Isuf Isa Mulaj (5.5.1954 – 25.3.1999)

Isuf Isa Mulaj (5.5.1954 – 25.3.1999)

Vitaku i komunës së Skënderajt, luftës së UÇK-së i dha tre dëshmorë dhe gjashtëmbëdhjetë martirë, të cilët me gjakun e tyre shkruan faqe të ndritura të historisë sonë më të re. Një emër i njohur i këtij fshati, Hazir Rama, përkrah trimave të Arbërisë së Vogël, gjatë viteve të njëzeta të shekullit njëzet kishte marrë pjesë në grupet atdhetare të quajtura kaçake, të udhëhequra nga Azem Bejta kundër ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe.

Edhe pas shpartallimit të kësaj lëvizjeje dhe ndërrimit të regjimeve të ndryshme gjatë pushtimit serb, burrat e kësaj treve asnjëherë nuk pranuan nënshtrimin, por në forma të ndryshme vazhduan ta luftojnë okupatorin. Njëri ndër ata që ndoqi rrugën e të parëve, i cili u sakrifikua deri në flijim për lirinë e Kosovës, është edhe Isuf Mulaj.

Isufi u lind më 5. 5. 1954 në Vitak nga prindërit Isa e Ajete Mulaj, të cilët në jetë sollën dhjetë fëmijët e tyre: Hajrën, Ahmetin, Tafilin, Rexhepin, Dautin, Isufin, Shyqiriun, Sherën, Zojën dhe Shukrien. Mësimin fillor, Isufi e kreu në shkollën “ Vëllezërit Frashëri” të Qubrelit, kurse të mesmen, drejtimin ekonomik, në Skënderaj. Me të përfunduar shkollimin e mesëm regjistroi Fakultetin e Makinerisë në Mitrovicë, por për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, nuk i vijoi studimet. Ndërkohë, më 1981 punë- sohet në Ndërmarrjen Ndërtimore ”Buduqnost” në Skënderaj, ku nëntë vitet në vijim derdhi djersë e mund për ta ushqyer familjen shumanëtarëshe dhe për t’ua mundësuar anëtarëve të tjerë të familjes shkollimin e mesëm dhe të lartë.

Largimi nga puna në vitin 1990 nga administrate e regjimit serb nuk e kishte dëshpëruar, përkundrazi ndihej krenar që po e ndante fatin e po solidarizohej me bashkëkombasit e vet. Për ta përballuar gjendjen e krijuar dhe për të siguruar mbijetesën ekonomike të familjes, pas vitit 1990 punoi punë të ndryshme fizike.

Pas rënies së familjes Jashari dhe të Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz në Mars të vitit 1998, banorët e Vitakut u mobilizuan menjëherë për t’iu kundërvënë sulmeve të armikut. Më 15 mars 1998 komandant i njësitit të formuar ushtarak u emërua Haxhi Kajtazi, i cili menjëherë filloi rekrutimin e ushtarëve të rinj. Meqenëse lëvizjet e forcave të armikut në rrugën Mitrovicë – Pejë, nëpër Vitak po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta, shtabi i UÇK-së vendosi ta bllokojë rrugën te Lugu i Dreçollit, një vend ky mjaft strategjik që ia pamundësoi lëvizjen e lirë makinerisë serbe. Ky vendim ndihmoi në zgjerimin dhe forcimin e radhëve të UÇK-së në këtë pjesë të Drenicës.

Isuf Mulaj, si pjesëtar i këtij njësiti, vëzhgoi dhe përcolli me kujdes çdo lëvizje të armikut, duke përforcuar në të njëjtën kohë edhe pozicionet e UÇK-së në përgatitje për operacionet luftarake.

Grumbullimi i forcave të armikut në oborrin e shkollës së Çubrelit dhe përforcimi me mjete të rënda e me këmbësori ishte sinjal i mjaftueshëm se po përgatitej një koncentrim afatgjatë i tyre dhe po bëhej një bazë e fortë për të goditur fshatrat e kësaj treve. Në anën tjetër edhe radhët e UÇk-së po shtoheshin me ushtarë të rinj dhe me armatim më të avansuar. Këtë e bënë të mundur shumë të rinj që pothuaj për çdo ditë kalonin ku- firin Kosovë – Shqipëri për të sjellur armatim dhe municion në Kosovë. Që nga muaji maj i vitit 1998 e deri te nënshkrimi i Marëveshjes së Armëpushimit në tetor të atij viti, për tërheqjen e një pjese të armatimit të rëndë të forcave serbe, përleshjet ishin të një intensiteti mjaft të lartë. Gjatë kësaj kohe Isufi tregoi trimëri dhe guxim. Ai asnjëherë nuk u tërhoq nga pozicionet duke u bërë shembull edhe për të tjerët se si duhet qëndruar besnik betimit të UÇK-së.

Edhe pse në muajin tetor, pushtuesi serb tërhoqi një pjesë të armatimit dhe efektivit ushtarak nga të gjitha vendet e koncentrimit, nga baza e militarëve serbë në Çubrel nuk u tërhoq asnjë militar apo makineri e pushtuesit serb.

Me fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi makinerinë ushtarake serbe, në mars të vitit 1999, forcat e armikut ndërmorën ofensivë me rreze të gjerë veprimi duke djegur dhe shkatërruar çdo gjë që mundnin. Vrasjet në masë, plagosjet, dëbimet dhe format e tjera të krimit ishin pjesë e një skenari të spastrimit etnik të Kosovës. Më 25 mars, me të dëgjuar se militarët serbë e kishin zënë dhe ekzekutuar bijën e tij 15 – vjeçare, Valdeten, te depoja e materialit ndërtimor në Kllodernicë, Isufi merr armët dhe niset për t’u hakmarrë. Në mbrëmjen e asaj dite, derisa po u afrohej forcave të armikut te lagjja Fazliu e Vitakut, ishte hetuar nga militarët serbë me ç’rast fillon shkëmbimi i zjarrit. Në këtë përballje, në përpjekie e sipër për të shpërthyer rrethimin, në fushën e nderit, bie dëshmori i lirisë Isuf Mulaj. Një ditë më vonë, më 27 mars, Isufit i vriten edhe dy vëllezërit: Rexhepi e Shyqeriu.

Më 28 mars 1999, trupat e ushtarëve dhe civilëve të rënë, u varrosën në Vitak, ku edhe sot prehen në trollin e tyre të larë me gjak. Dëshmori i kombit Isuf Mulaj ka lënë pas vetes bashkëshorten, Vahiden me fëmijët: Kimeten, Nexhatin, Nehatin dhe Besartën, të cilët jetojnë me kujtimin për bashkëshortin dhe babain Isufin, e për bijën dhe motrën, Valdeten e martirizuar.

Emri i dëshmorit të lirisë Isuf Mulaj është përjetësur në pllakën përkujtimore të ngritur në fshatin e lindjes, ku janë gdhendur emrat e tre dëshmorëve dhe nëntëmbëdhjetë martirëve të Vitakut.

Familja e dëshmorit Isuf Mulaj ka marrë fletënderim nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, kurse falenderime për kontributin e dhënë në çlirimin e vendin, asaj i është ndarë nga Kuvendi komunal i Skënderajt dhe nga Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …