Në vazhdimësi të komunikimit dhe bashkëpunimit sistematik me institucionet e kulturës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka vizituar sot Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” ku është takuar me drejtorin, Fazli Gajraku, dhe me Këshillin Drejtues.
Drejtuesit e këtij institucioni e njoftuan ministrin Shala me programin e këtij institucioni, me aktivitet e sivjetshme, si ato të brendshme, po ashtu edhe ato që lidhen me Kalendarin e Përbashkët Kulturore me Shqipërinë, dhe sidomos me përpjekjet e vazhdueshme që po bënë ky institucion për të thelluar bashkëpunim ndërkombëtar, në funksion të promovimit dhe afirmimit të mëtejmë të kulturës dhe librit shqip.
Po ashtu, në këtë takim u bisedua edhe për digjitalizimin e Bibliotekës Kombëtare dhe rrjetit të bibliotekave nëpër Kosovë, dhe nevojën që ka ky institucion për avancime profesionale dhe për trajnimin të stafit.
Ministri Shala u informua edhe rreth procesit të investimeve që janë bërë në këtë institucion, dhe veçmas u bisedua për përgatitjen e projektit për renovimin e tërësishëm të këtij institucioni vitin e ardhshëm.
Ministri Shala drejtuesve të këtij institucioni u premtoi mbështetje dhe bashkëpunim për tejkalimin e sfidave. Ai u shpreh se roli i bibliotekave në kulturën e një vendi është fondamental, andaj edhe kërkohet që të punohet edhe më tej në avancimin e rolit të saj në shoqëri.
Më tej ministri Shala u shprehu për nevojën e zhvillimit dhe pasurimit sa më të mirë të koleksioneve të bibliotekave të Kosovës dhe shpërndarjen e librit, në mënyrë që lexuesi të ketë mundësi të gjejë librin e botuar në Kosovë.
Po ashtu, ministri Shala kërkoi nga drejtuesit e Bibliotekës Kombëtare që të bëhet një programim i botimeve me karakter kulturor e bibliotekar.