RKL

RKL: Kuptohet pezmatimi i Vetëvendosjes, por jo sikleti i PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës, e cila u radhit e treta në rezultatin e Zgjedhjeve  të përgjithshme të 6 Tetorit, nuk po arrin ta marrë vetën dhe të mobilizohet për zgjedhjet e ardhshme, të rregullta apo të jashtëzakonshme.

Kjo parti, që kishte fituar disa herë shumicën e votave, tani ka vendosur të mësohet të bëjë opozitën, por i mungojnë idetë serioze për një opozitë të mirëfilltë, apo për një ringritje.

Në deklarimet e zyrtarëve të kësaj partie, vërehet mllefi në vetvete, por jo edhe gatishmëria për një “katarsis” të mirëfilltë, shërues e të shëndetshëm,  vërehet arroganca e njëjtë me Vetëvendosjen kur ishte në opozitë, por jo gatishmëria për të vepruar sikur kishte vepruar e protestuar dhe proteston,  Vetëvendosja.

PDK-ja kurrë nuk ka protestuar, as di si të protestohet, sepse gjithnjë ka qenë në pushtet, apo pjesë e pushtetit.

Deklaratat e disa zyrtarëve se PDK-ja nuk merr pjesë në asnjë qeveri,  të cilën  nuk e udhëheqë vetë, dhe nuk e voton Qeverinë e ardhshme janë sa naive, po aq edhe  bien  ndesh me programin dhe veprimin e partisë, për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike në vend, ashtu sikur edhe ka bashkëpunuar, përveç me Vetëvendosjen, me të cilën edhe do të kishte bashkëpunuar por është kjo e fundit, e cila është zotuar dhe e mbanë zotimin për të mos bashkëpunuar me të, sepse PDK-në nuk e konsideron forcë kundërshtare, as rivale politike,   por thjesht  parti armiqësore.

PDK-ja është hidhëruar në vetvete dhe ka vendosur ta ndëshkojë vetveten, të paktën me deklarime publike. Nuk është  aspak serioz deklarimi se PDK-ja nuk merr pjesë në asnjë qeveri,  të  cilën nuk e udhëheqë vetë. Ky qëndrim është analog me sportistin  që bën “hopa”, para se të kërcejë. Kjo do të thotë edhe  paralajmërim për abstenim dhe pritje mos po pikë pushteti nga qielli.

Mungesa e perceptimit real të politikës, në kohë dhe hapësirë, në akord me zhvillimet ditë pas dite, mungesa e krijimit të një strategjie të mirëfilltë vepruese, mungesa e disponimit për t’ u përballuar me realitetin edhe kur nuk të pëlqen, mungesa e këshillimit me kuadro që janë dëshmuar për invencion, parashikim dhe organizim të mirëfilltë, bën që kjo parti, në vend se të hapet dhe të kërkojë afri e bashkëpunim me të tjerët, ajo po  mbyllet në vete, duke  rrahë gjoks, dhe duke u treguar prepotente e mujshare, por pa forcën që e bën fuqinë.

PDK-ja po pretendon të tregohet si forcë e madhe, që nuk është më, dhe,  e ka shumë vështirë të ngrihet, sepse rënien e ka shkaktuar nga brenda, nga keqqeverisja, nga lufta  e grupeve përbrenda, nga ndarjet  e përçarjet e brendshme, të cilat janë të pranishme edhe brenda partive të tjera, por jo në nivelin që manifestohen brenda PDK-së.  Me një strukturë politike ku përjashtohen kuadrot e dëshmuar dhe kontribut dhënës në parti, dhe pranohen e katapultohen madje edhe kundërshtarë, sharës e përbuzës të fortë të deridjeshëm, me keqtrajtimin dhe abuzimin e disa vlerave të luftës dhe propagandimin për mbrojtjen e tyre, me deklarata pompoze, gati gjithnjë pa mbulesë reale, nuk ecet para.

Do të ishte fitore e madhe nëse me këtë strukturë organizative që e  ka aktualisht PDK-ja  të qëndronte në vendin e tretë. Ajo do ta ketë shumë vështirë të bëhet pjesë e një qeverie të ardhme me Vetëvendosjen dhe  LDK-në, përderisa kundërshton edhe partitë motra, AAK-në dhe Nismën.

PDK-ja aktualisht është e vetmuar dhe për këtë vetmi nuk i ka faj askush, më se paku i kanë faj AAK-ja dhe Nisma. Tellallët, mund të krekosen, por nuk ia mbushin mendjes as vetvetes e lërë më të tjerëve.

Është vështirë të bindet opinioni se po të kishte kërkuar LDK-ja bashkëqeverisje me PDK-në, kjo nuk do të kishte pranuar një ofertë të tillë, dhe krejt kjo na kthen në rrëfimin e dhelprës për rrushin e thartë.  Ishte vetë PDK-ja që njëanshëm, prishi koalicionin me LDK-në dhe ky tani është tagri që duhet të paguhet, të njëjtin tagër po e paguan me një çmim shumë më të lartë edhe Vetëvendosja, e cila prishi koalicionin e arritur me mund, për shkak të një “zhagi” të një ministri të LDK-së.

Sikleti i PDK-së, nuk është i njëjtë me sikletin e  vetëvendosjes, e cila ka arsye të jetë e sikletosur, pse jo edhe e xhindosur, sepse fitoren e varrosi vetë, për shkak të kapriciozitetit, arrogancës, mujsharisë politike dhe disa “jeniçerëve” që e shkatërruan përbrenda,  njëjtë me virusin korona. Këta jeniçerë, me ta marrë qeverisjen filluan hakmarrjen, paralajmëruan, “tërheqjen zhagas” të kundërshtarëve, filluan të paralajmërojë gjakderdhje e luftë vëllavrasëse  si trimi më trimi, Agim Bahtiri, akuzuan UÇK-së si forcë kriminale, u krekosen ke kemi qeveri pa kriminelë të UÇK-së. Jo pak të tjerë që tani kërcënojnë jo vetëm kryetarin, Hashim Thaçi, të cilin e urrejnë më shumë se Vuçiqin, por të gjithë të tjerët që nuk janë “popull politik, revolucionar i Vetëvendosjes”.

Pjesa tjetër e popullit votues, që arrin gati 80 për qind, sipas jeniçerëve brenda vetëvendosjes është masë inerte, e pavlerë, pa merita për qeverisje të mirë e të drejtë.  Jo rastësisht krye jeniçeri, voluntari i vonuar i Vetëvendosjes, Veton Surroi,  kishte deklaruar se krejt masa e popullit që e ka votuar PDK-në, Hashim Thaçin apo krerët e luftës është  kriminale sepse është pajtuar me krimin. Kjo mendësi, raciste, fashiste, antikombëtare, pse jo edhe antinjerëzore është përhapur si virus korona,  brenda një shtrese mjaft të madhe të Vetëvendosjes.

Sikleti i PDK-së, është edhe Vetëvendosja, me të cilën tani do të jetë një opozitë,  por me të nuk do të mund të merret vesh për asgjë. Janë dy forca të mëdha politike të përçara skajshëm, të cilat nuk i bëjnë dot bashkë numrat, vetëm nëse nuk ndodh edhe brenda Vetëvendosjes një “katarsis” i shëndetshëm, për të ecur për toke, për të kuptuar se edhe popullata, që i voton të gjitha partitë e tjera është popullatë politike shqiptare, dhe e komuniteteve, të cilën duhet trajtuar me respekt dhe nuk duhet urryer vetëm pse nuk ia jep votën Vetëvendosjes, me qëllim që ajo të fitojë 60 për qind dhe të shtrihet në pushtetin e përjetshëm e të paskajshëm, si në kohën e Baba Dovletit. Nuk besoj se njerëzit që mendojnë esëll dhe me kokat e veta mund të mendojnë se një dëshirë e tillë do të realizohet, me arrogancë jo se jo, ndërsa me luajtën e rolit të viktimës, sikur kishte bërë LDK-ja pas luftës, ky opsion nuk mund të përjashtohet.

Daullja bie për ata që kanë veshë, të shurdhrit nuk e dëgjojnë.

S bëhet ara me urata, por me shata e lopata!

Një kokërr e vetme nuk e mbush dot hambarin, por i ndihmon kokrrat tjera për të mbushur atë.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …