Adil Fetahu

Adil Fetahu: Tollovitë klero-fashiste serbe në Republikën e Malit të Zi

Nëse për coronavirusin ka dyshime se u prodhua në laboratorin kinez në Wuhan dhe u përhap si pandemi në gjithë globin, për virusin klerofashist  serb,  që më se dy shekuj vepron si endemi në Ballkan, nuk ka dyshim se u prodhua në laboratoret e Beogradit dhe të Moskës

Ngjarjet që po zhvillohen në Republikën e Malit të Zi janë nga skenari i Memorandumi 2 të AShAS

Në qershor të vitit 2011, pata botuar në disa media shqiptare, në Prishtinë dhe Tiranë, shkrimin e titulluar: “Memorandumi 2 i AShAS – program i luftës speciale”(shih: “Kosova sot” dt.10 qershor: “Telegrafi” 17 qershor; “Bota sot” 18 qershor; “Gazeta Shqip” dhe “Reporteri org” 20 qershor 2011).  Në atë shkrim kam analizuar përmbajtjen e Memorandumit 1 ( prill 1986) dhe të Memorandumit 2  (mars 2011) të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe kam paralajmëruar udhëheqjet e shteteve tona, që të mos rrijnë këmbëkryq e duarkryq, por të marrin masa për t’u mbrojtur nga veprimet e Serbisë në realizimin e atij Memorandumi, dhe ta lajmërojnë bashkësinë ndërkombëtare për strategjinë satanike të Serbisë e cila synon destabilizimin e shteteve fqinje. Të gjitha ngjarjet që u zhvillluan më vonë në Veriun e Kosovës ishin në frymën e atij Memorandumi.

Sipas të gjitha gjasave, Memorandumi 2 ishte përgatitur diku në vitin 2006, por që në mars të vitit 2011, pa e publikuar askund në media, u është dhënë në dorë udhëheqësve politikë, shtetërorë, ushtarakë e kishtarë, si një doracak me udhëzime dhe program veprimi të luftës speciale kundër shteteve fqinje. Memorandumin 2 e para e ka zbuluar “Sllobodna Bosna” nr.749,dt.24 mars 2011, përmes burimeve të saj nga kabineti i kryeministrit të Serbisë, e  që mbanë porosinë e stampuar: “Lexo, por mos e përhap më tutje”!

Cilat ishin qëllime strategjike të Memorandumit 2

Për të kuptuar lajtmotivin e Memorandumi 2, mjafton të citojmë deklaratat e dy autorëve të atij programi satanik, akademikëve Dobrica Qosiq dhe Luba Tadiq. Qosiqi (2012) pati deklaruar në shtypin e Beogradit se “Serbët në shekullin 20 i humbën katër luftëra (në Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë), por duhet të shikojnë se si në paqe fitohen luftërat e humbura”! Ndërkaq, Luba Tadiqi, i ati i kryetarit të atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiq, pati deklaruar: “Humbjen ushtarake e Krajinës Serbe dhe e tokave të Sllavonisë, në të cilat serbët përbënin shumicën e popullsisë, kurrë nuk duhet ta pranojmë si humbje definitive…”.

Me  luftërat e armatosura të zhvilluara prej Sllovenisë deri në Kosovë,  Serbia jo vetëm se nuk arriti qëllimin e formimit të Serbisë së Madhe, por përkundrazi, u dërmua ekonomikisht dhe u zvogëlua në territor, duke u detyruar të tërhiqet nga Kosova. Ky dështim dhe humbja e të gjitha luftërave, e demantuan thënien e “Babait së kombit” (D.Qosiq), se “Serbia gjithëherë ka fituar në luftë, por ka humbur në paqe”, ashtu që Qosiqi me kompaninë e tij të AShAS-së “ta kthejnë qyrkun” mbrapësht dhe të përpiqen që atë që kanë humbur në luftë, ta kthejnë në kohë paqe?! Tash në Memorandumin 2 ua ka përshtatur metodat, format dhe mënyrën e veprimit për realizimin e qëllimeve të njëjta, në kushte të reja, duke zhvilluar luftë speciale për të dëmtuar interesat e fqinjëve. Jo vetëm organet politike, shtetërore, diplomatike e kishtare, veçse për relizimin e qëlimeve duhet të formohen edhe shërbime sekrete për veprim, sikur MOSAD-i i Izraelit, duke rekrutuar në to protagonistë e kriminelë të luftës, në bashkëpunim me shtabe të ndryshme të organizatave fashiste e të partive politike radikale të cilat veprojnë me qendra në Serbi.  Në vija të përgjithshme, Memorandumi 2, ka përcaktuar këto veprime me të cilat synon të arrijë efektet dhe qëllimet:

me bllokada, obstruksione e marifete të ndryshme alla-serbe, vendet fqinje të dobësohen ekonomikisht;

të heqin dorë shtetet fqinje: Kroacia, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova nga paditë e ngritura apo të pretenduara në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Serbisë;

të provokohen paknaqësi, protesta, blokada e demostrata në vendet e rajonit;

Serbia të orientohet politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht kah Kina;

të themelohet bashkësia panserbe për të gjithë serbët në rajon dhe në diasporë;

të minimizohet përgjegjësia e Serbisë për krimet dhe shkatërrimet e kryera gjatë luftërave, duke ngritur akuza, fletarreste ndërkombëtare dhe procese gjyqësore kundër qytetarëve të  Bosnje-Hercegovinës, të Kroacisë dhe të Kosovës;

të shmanget vëmendja e mediave rajonale e ndërkombëtare nga proceset e gjykimeve të kryera në Tribunalin e Hagës kundër kreut shtetëror, ushtarak dhe policor të Serbisë;

me aksione pendese, të vihet Serbia në pozitë të njëjtë të vikktimës sikur shtetet fqinje të dëmtuara nga lufta;

të insistohet në mbylljen e Tribunalit të Hagës, ashtu që gjykimi i Ratko Mlladiqit të zhvillohet në gjykatat e vendit;

të destabilizohen qeveritë e vendeve fqinje, të provokohen paknaqësi e tollovi brenda tyre, ashtu që të dobësohet tehu i akuzave të tyre kundër Serbisë;

të ndihmohet shkëputja e Republikës  Serbe (të Bosnjes);

të insistohet në fitimin e statusit të popullit konstitutiv të serbëve në Kroaci,  në Mal të Zi dhe në Kosovë;

të pengohet ndarja e Vojvodinës dhe rajonizimi i Serbisë si dhe të dobësohet veprimi i Bashkësisë Islame të Sanxhakut.

Tollovitë klero-fashiste serbe në Republikën e Malit të Zi

 

Të gjitha këto ngjarje që aktualisht po zhvillohen në Republikën e Malit të Zi janë në frymën e përcaktimeve të theksuara më sipër të Memorandumit 2, për ta destabilizuar dhunshëm, duke rrezikuar paqen, sundimin e ligjit, barazinë e qytetarëve e të bashkësive fetare, madje edhe integritetin territorial të “Spartës Serbe”, siç e quajnë ata Malin e Zi. Këtë herë, sipas skenarit nga Beogradi dhe Moska, rolin destabilizuesit të Malit Zi e ka marrë Kisha Ortodokse Serbe, si leva më e pështatshme për veprim, gjoja me karakter fetar e kishtar, jo politik. Si pretekst për trazira ishte miratimi i Ligjit për Liritë dhe Bashkësitë  Fetare në Mal të Zi, që u përgatit në bashkëpunim me Komisionin e Venecias.  Ligji u miratua më 27 dhjetor 2019, në një atmosferë tentimi të grushshtetit. Një ditë para miratimit të atij Ligji, dy deputetë prorus e proserb të Parlamentit të Malit të Zi, funksionarë të Frontit Demokratik  (Andrea Mandiq dhe Millan Knezheviq), u takuan në Beograd me shefin e KOS, Irinej, prej të cilit morën bekimin, udhëzimet dhe përkrahjen (jo vetëm morale) për veprim. Këta dhe e filluan incidentin dhe kaosin në Parlament ditën e miratimit të Ligjit, për të vazhduar pastaj jashtë Parlamentit me protesta, bllokim rrugësh e institucionesh, manifestime “fetare” dhe me deklarata kërcënuese për luftë qytetare.

Mali Zi, pas më se një shekulli u nda nga okupimi serb më 21 maj 2006 dhe mori rrugën e vet të konsolidimit të shtetit të pavarur e sovran, që arriti edhe të bëhet anëtare e NATO-s, dhe kandidat  për anëtare të Bashkimit Europian. Ky orientim properendimor i Malit të Zi është në kundërshtim me interesat strategjike ruso-serbe. Prandaj edhe në tetor të vitit 2016, u tentua por dështoi një grushtshtet i organizuar nga shërbimet ruso-serbe. Këto ngjarje të tashme, me ikonografi kishtare, janë tentimi i dytë për rrëzimin e pushtetit në Mal të Zi. Dhe këtë qëllim haptas e ka thënë mitropoliti Amfillohije Radoviq, përndryshe i njohur si përkrahës  i kriminelëve Radovan Karaxhiqit, Arkanit e Mlladiqit, në krimet e tyre të kryera në Bosnje. Në protestat e dhunshme që u zhvllluan pas miratimit të Ligjit të kontestuar, mitropoliti u shpreh i kënaqur me agresivitetin e protestuesve, duke thënë: “Këto ditë po shoh rilindjen e popullit; populli i Malit të Zi ka qenë pjesa më e pafe e popullit serb, që tash po rilind në rrugën e Zotit dhe në këtë rrugë do ta rrëzojmë ligjin dhe pushtetin i cili e ka miratuar atë ligj”. Por nuk e arriti as rrëzimin e Ligjit as të pushtetit, sepse nuk e gëzoi përkrahjen e shumicës së popullit me orientim properëndimor. Përndryshe, në popullsinë e Malit të Zi prej 620.000 banorësh, si serbë janë të regjistruar afro 28%, dhe me përkrahjen e madhe të Serbisë e Rusisë, kjo është një masë e mjaftueshme për ta destabilizuar shtetin në çdo kohë.  Dhe, derisa zgjedhjet e përgjithshme në Serbi do të mbahën më 14 qershor 2020, regjimi i Serbisë është  shumë iinteresuar që jashtë oborrit të vet të shkaktojë trazira e t’ua tërheq vëmendjen opozitës dhe popullit të vet për gjoja rrezikimin e popullit serb në shtetet fqinje. Mediat serbe gëlojnë me informata e skena nga trazirat, duke e satanizuar regjimin e Malit të Zi, gjoja se  po ua shkelë të drejtën e besimit dhe të pronës  besimtarëve dhe KOS. Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e anuloi vizitën në Plevle, të ciën e kishte caktuar ta festojë Natën e Buzmit (të bozhiqeve) me serbët e atjeshëm, por iu premtoi atyre se do t’i ndihmojë dhjetëfish më tepër! Sekretari shtetëror i kryetarit të Republikës së Serbisë, Nikolla Sellakoviq për Malin e Zi thotë se është shtet klasik serb!

Vuçiqi e Daçiqi, në stilin e retorikës prej kohës kur ishin, i pari ministër i informatave, ndërsa i dyti portparoll në regjimin e Millosheviqit, flasin për shkeljen e të drejtave serbëve kudo që ata jetojnë në shtetet fqinje dhe për obligimin e shtetit të Serbisë për mbrojtjen e tyre. Daçiqi publikisht u është kërcënuar malazezëve të cilët jetojnë në Serbi, duke thënë: “Atyre malazezëve që jetojnë në Serbi, e që përkrahin regjimin e Gjukanoviqit, t’iu heqet shtetësia e Serbisë dhe t’iu vehet shiriti i verdhë, sikur hebrejve në kohën e regjimit të Nediqit, gjatë Luftës së Dytë Botërore”! Veçsa nuk tha se edhe duhet t’i grumbullojnë në kampe përqëndrimi dhe t’i djegin në dhoma me gaz! Vuçiqi një talent për hipokrizi, në manirin e tij të retorikës cinike e vetëlavdëruese, nga një anë thotë se nuk përzihet në punët e brendshme të Malit të Zi, e nga ana tjetër lamenton për gjendjen e rëndë të popullit serb atje, të cilin duhet mbrojtur, sikur që duhet mbrojtur edhe pasurinë e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Vuçiqi, si kryetar i shtetit laik, për gjithçka shkon e konsultohet me patriarkun Irinej. Pas takimit dhe konsultimit me patriarkun  përkitazi me situatën në Mal të Zi (20 maj 2020), kryetari Vuçiq deklaroi: “Nuk do të lejojmë shkëputjen e indit kombëtar të popullit serb. Kemi vendosur t’i  ndihmojmë me shuma të mëdha parashë të gjitha organizatat e serbëve në Mal të Zi, në mënyrë që ta ruajnë identitetin e popullit tonë. Ne do të jemi me popullin tonë dhe nuk do të ketë më “Stuhi” dhe përndjekje të popullit serb në hapësirën e Ballkanit”! Patriarku Irinej tha se “Gjendja e popullit serb në Mal të Zi është më e rëndë se kurrë më përpara në histori. Kjo që po ndodhë në Mal të Zi, nuk ka ndodhur as nën Perandorinë Osmane. Qëllimi është të përndiqet populli serb, sikur në kohën e ustashëve në Kroaci, dhe të grabitet pasuria e KOS. Gjukanoviqi që është një ateist dhe as nuk është i pagëzuar (në kishë), po do të themelojë kishën e vet të pavarur, gjë që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e krishtënizmit”!

Ministri i punëve të jashtme të Malit Zi, Srgjan Damjanoviq, në një brifing me ambasadorët e vendeve të BE-së dhe të NATO-s (18 maj 2020), fajin për trazira  ia adresoi Serbisë, e cila po përzihet në punët e brendshme, për ta destabilizuar Malin e Zi.

Një Grup i intelektualëve nga të gjitha rajonet e ish-Jugosllavisë e ka gjykuar Beogradin se po e rrezikon paqen në Mal të Zi dhe në rajon dhe ka bërë apel që bashkësia ndërkombëtare ta gjykojë Beogradin për destabilizimin e dhunshëm, rrezikimin e paqes, integritetit territorial, rendit kushtetues, sundimit të ligjit dhe të drejtave të barabarta të qytetarëve, të kishave dhe të bashkësive fetare të Malit të Zi.

Stejtdepartmenti amerikan (18 maj 2020) bëri apel që të dy palët të zhvillojnë dialog konstruktiv dhe të përmbahën nga çfarëdo aksioni që rritë tensionet e dhunën. Ndërkaq, Moska e akuzon Washingtonin dhe Podgoricën për eskalimin e tensioneve rreth KOS në Mal të Zi, sepse politikën ruse e pengon orientimi properëndimor, sidomos anëtarësimi i Malit të Zi në NATO. Ditë më parë (27 prill 2020), në një seminar me studentët e Fakultetit të Marrëdhënieve Ndërkomb[tare, në Moskë, ministri Lavrov  tha se “marrëdhëniet tradicionalisht të mira midis Rusisë e Malit të Zi do të ripërtrihen sapo të hiqet nga skena politike udhëheqja aktuale atje”.  Kjo deklaratë e Lavrovit dëshmon katërcipërisht se ngjarjet që po zhvillohen në Mal të Zi, me ikonografi kishtare, kanë për qëllim ta rrëzojnë pushtetin aktual atje.  Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Marija Zaharova në një konferencë për media në Moskë (21 maj 2020), tha se ShBA-të po duan të fusin përçarje midis pravosllavëve dhe të shkatërrojnë tërëninë e hapësirës shpirtërore në Ballkan.

Serbia vështirë e pranon pavarësinë e Malit të Zi. Ajo akoma mendon se pavarësimi i Malit të Zi është i përkohëshëm dhe se nuk është kohë e largët kur do ta kthejë përsëri në gjirin e Serbisë, sikur e ka bërë në vitin 1918. Me pavarësimin dhe anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën Veriatlantike, Serbisë i është mbyllur dalja në det. Prandaj e ka vështirë ta durojë këtë gjendje.  Angazhimi i kishës ortodokse në çështjet politike e shtetërore, u pa edhe në rastin e  Ukrainës, që i parapriu aneksimit rus të Krimesë (2014).

Ne shqiptarët nuk kemi asnjë arsye për ndonjë simpati ndaj regjimit të Gjukanoviqit, i cili në kohën represionit dhe agresionit serb kundër Kosovës, ishte përkrahës i flakët i Millosheviqit dhe shumë agresiv kundër kërkesave të drejta të shqiptarëve. Natyrisht, ne nuk e harrojmë as historinë e mizorive të gjitha regjimeve malazeze kundër shqiptarëve gjatë Luftës Ballkanike, madje edhe para saj, pas Konferencës së Bërlinit, kur Mali Zi, me ndihmën e Rusisë e të fuqive tjera të Europës i pushtoi dhe aneksoi tokat shqiptare. Por, në këtë rast, të agresivitetit klerofashist serbo-rus, duhet te jemi në anën e të drejtës së shtetit të Malit të Zi, për kapacitet dhe stabilitet të plotë të shtetit të pavarur dhe sovran,  duke përfshirë edhe kishën e vet të pavarur nga kisha serbe dhe nga ndikimi i politikës së Beogradit e të Moskës.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …