Ministri i Mbrojtje,  Anton Çuni, po qëndron për  një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë

Me ftesë të Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni realizon vizitën zyrtare në Republikën e Shqipërisë. Në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministri Quni me delegacionin e tij u prit me ceremoni të lartë ushtarake nga Ministrja Xhaçka dhe stafi i saj i lartë ministror dhe ushtarak.

Në takimin dypalësh, ministrin Quni  e uroi homologia për detyrën e re dhe shprehu bindjen se ministri Quni me përvojën si udhëheqës ushtarak i karrierës  dhe me përvojën politike përfaqëson dhe do të përfaqësoj denjësisht aspiratat e Kosovës për integrimin euroatlantik dhe synimin kombëtar për zhvillimin e forcave ushtarake bashkëkohore.

“Integrimi euroatlantik është synim i natyrshëm i Kosovës, krahas synimit të të gjitha vendeve të Ballkanit. Në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, iu garantojmë gatishmërinë tonë për të intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve e mbi të gjitha për të ndarë me Ministrinë e Mbrojtjes, eksperiencën tonë lidhur me anëtarësimin në NATO”, tha ministrja Xhaçka gjatë takimit mes dy delegacioneve.

Ministri Quni nënvizoi se për Kosovën, krahas partneritetit me miqtë tanë të përhershëm si SHBA, pastaj Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Turqinë etj, Shqipëria është aleati i natyrshëm në rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatat rajonale të sigurisë, programin për partneritetin për paqe dhe për t’u finalizuar me integrimin në NATO.

“Objektivi kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes, pas kalimit në misionin e ri të FSK-së është përmbushja e detyrave të përcaktuara në Planin e Tranzicionit të FSK-së në forcë ushtarake, e cila do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj pa dallime etnike, kulturore, religjioni etj.  Mbështetja vëllazërore  e deritashme dhe në të ardhmen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si në rrafshin politik por dhe atë ushtarak është shumë e rëndësishme për operacionalitetin e FSK-së në përmbushjen e misionit dhe detyrave kushtetuese dhe ligjore me theks në ofrimin e kontributit në operacione shumëkombëshe në ruajtje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë” tha, në mes tjerash, Ministri Quni.

Në vazhdën e diskutimeve me interes për të dy ministrat,  ishte vlerësimi i krizës së pandemisë COVID-19, si sfidë të menaxhuar me sukses nga ana e dy ministrive dhe forcave në mbështetje ushtarake të autoriteteve civile dhe duke vlerësuar si shumë të rëndësishëm bashkërendimin e aktiviteteve si dhe zbatimin e mësimeve të nxjerra në menaxhimit e krizës përkatëse në vijim.

Pas takimit mes dy delegacioneve, ministrat Quni dhe Xhaçka dolën në një deklaratë për shtyp ku theksi kryesor ishte thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit bilateral dhe rritja e mbështetjes në të gjitha fushat, respektivisht realizimit të Planit të Bashkëpunimit Bilateral në mes dy ministrive. Gjithashtu, Ministri Quni theksoi se duke ditur faktin se trajtimi i temave me interes të përbashkët nga fusha e sigurisë dhe mbrojtjes është  shumë e gjerë ftoi ministren Xhaçka për vizitë të ndërsjellë në Kosovë. Pas takimit në Ministrinë e Mbrojtjes, delegacioni, i shoqëruar nga zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi vizituan Muzeun Historik të Forcave të Armatosura.

Gjatë vizitës, delegacioni i Ministrit Quni përbëhej nga Komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Irfete Spahiu, ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë Nait Hasani, atasheu ushtarak, kolonel Bashkim Shillova, Drejtori i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Integrime Euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha, zyrtarja e lartë, Martina Dedaj Kçira si dhe këshilltarët, Feriz Trezhnjeva e kolonel Hamdi Pollomi.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …