Murat Kadriaj, pararojë e udhëkryqeve të lirisë

Murat Kadriaj, pararojë e udhëkryqeve të lirisë

Urtësitë e mendjeve të ndritura na mësojnë që për të thurur vargje apo ndonjë prozë me vlerë që i qëndron kohës është një moment që quhet muzë, pra duhet të vijë një pikë emocionale, ose një pikë zero, kur shpërthejnë emocionet, dhimbjet, padrejtësitë e grumbulluara nga rutina ditore, e duke mos kursyer asgjë për këtë liri, e cila erdhi pas katrahurës së rëndë që e përjetuam ne gjeneratat e viteve të ‘90-ta, e cila sikur na iku ca nga kujtesa.

E për koincidencë, për çdo sakrificë bëjmë pyetje dhe gjykime bajate se çfarë bëri ai e çfarë bëri ky, pastaj se askush nuk i ka detyruar me dhunë, duke e kontestuar çdo sakrificë, e për disa sikur nuk mjafton kjo, duke e barazuar luftën çlirimtare me krimet serbe.

Por, me gjithë peripecitë dhe sakrificat e pasluftës, fundi i dekadës së parë rezultoi me pavarësi dhe me konsolidim institucional, pa përjashtuar edhe ndonjë abuzim, pastaj u krijuan kushtet për një jetë të dinjitetshme për faktin që tani kemi infrastrukturë ligjore dhe teknike për ta zhvilluar jetën tonë si qytetarë.

Derisa në fillim e theksova që njeriu duhet ta ketë një motiv a një moment që e shtyn t’i thurë dy fjalë, apo t’i shkruajë dy rreshta, duke e shoqëruar pse-ja që të shkruajë, uroj që të përgjigjem gjatë shkrimit.

21 vjet pas çlirimit dhe mbi 10 vjet shtet sikur nuk ishim të kënaqur me asgjë, edhe pse cilësia e jetës ndryshoi për të mirë, meqë në çdo fshat u përmirësua infrastruktura rrugore, shërbimi i internetit, shërbimi i menaxhimit të mbeturinave, shërbimi elektrik, pra një jetë që nuk dallon fare nga jeta e qytetit, madje për dallim në fshatra ambienti dhe uji është përparësi, por në gjuhën e shumëkujt kryefjalë ishte ankesa sikur nuk ka asgjë në këtë vend dhe mjaftoi që të bëhet lajm një pandemi (e njohur si COVID-19), që ne të ngujohemi, duke vendnumëruar pothuajse në çdo fushë të jetës.

Pandemia është shkaktari, por jo edhe dhimbja për të shkruar për një shembull, e për t’i thirrur mendjes që me ankesën tonë t’i bëjmë padrejtësi vetvetes, por kupola e padrejtësisë arrihet duke hyrë në mëkat me kategorinë më të ndjeshme, njëherësh atë më të artën e vendit, pra me dëshmorët dhe heronjtë e kombit tonë, derisa ekstremi e arriti zenitin kur fitoren e një subjekti e cilësojnë si “çlirim”, duke e përbuzur vetëflijimin e dëshmorëve.

Me një lule nuk çel pranvera, por gjithmonë është një lule e parë që u prin shoqeve, të cilat me koloritin e tyre i dhurojnë jetë natyrës që na rrethon dhe nga lufta e fundit për çlirim nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u këputën shumë lule për t’i dhuruar aromë lirisë, e kurorës së lirisë iu bashkua edhe Murat Kadriaj, i cili me rënien tij i dha nder lagjes dhe mbiemrit Kadriaj, sikur edhe gjithë kombit shqiptar.

Të mençurit na kujtonin që emrin e bën të bukur njeriu me veprat e tij, prandaj i tillë ishte edhe dëshmori Murat Kadriaj, te cili çdo shkronjë e kishte një kuptim në vete:

M – maturia,

U – urtësia,

R – rilindja,

A – atdhedashuria,

T – trimëria.

Këto veti e mishëruan në ADN-në e emrit të tij.

Vitet e ‘90-ta ishin vitet më të zymta, më poshtëruese e më nëpërkëmbëse për popullit shqiptar në Kosovë nga presioni i ish-Jugosllavisë së mbetur, e cila me politikën dhe makinerinë e saj provonte ta tjetërsonte një popull në fund të shekullit XX, edhe atë në gjirin e Evropës.

Në ndaljen e këtij presioni politiko-ushtarak nga Beogradi zyrtar, shtresa intelektuale në Kosovë mori guximin për një rezistencë paqësore nën ombrellën e LDK-së, duke bërë rezistencë paqësore dhe me organizimin e arsimit paralel, me qëllim që çështja dhe problemi i Kosovës të ngrihen në instancat më të larta botërore, me gjithë presionin nga Beogradi.

Por, koha tregoi që Beogradi zyrtar dha prova që nuk e njeh gjuhën e dialogut, gjë që as tani nuk ka ndryshuar, prandaj na imponoi që të rezistojmë me metodën më të dhimbshme, por pa alternativë, në ngritjen e ndërgjegjes ndërkombëtare, pra me rezistencë ushtarake nën emblemën e artë të UÇK-së dhe këtij zëri për liri si shumë liridashës iu përgjigj edhe pararoja e udhëkryqeve të lirisë, Murat Kadriaj.

Si i ri në moshë, ishte hera e parë që e shihja një ushtar të UÇK-së se si i bën roje Atdheut. Murat Kadriaj bënte rojë në udhëkryqin e rrugëve nën lagje, ku tani qëndron lapidari në granit dhe valon flamuri kuq e zi. Ai sodiste rrugët me syrin e shqiponjës. Dhe ishte një ndjenjë emocionale për faktin që një ushtar me emblemën dhe qëndrimin e tij e kishte gatishmërinë për flijim, duke e ofruar ngrohtësinë që të dhuron liria.

Nuk jam fare kompetent të flas për aktivitetin e tij ushtarak, as nga ana profesionale, e as nga mosha, por njëherësh u hyj në hak bashkëluftëtarëve dhe eprorëve te Muratit, por mund të them se ashtu siç ishte në udhëkryq liria e Kosovës, i gjithë aktiviteti i Muratit u personifikua me udhëkryqe, duke filluar me roje nën lagje dhe si bartës i postës ushtarake, deri në udhëkryqin e malësisë mbi Budakovë, kur liria u ujit edhe me gjakun e tij, më 25 maj 1999.

Rënia e Muratit ishte humbje dhe dhimbje e madhe, së pari për familjen, për shokët ushtarë, për bashkëvendësit, por më e madhe ishte krenaria për të, sepse përjetësia e tij ishte liria që priste agimin që të rrezatojë.

Përjetësia e Muratit i tronditi shokët dhe vëllezërit, e tronditi nënën e tij, por mbi të gjitha ua këputi buzëqeshjen gruas dhe vajzës së tij për t’i dhënë buzëqeshje Atdheut.

Pra, kjo ishte shtytja pse me bëri t’i shkruaj këta rreshta, ngase ky emocion ndoshta nuk zgjat një minutë, ndoshta as një sekondë, por ta ndalë frymën dhe loti ta tradhton syrin. Është ky një moment që na bën të turpërohemi nga ankesat tona banale. Pse nuk ndalemi një minutë e të mendojmë për padrejtësitë që po ua bëjmë dëshmorëve, familjeve dhe fëmijëve të tyre, pasi këtë liri që e gëzojmë ata nuk kishin fat ta gëzonin. Prandaj, familjet dhe fëmijët e tyre jetojnë me zemër të këputur dhe do t’u mjaftonte sikur t’i shihnin të gjallë vetëm për një moment djemtë, burrat dhe prindërit e tyre, t’ua dëgjonin vetëm një fjalë, meqë nga gjaku i tyre sot lulëzon jeta dhe ne jemi pjesë e shumë shteteve të botës mbarë.

Meqë dëshmorët përjetësohen për kauza të mëdha, edhe kujtimi dhe krenaria për ta është në përmasa kombëtare, por njëherësh jeta dhe shkenca na mësojnë që nga pyetjet t’i mësojmë përgjigjet, prandaj a kemi të drejtë të ankohemi para nënës, para vëllezërve e motrave, para bashkëshortes dhe vajzës së Muratit dhe të dhjetëra e qindra dëshmorëve që e ujitën tokën me gjakun e tyre, vetëm e vetëm që sot të lulëzojë liria. Para se të jem kritik, dua të jem vetëkritik, sepse sfidat dhe jeta në momente të caktuara na bën sikur e gjithë bota është mbi ne dhe të habitur nga jeta kalojmë si pa e vënë re lapidarin e Muratit, duke i dëgjuar kërkesat astronomike të fëmijëve dhe pa e harruar krekosjen time për renditjen e diplomave dhe punën duke ia dedikuar vetvetes. Ah, sa më vjen keq që turpin e gëlltitim pa i kujtuar së paku nga një minutë me kujtimin se nga erdhëm dhe se ajo pikë e ka fillimin e vulosur me pikën e gjakut të dëshmorit Murat Kadriaj.

Lexues të dashur,

Duke ju kërkuar falje për çdo lëshim teknik dhe emocional, do ta pranoj çdo kritikë dhe vërejtje, por e kam një lutje që para se të ankohemi, t’i mendojmë zemrat e thyera dhe lotët e familjeve dhe të fëmijëve të dëshmorëve të kombit, që duke ndarë dhimbjen ta përmirësojmë ndërgjegjen dhe të marrim energji për punë të mira për vendin.

Murat Kadriaj, krenaria e mbiemrit tonë, ne të vdekurit që po ecim, jeta po na ligështon dhe po ankohemi pak me vend, e më shumë pa vend. Ju kërkojmë falje, na falni, sepse derisa ia falët jetën Atdheut, besojmë se do të na falni, me shpresë që do ndërgjegjësohemi, nëse jo ne, atëherë pasardhësit tanë që lindën dhe po rriten në liri dhe në Kosovën e pavarur.

Përjetësisht nderim dhe respekt për dëshmorin e udhëkryqeve të lirisë, Murat Kadriaj!

Autori, Mustafë Kadriaj, është profesor në Kolegjin Biznesi

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …