Përkrahur nga komuna e Mitrovicës, OJQ “Prishtina Rea” dhe 2B2, në parkun e biznesit në Mitrovicë u organizua një takim me përfaqësues të bizneseve të ndryshme që drejtohen nga femrat.
Në këtë takim morën pjesë gra ndërmarrëse nga komuna e Mitrovicës, një delegacion i Odës Ekonomike Tregtare të grave nga qyteti Kogjeli nga Turqia, përfaqësues të Asociacionit të grave ndërmarrëse të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Oda Ekonomike e Shkupit.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i ka përshëndetur gratë ndërmarrëse, duke ju dëshiruar qëndrim të këndshëm në Mitrovicë dhe duke ju uruar suksese në punë e tyre që bëjnë.
Drejtori për bujqësi dhe zhvillim, rural Nasuf Aliu, prezantoi disa pika potenciale të zhvillimit ekonomik të cilat i ka komuna e Mitrovicës, e që e bëjnë atë të veçantë nga qytetet tjera.
Ai ju tha grave ndërmarrëse se Komuna e Mitrovicës ka parkun industrial për zhvillimin e bizneseve, rajonin e Shalës së Bajgores për zhvillim të bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit, pastaj gjigantin industrial “Trepça” dhe resurse të tjera potenciale për zhvillimin e bizneseve në shumë sektorë.
“Ky takim është i një rëndësie të veçantë, sepse gratë ndërmarrëse nga Mitrovica mund të krijojnë ura lidhëse të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave nga çdo veprimtari, me koleget e tyre nga vendet prej nga ato vijnë”, tha ai.
Gratë ndërmarrëse nga Turqia dhe viset tjera ishin shumë të kënaqura me mikpritjen e ofruar dhe informatat që morën për zhvillimi e ndërmarrësisë në Mitrovicë. Ato vlerësuan angazhimin dhe përkushtimin e grave ndërmarrëse të Mitrovicës për zhvillimin e bizneseve të tyre.
Më pastaj të gjitha gratë ndërmarrëse së bashku vizituan shtypshkronjën Viprint në parkun industrial, ku nga pronarët u njoftuan për punën e suksesshme që është duke u bërë aty.