Ermira Babamusta: Aktori Vildan Maksuti merr hapat e para të karrierës në Amerikë

Ermira Babamusta: Aktori Vildan Maksuti merr hapat e para të karrierës në Amerikë

Vildan Maksuti është aktor, model, skenarist dhe regjizor i dramave teatrale. Ai është aktor i njohur nga Kumanova që jeton dhe vepron në Belgjikë. Edhe pse tepër i ri, ai ka një karrierë dhe jetë të pasur artistike dhe është një ndër artistët me famë që ka prekur skenat europiane përkrah emrave të njohur të artit. Nëpërmjet karrierës së tij artistike dhe humanitare, ka shërbyer si ambasador i kulturës dhe vlerave shqiptare në Europë. Ai krenohet të përcjellë vlerat e kombit shqiptar në mbarë botën.

“Jam krenar që jam shqiptar nga Maqedonia. Nëpërmjet artit dhe kulturës mund të përcjell vlerat e kombit tim në mbarë botën. Nëna ime gjithmonë më ka folur në shqip edhe pse kemi shumë vite në Belgjikë dhe në shtëpi akoma flasim në gjuhën shqipe. I jam mirënjohës shtetit të Belgjikës që na priti me krahë hapur dhe na ka mirëpritur si vendas. Bashkë me motrën time, Xhen Maksuti patëm mundësinë të bashkëpunojmë Belgjikë-Maqedoni për projektin e mirënjohur edukativo-kulturor të BE-së “Erasmus +”, i cili i dha mundësi shkollave shqipe të jenë pjesë e programeve europiane,” tha Vildan Maksuti.

Vildan Maksuti për herë të parë doli para kamerës në Europë në vitin 2005 për reklamën e Interpolis Glashelder (Hollandë), e cila u shfaq në National Geographic.

Karriera e tij prej aktori profesionist nisi menjëherë pas diplomimit nga Akademia e Arteve në Bruzh, Belgjikë (L’Academie des Beux Arts) në 2008 me sukses të shkëlqyer si student i dalluar. Profesorët e Vildanit gjithmonë kanë folur për të si një aktor të talentuar dhe me perspektivë. Fillimisht ai mer pjesë në shfaqe teatrale organizuar nga Akademia e Arteve në Belgjikë.

 “Dua ta sfidoj veten duke provuar role të ndryshme si në aksion, komedi, dramë ose film romantik. Aktrimi është pasioni im që nisi kur isha vetëm 6 vjeç kur babi më çoi për herë të parë në një shfaqe teatrale në Kumanovë. Dhe aty u dashurova me artin dhe aktrimin,” tha aktori Vildan Maksuti.

Vildan Maksuti e nisi karrierën e tij të aktrimit në moshën 16 vjeçare me produksionin e famshëm amerikan Bigfoot Entertainment me filmin “The Curiosity of Chance” (Kurioziteti i Shansit). Me regjizor Russell P. Marleau, Nominuar për çmimin prestigjioz Emmy. Filmi fitoi 4 çmime si “Filmi më i mirë” dhe “Regjizori më i mirë” në festivale ndërkombëtare.

 Aktori, paraqitet edhe në serialin e famshëm televiziv “The White Queen” (Mbretëresha e Bardhë) me aktor kryesor yllin anglez Max Irons. Me produksion të BBC, kjo dramë historike është nominuar me 3 Golden Globes, Emmy dhe ‘People’s Choice Awards’.

Në 2013 Vildan Maksuti kreu studimet për aktrim tek Fakulteti i Arteve Dramatike në Shkup, Maqedoni nën kujdesit e profesorit Vladimir Milcin.

Vildan Maksuti është një yll filmi ku shtypi ndërkombëtar shkruan për suksesin e tij në Evropë. Vildani ka luajtur një rol të shkurtër në filmin e njohur “Dossier K” me regjizor Jan Verheyen, produksion i Eyeworks.

Më pas Vildani paraqitet në serialin e famshëm 20-vjeçar belg “Familie” (regjia Guy Thys dhe JP Van Steertegem, 2010). Vildani luan rolin “Ksander”, një djalosh 20 vjeçar që futet në botën e krimit. Ndërsa në serialin tjetër famoz “Vermist” (regji Jan Verheyen, Eyworks, 2011) Vildan Maksuti luan rolin e “Martin” në këtë dramë aksion me polici.

Ai luan rolin kryesor në filmin “Blue Rorschach” (regji Charles Bockaert, 2013). Ky film është një dramë, që tregon problemet familjare mes dy vëllezërve. Vildani luan rolin e një nga vëllezërve “Niko”.

 Në serialin “Verboden Liefde” (regji Wendi Montellano, 2014) Vildan Maksuti luan rolin kryesor “Gio”, një djalë Italian që dashurohet me një vajzë belge dhe duhet të fitojë zemrën e saj.

 Në serialin e famshëm belg “De Ridder” (regji Eric Taelman, 2016) Vildan Maksuti luan rolin kryesor në sezonin 4 në rolin e “Artan Malaj”. “De Ridder” është një dramë aksion me investigime policore. Në këtë film mamaja e Vildan Maksutit, Ramize Maksuti, shfaqet në rolin e “Mamasë”. Vildan dhe Ramize Maksuti ishin dy yjet e ftuara në tapetin e kuq të festivalit të filmit në Belgjikë “Film Festival Oostende”.

 “Në serialin De Ridder ku luaj rolin kryesor kemi filmuar për 3 muaj në Belgjikë. Kjo dramë aksion nga produksioni Eyeworks është mjaft interesante sepse ndryshe nga serialet e para, në këtë sezon storja është në vazhdimësi. Unë luaj rolin e një djali shqiptar Artan Malaj, tepër inteligjent por që fajësohet për krime që ai nuk i ka bërë. Dhe e vërteta nxirret në pah,” rrëfen Vildan Maksuti.

 Vildan Maksuti është regjizor i shfaqes teatrale “Të Mos Bëhet Vonë” (2013) një dramë komedi që u performua në shumë qytete në Maqedoni. Në bashkëpunim me Departamentin e Policisë së Kumanovës dhe Teatrin Kombëtar të Kumanovës ky produksion teatral pati për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit kundra dhunës në familje, si dhe të fuqizojë vazjat, femrat dhe fëmijët të denoncojnë dhunën. Gjithashtu është regjizor i shfaqes teatrale “24 Lies In a Dream” në Belgjikë.

Në 2014 u zgjodh si aktori kryesor në videoklipin e famshëm “Light It Up” (me 4.5 milion shikime ne Youtube) të Dj. Antoine, i cili ka bashëpunuar me yjet e muzikës si JLO, Akon, Mark Anthony, Pitbull, etj.

 Në 2016 u ftua si një nga Vipat në Albanian Fashion Week në New York që do zhvillohet me 25-30 mars në Manhattan. Vildani do jetë një nga yjet e Tapetit të Kuq në natën e madhe të Albanian Fashion Show që do zhvillohet me 27 Mars 2016. Java e Modës Shqiptare në New York është organizuar nga Mrika Krasniqi, themeluese e Agjencisë së Modës Shqiptare në New York dhe Nil Production.

 “Jam shumë i lumtur që karriera ime po mer një drejtim të ri me udhëtimin në New York. Kam shkruar disa skenare dhe dëshiroj së shpejti të sjell filmat e mi për publikun. Falenderoj Mrika Krasniqin për ftesën në eventin madhështor Albanian Fashion Week NY. Do jetë një natë e paharruar me modën më të mirë shqiptare dhe të huaj,” tregon modeli, aktori dhe skenaristi Vildan Maksuti. Gjithashtu  ai do jetë pjesë e videoklipit të Mbretit të muzikës Pop Rock, Matteo Brento, për këngën #21 (Goodbye My Love) / (Lamtumirë Dashuria Ime). Ylli i X-Factor Albania Matteo Brento do xhirojë videoklipin në New York, ku Vildan Maksuti do jetë një nga aktorët që do shfaqet në këtë videoklip.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …