leoni

Ilir Muharremi

Ilir Muharremi: 10 vjet pa Bekim Fehmiun

Bekim Fehmiut duhet t’i ngrihët shtatorja në Prizren ose në Prishtinë 

Bekim Fehmiu, ka shkëlqyer nëpër botë, ka prezantuar shpirtin e tij në kinematë ndërkombëtare. Emri i tij u skalit  me sakrificën dhe mundin që dëshmon gjigantin pranë kuadrit drejt famës. Dëshmitë janë të sakta. Filozofi francez Zhan Pol Sartre i bën një urim të veçantë Bekim Fehmiut për aktrimin. Ky është dedikimi origjinal nga Sartri:”A Monsiuer Bekim Fehmiu, avec le tous feliesitation, de Jean Paul,,.. (Zotëri Bekim Fehmiut, me të gjitha urimet e mia, Zhan Pol.) Edhe aktori Xhun Hjuston, pas një skene të luajtur, ia lëshoi dorën në supe dhe i tha: “I mirë je, biro!”.  Ava Gardner e kishte një lutje ndaj Bekim Fehmiut: “Bekim kur ta pi gotën e pestë më hiqni nga banaku me çdo çmim. Çfarëdo që ju flas, bile edhe nëse kundërshtoj dhe shaj, nëse ka nevojë më ngritni dhe më bartni”. Ashtu edhe bëri Bekimi. Diva italiane e aktritmi Claudia Cardinale për Bekimin ka thënë: “Bekim Fehmiu ishte një aktor i jashtëzakonshëm”. Ata bashkë kanë luajtur në filmin “Libera, dashuria ime”. ( Fahri Musli, Bekim Fehmiu, Monografi, 2015.)

Fehmiu meriton ta ketë një shtatore në bronz para Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Ai e donte teatrin, e ndjente djersën e skenës, fantazmen e roleve të cilat nuk mundi t’i prekë për shumë arsye të shpjeguara në vijim. Ai ishte krenar që ishte shqiptar nga Kosova. E donte popullin dhe njeriun më të thjeshtë të Kosovës. Kishte vizion për popullin shqiptar dhe trupi i dridhej nga gëzimi sapo përmendej populli shqiptar. Në gjak ndjente edhe patriotizëm intelektual artistik dhe para askujt nuk e përbuzte moralin e tij. E as dinjitetin nuk mund askush t’ia dobësonte.

 

Pse Bekimi e ndërpreu rolin e Hamletit në Prishtinë?

Aktori i madh Fehmiu rrëfente se si nuk ishte servil ndaj regjisorëve të huaj të cilët vijnë në Kosovë si të ndritur, të mëdhenj, njohuri për artin e në fakt janë më të dobët se ne.

Një ditë e bukur me diell të vakët nëntori. Përpara Teatrit kombëtar ish Teatri Popullor i asaj kohe, Bekimi e takoi drejtorin Hazir Miftari (tashmë i ndjerë.) Miftari ja ofroj Bekimit ta luaj Hamletin. Bekimi e refuzoi “Kam pasur mbi 45 vjet. Koha më ka shkelur për atë rol”, shrkuan Fehmiu. Megjithatë pas disa analizvave që i bëri personazhit e gjeti sekretin e Hamletit dhe Bekimi e pranoj rolin. U morën vesh dhe me 5 janar 1982 nisen provat. Premiera parashikohej të jepej me 5 prill të vitit të njëjtë. Bekimi ishte i lumtur se pas çerek shekulli arriti oferta e parë e Teatrit Popullor nga Prishtina. Pse e pranoj Bekimi rolin? Vet ai thekson nga propaganda antishqiptare në mënyrë shumë perfide që mori hov në të gjitha mediat e asaj kohe. “Dëshirova që me anë të krijimtarisë artistike të përpiqem ta ndryshojë imazhin e klishetizuar që është krijuar mbi shqiptarët”, shkruan Fehmiu. Regjisor i kësaj shfaqje ishte Xheremi Jang nga Anglia. Bekimi nuk ishte i kënaqur shumë me regjisorin sepse pas shumë provave të leximit, regjisori nuk tha asgjë mbi vizionin e tij të shfaqjes, as që tha ndonjë eksplikacion. “Përshtypja ime ishte  se ai është zanatli”, shkruan Fehmiu. Bekimi hulumton për regjisorin dhe pasi telefonon në Londër, merr vesh se atje askush nuk ka dëgjuar për këtë regjisor. “Gjatë një prove, Jang, nxënësen e gjimnazit, e cila luante Ofelinë e quajti lopë. Askush nga të pranishmit këtë nuk e kuptoi, pos përkthyesit Nevruzit”, shkruan Bekimi. Fehmiu ja tërhoqi vërejtjen regjisorit duke i thënë se ai është mysafir dhe është i paguar për punën e vet dhe të mos i fyej kolegët, sepse ai këtë nuk do ta tolerojë. Gjithnjë regjisori anglez Jang nuk ishte i kënaqur me trupen kosovare të aktrimit. “E rikujtova se nuk jemi aktorë anglezë. Nuk më intereson. S’ka kohë për të humbur. Kohë kemi mjaft. Unë s’kam. Më dy mars do të duhej të mbahet premiera, sepse me 4 nisin obligimet e mija të reja. Thatë me 2 mars?. Po. Më 3 udhëtoj. Kam kontratë të atillë. Jam i paguar që Hamletin ta xhiroj për gjashtë javë. Prandaj, ju lutem, vazhdojmë me provën. Kjo m’u rrotullua në kokë.” Shkruan i revoltuar Bekimi. Bekimi nuk donte të dështonte me shfaqjen. U kërkua nga regjisori Jang që Bekimi të largohet nga salla. Të gjithë në sallë u shtanguan dhe Bekimi priti reagimin e ndonjërit nga të pranishmit në sallë. Qetësi. Askush ama bash askush nuk e hapi gojën. “Çfarë njerëz janë këta kolegët e mi? Ku e kanë dinjitetin njerëzor, artistik? A ka mundur diç ngjashëm të ndodh në ndonjë teatër tjetër kombëtar? Kurrë në jetë nuk jam ndier aq i poshtëruar, aq i vetmuar. Gufoi lumi i zi i turbullt, i cili merrte me vete trupa të shkulur dhe cofëtinat e fryra i hidhte në breg… Ashtu bashkëpunimi ynë përfundoi palavdishëm” I zhgënjyer Bekimi. A kishte të drejtë? Po, në momente kur përbuzët ndonjë aktor, ai duhet të mbrohet vet ose nga kolegët, e ne nuk e bëjmë këtë. E lamë Bekimin të vetmuar të dergjet për Kosovën dhe vet thoshte: “Atje ku shkel këmba ime atje është Shqipëri”. Kjo tregon atë gjenezën e emblematike të një shpirti luan.

 

Organizmi i vetëvrasjes nga Bekim Fehmiu

Si sot para dhjetë vjetëve e kishte ndarë mendjen ta vriste veten. Pasi gruaja e tij Branka në orën 14:00 kishte shkuar t’i rregullonte flokët, si zakonisht Bekimi e ka përcjellë te dera duke e puthur. Pas një ore ajo u kthye sërish në banesë duke thënë “Beko shih çfarë frizure kam”, asaj askush nuk i ktheu përgjigje, mbretëronte heshtje në banesë. Ajo vrap shkoi në dhomën e ditës as aty nuk ndodhej Bekimi. U afrua te dhoma e fjetjes as aty nuk e gjente. Thërriste nëpër banesë, Bekimi nuk kthente përgjigje. Pasi kishte hyrë në dhomën e tij të punës e sheh në krevat të mbuluar me çarçaf të bardhë derisa në kokë kishte një peshqir. Ajo prapë i tha: “Beko pse nuk po flet, shihe çfarë frizure kam”? Bekimi nuk kthente përgjigje. Ju afrua ja hoqi peshqirin dhe aty e kishte parë se Bekimi ka bërë vetëvrasje. “Nga tëmthi ku kishte shti me pistoletë i kish rrjedh mjaft gjak, kurse pistoletën e kishte shtanguar në dorë, e në tavolinën e vogël pranë kompjuterit pash dy letra të vogla lamtumirëse për mua me fëmijët dhe për vëllëzërit në Prishtinë”, vazhdon Branka, shkruan në monografinë kushtuar Bekim Fehmiut nga autori Fahri Musliu. Si duket Bekimi e kishte përgatitur perfekt vdekjen e tij dhe kjo në ditët e kaluara nuk ishte vërejtur nga Branka. Si duket ai person i cili parapërgatitet për vetëvrasjen gërryhet në heshtje nga krimbi e ky krimb ndodhet në shpirt. Mjafton veç të ja prishesh ose ndonjë fjali e rëndë, ai është në gjendje të vetëvritet. Ai e bën atë çfarë ja imponon ekzistenca e tij.

E kohën e fundit pak para se të vriste veten Branka rrëfen se ishte shumë i nevrikosur pasi që kishte fituar goditje në tru. Si duket Bekimi nuk mund ta duronte asnjë plogështi, asnjë sëmundje, donte të ishte i shëndoshë. Vetëvrasjen e kishte përgatitur shumë bukur ngaqë në krevat kishte shtruar çarçafin e bardhë dhe me një tjetër ishte i mbuluar, ndërsa në fytyrë e kishte vënë peshqirin me qëllim që mos të befasohet familja e tij, donte që vdekja të ishte e bukur e bardh sikurse peshqiri i bardhë.

Më intereson të di se kur filluan krizat e Bekimit? Ato te i vetvrari fillojnë gjithmonë nga diçka e pakontrollueshme e ku ndodhet fajtori kryesor? A kishte Bekimi ndonjë sëmundje të pashërueshme ose brenga intime? Këto mendoj janë shumë të vlefshme. Ndoshta është shumë vështirë ta gjejmë atë çastin e saktë dhe vetëm mund të konkludojmë se arsyeja e ka zgjedhur vdekjen. Ose ta mendojmë se Bekimi e tha në heshtje jeta nuk ja vlen të jetohet këto më duken si fjalë të zakonshme. Normal se të jetosh kurrë nuk është e lehtë dhe më kujtohet si sot kur e takova Bekim Fehmiun në kino ABC. Isha gazetar atë kohë. Bekimi më pyeti se çfarë studioj? I thash: “aktrimin”. “Dhe punon gazetar?”, vazhdoi ai. “Duhet të fitosh me profesionin tënd atë që e do më së shumti dhe një aktor i cili nuk është fizikisht mirë, nuk mund të ecën ose të vrapon, ai ka marr fund”, këto ishin fjalët e Bekimit. Këtë atë kohë nuk e mendova aq thellë, por kjo tregonte shumë në ekzistencën e tij, në zakonin e tij dhe mendoj se këto mendime e veprime ishin që e shtytin drejt një rruge të pakthim, dëshira për një shëndet absolut sikurse te grekët “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”.

Ai vdiq me dashje dhe kjo parakuptoj që ka zbuluar mungesën e çdo arsye të thellë për të vazhduar më tutje ose kotësinë e vuajtjes. Sido që të jetë motivi i arsyeshëm ndodhej në shpirtin e tij dhe ashtu lundron çdo ditë me hirin në Lumbardhin e Prizrenit.

 

Qeveria e Kosovës u tregua e papërgjegjshme me Bekim Fehmiun

 

Derisa Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë secancat e tyre të 16 dhe 17 qershorit i nisen me një minutë heshtje në nderim të figurës së Bekim Fehmiut, Qeveria e Kosovës në krye me Jakup Krasniqin patën refuzuar të mbanin një minutë heshtje për vdekjen e aktorit të përmasave të mëdha. Një arsyetim që patën nxjerrë në atë kohë, ishte se propozimet e tilla duhet të kalojnë nëpër procedura.

Më mirë të mos kërkohej një minutë heshtje nga njerëzit të cilët kanë shkollim minimal sa i përket artit dhe janë të cunguar në lexime ose shkrime. Derisa ata pikturat i blejnë mbas ngjyrës së mobiljeve ose librat mbas ngjyrës së rafteve ose perdeve dhe i matin librat me metër sikur për t’i blerë drutë për dimër. Emri i Bekimit gjithmonë do të jetë i huaj për ta. E ata që mendojnë se nuk është kombëtar gabohen.

Si patriot shqiptar, bir i familjes patriotike shqiptare ai u përpoq t’ishte një aktor shqiptar ta luante rolin e Skendërbeut, por kjo iu besua një aktori rus. Ai u përpoq të bëhej një aktor kosovar, të luante Hamletin në Prishtinë, por skena e Teatrit Krahinor të Kosovës u tregua e vockël për të. Ai e dinte se shoqëria shqiptare dhe serbe ishte largë botës Amerikane.

Se ishte shumë patriot ajo u tregua edhe me hirin e tij në Lumbardh…

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …