Për nder të ditës së çlirimit të komunës së Skenderajt sot është bërë përurimi rrugës që lidh Rezallen e Re me Rezallen e Vjetër, rrugë e cila mbanë emrin e heroit të kombit, Malush Ahmeti por edhe është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore për heroin e kombit në fjalë. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i Skenderajt Bekim Jashari i cili e ka vlerësuar lartë veprën e bashkëluftëtarit të komandantit Legjendar Adem Jashari.
“Malush Ahmeti, ishte njeri ndër ushtarët e parë që iu bashkua radhëve të UÇK-së. Në këtë përurim theksova faktin se Heroi Malush Ahmeti, ishte dhe do të mbetet shembull i njeriut të përkushtuar ndaj atdheut, ushtarit sypatrembur dhe një komandanti të shkëlqyer. Po ashtu rruga, ideali dhe amaneti i tij duhet të jetësohen nga ne, duke punuar për shtetin, rinë dhe mirëqenien e qytetarëve tonë, duke vënë çdo herë në rend të parë interesin shtetëror para çdo interesi tjetër. Lufta heroike dhe sakrifica e tij sublime janë gurë themel i Lirisë dhe shtetit tonë. Ai Lirisë së Kosovës ia fali edhe djalin 7 vjeçar i cili u vra në forcat serbe në vitin 1998. 21 vite pas, jetojmë e punojmë duke nderuar e ngritur deri në piedestal jetën dhe veprën heroike të dëshmorëve të Lirisë. Për familjen Ahmeti ashtu edhe siç e kemi planifikuar që të nderojmë familjet e dëshmoreve, ndava mirënjohje për kontributin e tij të veçantë dhe sakrificën sublime, gjatë luftës së UÇK-së, për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Jashari.