(Mario Bellizzi, “WHO ARE WE NOW?“, poezi, botoi NGBL „DUKAGJINI“, Pejë 1997, faqe 152. Në shqipen e sotme i ktheu dhe pasthënien e shkroi Rexhep Ismajli).
Libri “WHO ARE WE NOW” (Kush jemi ne tash?), i poetit arbëresh Mario Belici, erdhi si një provokim i mirë për letërsinë shqipe të Kosovës. Ky libër thotë se ishte një djalë që rritej diku ndër arbëreshët dhe murmurimat e tija poetike nuk dëgjoheshin. Ishte një zë krijues që po lindte dhe ai dëshironte të pushtonte hapësirën shqipfolëse, të identifikohej. Ai këmbëngulte, dhe ja, erdhi përmes një botimi interesant në të folmen arbëreshe, përball i kthyer në letrarishtën e sotme nga studiuesi Rexhep Ismajli, i cili ka shkruar edhe pasthënien e librit. Pra, ky botim është ndër ngjarjet e rralla që ndodhin në hapësirën shqipfolëse të Kosovës dhe më gjerë.
Libri është i ndarë në tre njësi ciklike „Kristla“, „Who are we now?“ dhe „Pastaj“. Të gjitha poezitë janë të botuara në arbërishte dhe përball të kthyera në gjuhën e sotme letrare. Në ciklin e tretë është poezia „Të kuqtë e Onufrit“ e prezantuar vetëm në gjuhën arbërishte, përkatësisht në origjinal, ashtu siç e ka shkruar poeti Belici, po kështu është botuar edhe në pasthënien e Rexhep Ismajlit një poezi tjetër e cila është marrë nga një cikël më i gjerë që mban numrin 9. Por, siç shkruan R. Ismajli, nuk janë përfshirë në këtë libër me poezi.
Duke u nisur nga fakti i prezantuar në poezinë që përmendëm, në të cilën poeti vet është deklaruar se është „Bujk i njëj fushia/ ku bihen shega/ Ki jam unë“, ku paraqet formën më të sinqertë të krijimit, kurse libri është konstruktuar në mënyrë tematike e motivore për të përfaqësuar poetin arbëresh në kohë moderne i cili vazhdimisht preokupohet me fatin e arbëreshëve të cilët në kushtet e mbijetesës kanë krijuar „diasporën e diasporës“ arbëreshe siç është shprehur edhe R. I. në pasthënie që ka titull simbolik „Vonë“.
Në ciklin „Kristla“, që do të thotë „granishtë, barishte“, poeti ka përshkruar gjendjen arbëreshe në Jugun e Italisë, apo siç shprehet në poezi „Ne jemi Jugu i Botës“me të gjitha kalivaret e jetës së atjeshme, por „Poetet nuk kanë shllojen/ vetëm elpët zogjvet ka sheshet!“, (poetë nuk duhet vetëm/ t’u hedhin grurë pëllumbave në sheshe), shprehet si me shqetësim ai. Kurse, në poezinë vijuese për poetin Trakl, ka thënë: „Ndër pamjet/ vjeshtore të zemris/ qetësimi/ i dredhur/ me fuqinë të zërit/ fluturon/ si dallandysh/ që iken“, (Në pamjet/ vjeshtore të zemrës/ heshtja e frëngëlluar/ me fuqinë e zërit/ fluturon/ si dallëndyshe/ që ikën).
Poezi pas poezie lexuesi do të gjejë një poet të shqetësuar dhe një njeri që është i lidhur fort për rrënjët gjenetike duke u përpjekur që të regjistrojë gjithë atë që është e mundur për t’ua përcjellë gjeneratave e brezave në vijim. Me këto konotacione është edhe poezia „Sheshet“, në të cilën përshkruan me ndjenja të holla trishtimin arbëresh, vendin ku u vendosën të parët e tyre për t’i ikur inkuizicionit mesjetar që përjetoi atdheu nga luftëra dhe beteja të përgjakshme. Përshkrimi i kësaj ndjenje sikur vë në pah tërë kalivarin e hjekave dhe vuajtjeve arbëreshe, gjithsesi vlera letrare dhe artistike në poezinë e Belicit është një pasuri e përhershme:
SHESHET
Ç’ë janë sheshet
Të katundëvet jugorë?
Dhere shurishtë
shkretire
të prere
me girshorën
dyer hapët
prej misitçizmin lindorë!
SHESHET
Ç’janë sheshet
e fshatrave jugorë?
Dhera zhurishte
shkretëtira
të prera
e gërshërë
dyer të hapura
ndaj misticizmit lindor!
Faqe 19.
Motivi arbëresh haset kudo në poezinë e Belicit. Ai me ndjenjë ka përshkruar edhe bukuritë, traditat edhe jetën arbëreshe sikurse që ka shkruar me dhembje dhe trishtim për zbrazjet e përhershme nga ato vende ku pastaj dalëngadalë bëhet edhe harrimi i shumë zakoneve dhe traditave. Poezi të këtij motivi ka shumë, por për disa po i veçojmë: „Një kujtim“, „Duke folur afër tryezës“, „Duhet guxim“, „Dyshim Jugor“, „Pleqëria“, „Ethe“, poema „Poeti është pilikaç“, „Undecedibile exercise – Ushtrim për fëmijët arbëreshë“, „Kroj e katundit“, „Më muar malli“ etj.
NJË KUJTIM
Krishti paganë
aravet të lasht
e verës sipjuhur
rilindi
dhe sonde.
Kori grek
Bujqësorë
erësuar qepja e vapzia
e ka thirrur
ndër udhët t’errur
të katundit.
Ynzot,
ëna shëndetin
bukën e verën.
NJË KUJTIM
Krishti pagan
nga arat me të lashta
dhe vera si pluhur
rilindi
dhe sonte.
Kori grek
bujqësor
me erë qepe e varfërie
e ka thirrur
në udhët e errëta
të katundit.
Zotynë
jepna shëndetin
bukën dhe verën
Faqe 20-21.
Poezia meditative ushqehet vazhdimisht me ndjenjën e një optimizmi të rrallë i cili trajtohet herë pas herë më shumë për të dalë nga ajo gjendje ankthi e mendimesh të kredhura: „Qielli/ nga dita/ është i banuar/ vetëm/ ka ëngjullë/ e zogj“, të këtij motivi janë edhe poezitë: „Tue djavosur Rilke“, (Duke lexuar Rilken), „Gjitonia“, „Trembësi“, „Ejaninës“, „Dhimitrit Stratos, i ndjemë“, „Kush të jep bukë“, etj.
Poezia filozofike që krijon Belici gjykon thellë e me urtësi probleme historike e shoqërore që mbështetet mbi parime metodologjike, të cilat lidhen me teoritë e kësaj fushe dhe shfaqet me mendime të thella për jetën si çështje botëkuptimore që del si një doktrinë e mendim interesant për të hulumtuar në misteret e pashmangshme qofshin të natyrës sociale që ka synim mbijetesën.
Unë jam nga dite
i marrë ka një dëshir
të dije si janë shërbiset
mo par të më buthëtohen mua
Unë jam çdo ditë
i rrëmbyer nga një dëshirë
për të ditur si kanë qenë gjërat
para se të më buthtoheshin mua.
Poezia: „Si jemi“, faqe 28-29.
Lirika arbëreshe, kurdoherë është e mbështjellë me dhembje sepse vetë jeta dhe dashuria arbëreshe janë dhembje, është vuajtje, por mbi të gjitha është jetë, e vet jeta është lirikë artistike në kuptimin filozofik të kësaj fjale. Megjithatë, poezia lirike e Belicit dallon për motivin ekzistencialist të saj.
HONI I MENDJES
Trondofile
oh pastër kundërshtim
hare
të jesh
gjumi asnjeri
nën shumë vetulla.
HONI I MENDJES
Drandofile
oh kundërshtim i pastër
hare
të jesh
gjumi i askujt
nën shumë qepalla.
Faqe 32.
Poezia e Belicit ka simbolikën e misticizmit apo siç i thotë ai „mistiçizmi“. Ky përkufizim shpreh një dukuri të besimit në jetën përtej varrit, që si botëkuptim idealist është në rregull. Madje, poeti ka krijuar jo vetëm besim në këtë plan, por ka krijuar një dhunti poetike e cila njëjtësohet me besimin në hyjnizimin artistik si një realitet i pashmangshëm, i cili është përshkruar me objektivizmin e së mundshmes, me një përfytyrim aq sa artistik po aq tragjik, karshi rrethanave reale të shoqërisë arbëreshe që përjetoi nëpër kohëra dhe në një dhé të huaj i cili detyrimisht u bë si atdheu real i tyre.
9)
Udhëtar i Parrajsit
banor i njëj gjuhia
e shkrifinj
sikurse t’ish plot me sfordhulla
Bujk i njëj fushia
ku bihen shega.
Ki jam unë.
Faqe 148
Përkushtimi i Rexhep Ismajlit ndaj poezisë arbëreshe, jo vetëm që zbulohet te pasthënia në këtë libër, por ajo është dëshmuar vite më parë kur pat realizuar „Antologjinë e poezisë arbëreshe“ (1990), e cila qe pritur mirë jo vetëm nga arbëreshët por edhe nga lexuesit e poezisë arbëreshe. Megjithatë, në kuptimin sugjestiv kuptimi dhe mendimi poetik i kthyer nga një e folme arkaike në gjuhën e sotme letrare mund të ketë humbur diçka në kuptimin origjinal të saj. Por, unë pranoj se kuptimi i drejtpërdrejt i mendimit të shfaqur duhet të pasonte në letrarishte kështu siç është bërë, pavarësisht për metaforën poetike dhe sidomos në kuptimin sugjestiv të saj nëse mbetet për t’u dëshiruar. Mbase është e qartë se nuk përkojnë metaforat arbëreshe me përshtatjet në gjuhën letrare, por në kohën kur përballen gjuha origjinale e poetit dhe përkthimi letrar të vëna brenda librit, kjo dilemë duhet të kalojë në studim dhe hulumtime të mëtutjeshme, prandaj mendojmë se pikërisht kjo gjë hap mundësi studimi për gjuhën e Belicit për të përftuar poezia dhe gjuha shqipe në planin leksikografik me shprehje e fjalë të rralla.
Gjithsesi, libri i Mario Belicit është një perlë e rrallë që ka poezia, pse jo edhe gjuhësia shqipe me një pasuri leksikografike dhe me një mendim të ushqyer mbi verbin poetik, pra me qasje origjinale të temës dhe motivit në planin artistik, por në rrafshin gjuhësor gjuha shqipe te libri i Mario Belicit pasurohet me fjalë të rralla, fjalë të vjetra dhe mendim të ri. Fjalët si fjalë humbasin, por për t’u ruajtur ato, duhet të zënë vend në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, nëse dëshirojmë që gjuha jonë të përparojë dhe në këtë përparim e zhvillim edhe të begatohet me fjalët dhe shprehjet që për fat të keq nuk gjinden në fjalorët tanë, por edhe nëse eventualisht gjinden, janë në forma nuancash, si përshtatje e letrarishtes së sotme.
Për të parë begatinë leksikografike të së folmes arbëreshe, po i shënojmë disa fjalë të tilla dhe përball krahasimin në gjuhën e sotme letrare ashtu siç i ka bërë dr. Rexhep Ismajli: skalljonjën-kërkojnë, pundarinj-presë, nxallëvardartur-zhlyera, skomollisënj-rrëfej, nani-tani, bine-cilin, bore-humbe, mulëhas-shfry, çaulla-sorra, timba-gurë, man-guri-vegë, gradha-shpina, gubonjë-kurubë, mondria-tufë, potisat-vaditet, qiçet-çelësat, kushallit-xhepa, pjazme-përfytyrime, frajartur-dështuara, mburojën-vlojnë, e shumë fjalë të tjera të cilat pa një përkthim dhe përshtatje në gjuhën e sotme shqipe do të ishte vështirë për t’u kuptuar, qoftë fjala e qoftë vargu poetik.
Por një seri fjalësh siç janë: gjonj-gjej, pjeqët-pleqët, përralavet-përrallave, ideologjisë-ideologjisë, vijëvet-vijave, gaxetin-gazetën, pyen-pinë, stisur-stisen, shpojin-shpojnë, flon-flenë, vraponin-vrapojnë, mblëmi-mbulojmë, dhestëri-trojet, shqyerra-çjerra etj., mund të renditen në grupin e fjalëve dhe shprehjeve që i takojnë rrafshit dialektor të një regjioni apo krahine të caktuar të cilat mund të kuptohen lehtë, bile edhe pa përshtatje në gjuhën letrare. Megjithatë, përshtatja, si duket është bërë vetëm sa për të lehtësuar punë dhe për t’i hequr dilemat për atë kategorinë që më pak i njeh të folmet dialektikore të shqipes.
Në një grup tjetër, mendoj se duhet hapur diskutime për t’u vënë në vend mendimi dhe fjala arbëreshe. P.sh.: „moti“ në përshtatje del „koha“, por nuk mund të përkojë, ta zëmë me „Moti i madh“. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me fjalën „botë“ e përshtatur si „baltë“, por në rastin konkret „bota“ është një dhé i kuq (argjilë), që përdoret për të bërë enë dhe figura prej balte, përkatësisht prej dheu, kurse në një rast tjetër kjo fjalë ka dal si „dhé“, (botë-baltë, botë-dhé, d.m.th., dy kuptime për një fjalë). Në këtë kategori mund të radhitën edhe fjalët: shprishnjën-shkundin, (shprishin pambukun), rreshkat-rreshket, (rreshkat e bukës, e pites, por ne mangall rreshket buka), shkomi-kalojmë, (më duket është një trajtë e foljes gegërishte shkue), dritësori-dritare, (hapje-vrimë ku hynë drita), patundur-palëvizshëm, (i patundur në qëndrimet e tij ose i paluhatshëm në…), nënkrye-jastëkë, (më mirë nënkresë), sosën-mjafton, (sosën një punë, kanë sosur ta bëjnë një gjë), dega ngarvalanija-degë dardhe dimërore (më mirë të shpjegohej se ngarvalanijaështë një lloj dardhe dimërore), etj.
Ky element pak sa i zbehur në planin figurativ gjendet edhe në disa vargje që mund të ishin interpretuar në mënyrë figurative ndoshta edhe më mirë, por ne po i shënojmë ashtu siç janë në libër: rrëmbë dielli-rreze dielli, piksurit së gjellës-ushtima që i jep gjellës, sikurse edhe fjalët: fillojin-vazhdojnë, qetësimi-heshtje, dorëngushtë-dorështrënguar, sypamjesh-shikimesh, lipsi-mëshirë, mbushur-plot, pashprehja-pathënshmja, lëshon-del, tundje-lëvizje, grykën-gojët, ruan-vështron, përpjet-sipër, ngjyer-vizatuar, hjirat-këndet, vallojnë-vallëzojnë, nderojin-përshëndesin etj.
Për të shtruar çështje në diskutim, si një diskurs rrënjësorë, hartuesi, përkatësisht, Rexhep Ismajli, i ka botuar poezitë edhe në versionin arbërisht, përkatësisht në origjinal, sepse vetëm kështu i ndihmohet poezisë arbëreshe dhe gjuhës shqipe në përgjithësi. Sigurisht ai ka qenë i vetëdijshëm për formën prurëse të të folmes arbëreshe e cila duhet të njihet dhe studiohet më shumë dhe më mirë nga studiuesit e fushës së linguistikës dhe ata të gjuhësisë.
Këtë fakt, R. Ismajli e ka potencuar edhe në pasthënie: „Vendosa të jepja përballë një version në shqipen e sotme, duke u përpjekur të ruaja sa më shumë saktësinë e origjinalit. Sot gjithnjë e më shumë e respektoj mendimin pas të cilit poezitë arbërisht duhet t’i jepen lexuesit shqiptar në origjinalin e tyre, jo vetëm për të respektuar ndjenjën, …po edhe për të krijuar sa më shumë mundësi që lexuesi shqiptar ta zgjerojë kompetencën e tij komunikative në të tërë gjerësinë dialektore shqipe dhe kështu ta pasurojë më tej shqipen standarde gjithë duke krijuar mundësi që të mos lokalizohen vlerat e ndryshme“, (faqe 147), prandaj theksimet e bëra janë në funksion të këtij qëllimi.
Mario Belici, është një emër që ka zgjuar interesimin e kritikës letrare. Ai vazhdimisht iu ka imponuar hapësirës shqiptare jo vetëm me libra por edhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejt nëpër festivale e manifestime kulturore duke e bërë më të dashur dhe më të afërt me secilin, padyshim edhe libri me poezi i Mario Belicit që e shqyrtuam është një vepër e rrallë e këtij lloji, prandaj këto vlera letrare duhet të botohen sa më shumë në Kosovë dhe më gjerë.
SHËNIME PËR AUTORIN:
Mario Bellizzi, (1957), (Mario Bellici). Lindi në Shën Bazile, komuniteti albanofon i Provincës së Kozencës. Është profesor i Matematikës dhe Informatikës në Shkollat e Larta në Itali. Shkrimet dhe poezitë e Belicit janë botuar në: „Katundi Ynë”, „Jeta arbëreshe”, „Rilindja”, „Jeta e re”, „Fjala”, „Flaka”, „Aleph”, „Ars” etj. Kurse si autor i poezisë bashkëkohore arbëreshe është i përfshirë në antologjitë që i kanë përgatitur: Rexhep Ismajli „Poezi e sotme arbëreshe” (1990) Prishtinë; Anton N. Berisha „Antologia della poesia contemporanea italo – albanese” (1999) Cosenza; A. N. Berisha „Burim drite e dashurie” (Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1618-1998), (1999) Prishtinë; Sadik Bejko „Përtej një apokalipsi” (1999) Tiranë; Ferit Ramadani „Pranverë e përgjakur” (2001) Tetovë; Ahmet Selmani „Fshehtësia e lirisë” (2002) Tetovë; Ahmet Selmani „Hapa nëpër natë” (2003) Tetovë; Ali Podrimja „E frikshme dhe e bukur” (Sprovë për një antologji) (2003) Prishtinë; D. Gagliardi – G. Siciliano – P. Pano „La diversità arbëreshe” (vol. III ‘La letteratura, il canto, il libro’) (2003) Cosenza, Ardian – Christian Kyçyku „Un alfabet al poeziei albanese” (2003) Bukuresht etj.
Veprat letrare: „Antologia poetica”, Shën Bazile” (1982); „Kristla” (Granishta) (1983), Monografia historike „San Basilio Craterete” (1995) Castrovillari; „Who are we now?”, poezi Pejë 1997; ‘Last exit to Bukura Morea’ poezi (2003) Castrovillari. Mario Bellizzi, jeton në Itali.
*Marrë nga libri: Sh. DIBRANI “LIBRA DHE MBRESA”, kritikë letrare, St. Gallen 2005, faqe 443-452.