(Vetëvendosja, me qëllim për të shpëtuar, “kapet” për Murat Jasharin, të cilin vështirë ta ketë kujtuar më parë)
Duke qenë në siklet të humbjes së shpejtë të pushtetit e qeverisjes, Vetëvendosja më në fund është kujtuar për Murat Jasharin, duke e propozuar për mandatar teknik, në vend të Avdullah Hotit. Kjo kërkesë në orët e fundit të ekzistencës në Qeveri, bën të kuptohet se pavarësisht prepotencës dhe fjalëve të mëdha të disa emrave të Vetëvendosjes, ata thellë në vete e mendojnë edhe largimin përgjithmonë nga Qeverisja, pikërisht me faktin kur fryjnë muskujt dhe paralajmërojnë se në të ardhmen do të fitojnë 50 për qind të votuesve, natyrisht duke u mbështetur në sondazhet virtuale, që i paguajnë vetë, i administrojnë vetë dhe i publikojnë vetë.
Pavarësisht kërkesës, duhet besuar me të drejtë dhe pa droje se Murat Jashari, i cili asnjëherë deri sot nuk ka pranuar të manipulohet nga interesat e intrigat e partive politike as kësaj radhe nuk do të lejojë të bëhet pre e mujsharëve politikë, të cilët që 20 vjet e kanë treguar dhe po e tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë, të etjes patologjike për pushtet, kush më shumë e kush më pak.
Murat Jasharit i përket posti i Kryetarit të Kosovës si figurë e unitetit, por jo e bishtave të partive politike, të cilat do ta përdornin dhe do ta shpërdornin, në luftën e tyre për interesat e veta.
Por në çastet kritike kur do të votohet qeveria e re, është e natyrshme që të parët e Vetëvendosjes të kërkojnë shpëtim, sado që Xhelal Sveçla pretendon se kanë mjaftuar 50 ditë qeverisje legjitime dhe 50 e pak më shumë të tjera si qeveri në shkarkim për të fituar një përvojë të madhe shtetndërtuese, e cila sipas tij do të jetë bazë e fortë për të ardhmen e kësaj partie. Koha do të tregojë se çka do të bëhet me Vetëvendosjen e prangosur nga brenda. Të vetmet punë që Vetëvendosja e di përmendsh dhe i menaxhon me dhunë e nganjëherë edhe pa dhunë, janë protestat nëpër rrugë, edhe pse duhet pranuar se shumica e atyre protestave kanë pasur arsye të mbahen, sidomos atëherë kur është kërkuar ruajtja e sovranitetit të Kosovës dhe e territorit të saj nga kafshimet e fqinjëve.
Glauk Konjufca, i Vetëvendosjes ka thënë se “qeveria e ardhshme osht e paligjshme, sepse sipas mendjes së tij njëdrejtimëshe e ligjshme osht vetëm një Qeveri me Vetëvendosjen në krye. Kjo qeveri ka mu përball me protesta. Vetëvendosja ka me organizu popllin e Kosovës për me imponue vullnetin e vet”. Pak më tutje Konjufca thotë se Vetëvendosja nuk do të organizojë protestë, por do ta përshëndeste protestën e shoqërive civile, të cilën e dirigjon dhe e paguan vetë. Nuk kemi lajmëruar për sot protesta, sepse ne e thirrim publikisht dhe nuk na vjen keq të thirrim protestë, thotë Konjufca.