Azgan Haklaj

Azgan Haklaj: Sofra ku gjen me bujari vetëm shqiptari

Vite më parë isha i motivuar së tepërmi që vendlindjes time, Tropojës të mund t’i ledhatoja sadopak dhimbjen.

Ka qenë një dhimbje e madhe që, siç thotë populli, edhe hasmit nuk i urohet.

Por ja që vite me rradhë pushteti u bë hasëm e shkuar hasmit për Malësinë e Gjakovës.

Nuk është as rasti dhe as objekti i këtyre radhëve situata e Tropojës asokohe.

Tropoja, jo vetëm bijtë e saj, por edhe një mysafir të rastit i mban peng malli dhe kujtimi i gjatë nëse je larg saj.

Kjo më ngjet mua dhe besoj kujtdo, një vend që çdo pëllëmbë tokë e ka të njomur me gjak për liri, që bukën e kripën, zemrën e bujarinë e ruan me fanatizëm për mikun.

E pra, pikërisht këto treva si vendlindja ime, lakmohen aq shumë nga miku e nga hasmi, një lakmi që shpesh kërkon duele në histori dhe duelet kanë pasojat e tyre.

Gjithsesi askush s’mund ta mohojë se Zoti ka qenë bujar në fertilitetin e vlerave, në shumësinë e burrave e grave të shquar në çdo fushë e në çdo kohë.

Pikërisht në Tropojë, kur Ballkani nuk njihte as kanun e as ligj shtetëror, ndodhej “miniGjykata e Kasacionit Shqiptar”, ku gjykatësit zemërmëdhenj si Binak Alia ndante pleqninë dhe Shpend Zeqir Haklaj bënte pajtimin.

Në ato troje u rritën burra të shquar si Binak Alia, Mic Sokoli e Ali Ibra, Haxhi Zeka, Col Delia, Bajram Curri,  Hasan Beg Prishtina e Tahir Sinani.

Do të duhej një libër më vete për politikanët e shquar, shkenctarët e shumtë, shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj, diplomatët e veçantë, artistët e talentuar të skenës dhe ekranit, sportistët e spikatur, gjeneralët, biznesmenët e suksesshëm nga kjo trevë e shquar e Historisë Kombëtare.

Por unë penën po jua kaloj në pajtim historianëve, shkrimtarëve që me guxim të përshkruajnë bollekun historik të Tropojës.

Të shkruash për lavdinë e vendlindjes natyrisht merr  sado pak nga lavdia e saj.

E pra nuk kisha si të mos intrigohesha e të mos përfshihesha i tëri dhe të vazhdoj të jem i përfshirë në ndjesinë e të kontribuarit, jo vetëm si njeri politik, si artist, por së pari si bimë humane e asaj toke.

Sëbashku me miqtë e mi vendosëm t’i rikthenim Tropojës kohën e kuvendeve historike, ku mblidhen nga të gjitha skajet krushqit e lirisë, krushqit e vlerave nacionale, të artit e të kulturës dhe Sofra Tropojane e ruajtur për bujtësit e shqiptarisë ku ulej kambëkryq Azem Bejta e Isa Boletini u shndërrua natyrshëm në Sofrën Dardane.

Kjo sofër, nga një projekt artistik këngësh e vallesh, vetvetiu kaloj në një tubim historik, ku bashkimi kombëtar nga një definicion i etershëm ideal përfundon në një realitet të materializuar.

Dikush mund të thotë se sofrër artistike është “Sofra Dardane”!

Po, po sofër arti, sofër buke e kripe është, por mbi të gjitha: Sofër e bashkimit, e bashkimit të shpirtrave të ndarë shqiptar.

Arti dhe kultura nuk mbajnë, mbartin e transmetojnë  veç magjinë e dëfrimit, por më së shumti magjinë e integrimit njerëzor.

Edhe Aleksandri i Madh, edhe Pirro i Epirit, Gjergj Kastrioti, (Skënderbeu) dëshmohet se para betejave të mëdha ia merrnin këngës dhe valles.

Edhe legjenda e bujshme e Tropojës dhe shqiptarisë në këngë e valle është përjetësuar, mijëra vite përpara lindjes së Patër Engjëllit e të Gjon Buzukut.

Në sofër ngrënia dhe gostia janë të papërfillshme.

Në Tropojë historikisht nga sofra jonë është mbajt mend fjala e gjykimit të mënysë, e pra mënyja e Sofrës Dardane tashmë është formëzuar, ajo përbëhet nga dy nocione, bashkim, integrim.

Vendet në Sofrën Dardane zihen me vlera dhe vendi i vlerave nuk ngelet kurrë pa Zot.

 Në Malësinë e mirë më zor’ rriten lisat e gjatë se sa burrat me zë.

Vetëm datën e ditën e organizimit të kësaj Sofre e kemi patur veshtirë për ta caktuar, se nuk ka datë e ditë të pa shënuar në vendlindjen time, por vendosëm ta shtrojmë në qershor, se pikërisht atëherë:

Valbona e qartëson blunë e veçantë të burimit të saj.

Në qershor tek burimi i saj bashkëjetojnë të katër stinët.

Atëherë zogjtë e malit e ndalojnë përkohësisht korin e këngës.

Zanat dhe shtojzovallet dalin për të kujtuar Ajkunën që vajtonte Omerin.

Lulëkuqja e Gjakovës çel mbi gjakun e Luanit, të Shkëlzenit e Tahir Sinanit.

Luleshqerrat çelin në lëndinën e Koshares mbi gjakun e Agim Ramadanit, të Sali Çekajt, Abaz Thaçit e Mujdin Aliut.

Qershori është kujtesa historike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e udhëhequr nga Iljaz Pashë Dibra, Imer Prizreni, Avdyl Frashëri e Sylejman Vokshi, ku Tropoja ka kontribut të shquar me Ali Ibrën, Col Delin, Mic Sokolin, Zmajl Hysenin e Shpend Zeqir Haklajn.

Në qershor, 110-të  vjet më parë, Tropoja u ndesh me hordhitë osmane pas kryengritjeve shqiptare që shpërthyen në Kosovë, në zonën e Karadakut, të udhëhequr nga Idriz Seferi, në zonën e Mitrovicës, të udhëhequr nga Isa Boletini, e pas luftërave të ashpra turqit kaluan në Qafë të Morinës, por u ndeshën në rezistencën e bajraqeve të Malësisë të Gjakovës, të udhëhequr nga Adullah Hoxha, Shaban Binaku, Zeqir Halili, Arif Delia, Shpend Zeqir Haklaj me të vëllanë, Groshin e të bijtë, Halil e Zenel Brahimi, Prel Tuli e djelmnisë së Dukagjinit të udhëhequr nga Mehmet Shpend e Marash Delia..

Kjo kryengritje ishte revolucioni i parë i shqiptarëve kundër xhonturqëve, i cili u pasua nga kryengritja e Malësisë madhe, e cila ishte prologu i shpalljes  së pavarësisë së Shqipërisë.

Qershori i vitit 1999-të është agimi i lirisë Dardane, çlirimi i Kosovës martire nga hordhitë serbe.

Tropoja ka kontribut të jashtëzakoshëm për realizimin e ëndrrës shekullore për çlirimin kombëtar.

Çdo vit në këtë sofër, në preher të alpeve, aty ku bashkohet Drini me Valbonën, rrezë Shkelzenit madhështor, qendrës së Shqipërisë Etnike, vijnë jo vetëm ata që janë rritur në Tropojë, por nga çdo skaj e nga çdo anë, nga mbarë hapsira etnike shqiptare.

Ky referendum artistiko-qytetar, ku marrin pjesë mbi njëmijë artistë nga i gjithë Kombi Shqiptar dhe mijëra qytetarë nga Tropoja, Qarku i Kukesit, Rrafshi i Dukagjinit e më gjerë  e shndërrojnë qytetin e bacë Bajramit për tre ditë në kryeqytet të kulturës kombëtare.

Kjo sofër shtrohet çdo vit me dt 10-11-12 qershor në stadiumin e lojrave me dorë në qytetin e Bajram Currit.

Aty gjen me bujari vetëm Shqiptari.

Aty gjen’ fjalën e urtë, hyjnore të orëve të shqiptarisë, Dervish Luzhës “Nderi i Kombit”, të Rexhep Belit, “Nderi i Kombit”.

Aty ku takohen Drini me Valbonën takohesh me perënditë e Eskilit.

Natyrisht që këtë vit për shkak të pandemisë së shkaktuar nga covidi 19-të, ky festival kombëtar, kjo pikëpjekje e shpirtit të Kombit do të shtyhet për një moment tjetër.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …