KK i Malishevës mbajti mbledhjen e tretë të rregullt për vitin 2020

KK i Malishevës mbajti mbledhjen e tretë të rregullt për vitin 2020. Mbledhjen e udhëhoqi, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Rrahim Morina, kjo mbledhje filloi në Shtëpinë e Kulturës “ Tahir Sinani” në Malishevë, për arsyet të situatës me pandeminë COVID- 19, mirëpo u zhvillua vetëm debati për pikën, jashtë rendit të ditës dhe pjesa tjetër e takimit vazhdoi në sallën e Kuvendit Komunal. Nga këshilltarët e subjekteve politike të përfaqësuara në KK të Malishevës, në pikën jashtë renditë të ditës u ngritën shumë shqetësime, si për rrugët në disa fshatra, kanalizimet, infrastrukturën shkollore, qentë endacak, deponinë e mbeturinave, çështje të sigurisë si dhe disa çështje tjera. Të gjitha këtyre kërkesave iu përgjigj, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor për vitin 2019. Ai ndër të tjera në pika përmbledhëse të raportit theksoi. Viti 2019 ishte vit i angazhimit dhe përkushtimit tim dhe të qeverisë të cilën e drejtoj në kryerjen e punëve dhe obligimeve tona karshi kërkesave të qytetarëve të komunës së Malishevës, dhe konform planifikimeve për realizimin e projekteve në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Malishevës, duke investuar në infrastrukturën e përgjithshme, infrastrukturën shkollore, sportive, ngritjen e cilësisë së shërbimeve publike, etj. Duke pasur në fokus rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe përmirësimin e performancës së shërbimeve për qytetarët, si dhe përmirësimin e shërbimeve publike, të gjitha projektet dhe planifikimet për investime kanë qenë të përgatitura duke u bazuar në kërkesat e tyre, të miratuara nga ana e Kuvendit të Komunës. Investimet kapitale edhe këtë vit janë orientuar në rregullimin e infrastrukturës së përgjithshme, bujqësi dhe infrastrukturë shkollore, pasi që këto janë prioritet e caktuara në koordinim dhe bashkëpunim të sinqertë me qytetarët dhe me përfaqësuesit e fshatrave të komunës sonë. Bazuar në arritjet dhe projektet e realizuara gjatë vitit që po lëmë pas, mund të themi se viti 2019 ka qenë një vit i suksesshëm për komunën tonë. Është shumë e rëndësishme të theksohet se edhe këtë vit kemi fituar luftën në raport me Ethet Hemorragjike Krime Kongo (EHKK), pasi ishte viti i gjashtë që nuk kemi pasur raste të vdekjeve, dhe viti i pestë që nuk kemi pasur asnjë rast të infektimit nga ky virus vdekjeprurës. E gjitha kjo është arritur falë angazhimit dhe përkushtimit maksimal të të gjitha drejtorive përkatëse në fushat e tyre të përgjegjësisë. Investimet kapitale në kuadër të përmirësimit të shërbimeve publike dhe lehtësimit të jetës së qytetarëve, si ndërtimi i rrugëve, kanalizimeve, vazhdimi i ndërtimit të sistemeve ujësjellësve, shkollave, pastaj investimet në bujqësi dhe shëndetësi, mbesin fokus i yni kryesor, dhe ne jemi angazhuar që me punën tonë ti përmbushim këto nevoja përmes investimeve të drejtpërdrejta, natyrshëm brenda mundësive buxhetore të komunës. Të gjitha këto janë të prekshme për të gjithë. Gjatë këtij viti, kemi ndërtuar 28.85 kilometra kanalizim, 27.21 kilometra rrugë, 19.76 kilometra trotuar, ndriçim publik në tetëmbëdhjetë vendbanime, pastaj janë ndërtuar 52 serra. Po ashtu janë ndërtuar edhe 7 shtëpi, bashkë me donatorë, për rastet në nevojë dhe investime tjera. Po ashtu, kemi punuar në ndërtimin e objekteve të reja shkollore. Gjatë vitit 2019, kanë përfunduar punimet në dy objekte të reja shkollore, ‟‟Afrim Buçaj‟‟ në fshatin Lladroc dhe ‟‟ Afrim Krasniqi‟‟ në fshatin Bardh. Po ashtu është filluar me ndërtimin e objekteve të reja shkollore, në Malishevë dhe Dragobil. Përqindja e tërësishme e buxhetit të shpenzuar në këtë periudhë është: 90.24%. Në kuadër të angazhimit tonë për një qeverisje transparente dhe duke i bërë qytetarët e komunës sonë pjesë të vendimmarrjes në komunë edhe këtë vit takimet me qytetarë, si në vendbanime, ashtu edhe zyrat tona, kanë qenë dhe do të vazhdojnë të mbesin një nga detyrimet dhe prioriteti i yni. Gjatë vitit të kaluar, së bashku me nënkryetarin, kemi pritur, apo jemi takuar me mbi 1100 qytetarë, si në zyrat tona, ashtu edhe në vendbanime, si dhe kemi realizuar rreth 90 takime zyrtare, si me institucione të caktuara shtetërore dhe ndërkombëtare, pastaj OJQ dhe grupet tjera të komuniteteve të caktuara shoqërore. Gjatë vitit 2019, kam marrë 634 vendime të ndryshme. Kemi pasur vizita të ndryshme, qoftë nga vendorët ashtu edhe nga ndërkombëtarët, ndërsa ka vazhduar bashkëpunimi i mirë me komunat, apo qytetet në Gjermani, Zvicër, Turqi dhe vende tjera, ndërsa këto kanë rezultuar edhe me sjelljen e disa donacioneve konkrete”, përfundoi Begaj. Në këtë mbledhje u shfuqizuan disa vendime, si dhe u mor vendim për ndarjen e parcellës, për 99 vite për projektin e një nënstacioni të trafos prej 110 kw,që pritet të investohet nga KOST, në komunën tonë. Mbledhja pritet të vazhdoi të hënën, në ora 10:00 në sallën e KK të Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …