxënie, si dhe kanë vizituar punimet në ndërtimin e fushës sportive në shkollën e fshatit Llapqevë.
Sipas drejtorit Morina, “qëllimi i këtyre inspektimeve, është ecuria e realizmit të projekteve të filluara këtë vit dhe cilësia e ndërtimit”. “Ne po investojmë në objekte apo projekte të cilat duhet të kenë një jetëgjatësi dhe duhet të jenë të ndërtuara sipas standardeve, andaj edhe punimet duhet të kenë cilësi të lartë, siguri dhe të realizohen sipas planifikimeve tona”, tha Morina.
Shkolla në Astrazup ka një hapësirë prej 2909 metra katrorë dhe buxhetit komunal do ti kushton më shumë se gjysmë milion euro, ndërsa fusha e sportit në Llapqevë, ka dimensione standarde prej 44 metra gjatësi dhe 22 metra gjerësi dhe buxhetit komunal i kushton 31,208.82 euro.