Në ditën kur pritej shqiptimi i dënimit të Radovan Karaxhiqit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, policia arrestoi, zonjën, Florence Hartmann, ish-zëdhënësen e Prokurorisë së Tribunalit të Kombeve të Bashkuara për krime në ish-Jugosllavi.
Florence Hartmann kishte ardhur që të përcillte epilogun e një procesi që e njihte më mirë se shumë kush tjetër sepse pos asaj që shihej në “angazhimin ndërkombëtar për të ngadhënjyer drejtësia” për krimet e bëra nga shteti serb, kjo intelektuale e shquar nxori në shesh pazarllëqet që ishin bërë në mes Carla Del Pontes dhe shteti të Serbisë për t’i fshehur gjurmët e krimit të gjenocidit serb. Denoncimi që u bën pazarllëqeve politike të gjykatës e cila duhej të sillte drejtësi do ta bëjë që Florence Hartmann-i të mbetet përgjithmonë në kujtesën e atyre që luftojnë për ngadhënjimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e krimit. Për këtë arsye edhe mediet ndërkombëtare njoftuan si lajm kryesor lajmin e arrestimit të Ish-zëdhënësen e Prokurorisë së Gjykatës së Hagës. Edhe mediet në gjuhën shqipe nuk e lanë pa njoftuar për këtë arrestim dhe shumica e tyre informuan pa hyrë në detaje. Por, ajo që është irrituese dhe neveritëse në të njëjtën kohë ka të bëj me shpifjet që u shpërndanë në disa portale se gjoja “Florence Hartmann-i paska publikuar libër anti-shqiptar pasi ka akuzuar Shqipërinë dhe Kosovën për trafikim te organeve te pengjeve serbe te luftës në Kosovë.”
Çka në të vërtetë përmban libri i saj dhe cili ishte qëndrimi i Florence Hartmann-in për akuzat e ngritura nga Carla Del Ponte?
Po sjell për lexuesin vetëm aspektin e asaj që mohuesit e gjenocidit serb këmbëngulin se pas rënies nga pushteti i Millosheviqit, në arkivat e shtetit serb, nuk u gjetën “prova eksplicite” që do të dëshmonin qëllimin gjenocidar të krimeve të kryera në Bosnje, Kroaci dh Kosovë.
Edhe pse çështja e “provave eksplicite” që do të dëshmonin qëllimin e gjenocidit nuk mund të kufizohet me “hapjen e arkivave” e vlen të sjell për lexuesin faktet e Florence Hartmann-it rreth kësaj çështjeje.
Në veprën e saj «Paqja dhe ndëshkimi» ajo thekson se “zyrtarët serbë ishin të bindur se arkivat e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë mund të shpinin deri te dënimi i Serbisë për gjenocid.” (Referencat bibliografike të tekstit në tërësi janë në librin tim «Mashtrimi i Madh»).
Për të ilustruar këtë pohim, Florence Hartmanne sjell qëndrimin e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Goran Svilanoviqit, i cili në zyrën e Carla Del Ponte-s, më 3 tetor 2003, përpiqej të arsyetonte shkaqet e refuzimit të dorëzimit të arkivit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë. Në këtë takim, Goran Svilanoviq theksoi se “nëse ne ju ndihmojmë ta dënoni Milodheviqin për gjenocid, atëherë edhe shteti ynë do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet t’i paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim…”
Udhëheqësit e rinj të Beogradit deklaronin haptazi se “interesi jetësor nacional” i tyre ishte t’i fshihnin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të gjitha informatat që mund ta inkriminonin Serbinë për krimet e gjenocidit. Ajo që është edhe më neveritëse në strategjinë e regjimit të Vojislav Koshtunicës për të fshehur faktet e gjenocidit serb në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë lidhet me qëndrimet e pushtetit në Beograd se gjoja “drejtësia dhe e vërteta e dëmtojnë stabilitetin në regjion dhe veprojnë kundër paqes.”Megjithatë, fshehja e provave të gjenocidit nga ana e autoriteteve të Beogradit mund të jetë e kuptueshme për arsye të vazhdimësisë së strukturave të regjimit të Milosheviqit në pushtetin “e ri”. Por, ajo që është e “pakuptueshme” në këtë strategji lidhet me marrëveshjen e gjyqtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë me autoritetet e Serbisë për t’i mbajtur provat të fshehura nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe nga publiku.
Florence Hartmann-i denoncon marrëveshjen dhe për herë të parë publikohen të dhëna precize lidhur me këtë hipokrizi të drejtësisë ndërkombëtare.
Vërtetësinë e marrëveshjes në mes të Gjykatës së Hagës dhe Serbisë askush nuk e kundërshtoi. As Gjykata e Hagës që ngriti akuzë kundër Florence Hartmann-it për publikimin e dokumenteve konfidenciale nuk e mohon vërtetësinë e strategjisë së fshehjes së provave të krimit. Megjithatë, për publikimin e detajeve të kësaj marrëveshje, sidomos pjesët e faqeve 120-122 të botimit në gjuhën frënge, Florence Hartmann-i u dënua me një gjobë prej 7000 eurosh që u konvertua në burg.
Akuza dhe dënimi i Florence Hartmann-it kishte për funksion frikësimin e atyre që nuk pranonin pazarllëqet politike në kurriz të drejtësisë. Vepra «Paqja dhe ndëshkimi» e Florence Hartmann-it ofron mundësi të mirë që lexuesi të njihet me tërë presionin politik që u ushtrua ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare për t’i hequr Serbisë akuzën për gjenocid. Marrëveshjet për fshehjen e implikimit të shtetit serb në krimet e gjenocidit në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë, nuk mundën ta pengojnë daljen në shesh se “Milošević-i, jo vetëm që ishte bashkautor i partiturës vdekjeprurëse të spastrimit etnik dhe arkitekt i luftës, por deri në fund ishte dirigjenti i tyre!”
Në vitin 2008, pra, një vit pas botimit të librit të Florence Hartmann-it dhe pikërisht kur kjo autore u dënua nga Gjykata e Hagës, ish-prokurorja e kësaj gjykate, Carla del Ponte, botoi librin «Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës». Në këtë libër ajo konfirmoi pohimet e zëdhënëses së saj lidhur me strategjinë e pushtetit të ri të Beogradit për mosdorëzimin e Arkivit të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes. Në veçanti, kapitulli 8 i këtij libri, i titullar «Beograd: 2003 dhe 2004», jep të dhëna precize për një varg takimesh zyrtare në të cilat autoritetet e Beogradit aplikojnë strategji të ndryshme për të zvarritur dorëzimin e provave për gjenocid.
Përkundër fakteve se Serbia, në kundërshtim me obligimet që kishte si shtet, nuk i dorëzoi pjesët e arkivit që do të dëshmonin në mënyrë të qartë se ky shtet kishte aplikuar gjenocid, dhe se heqja e akuzës për gjenocid ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe statutin e Gjykatës së Hagës, mohuesit e gjenocidit serb llojit të duartrokasin ndryshimin e aktakuzës sikur të ishte dëshmi e vërtetësisë.
Ndryshimi i aktakuzës dhe heqja e krimit të gjenocidit është rezultat i një raporti forcash politike e jo vërtetësi e asaj që ka ndodhur në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.
Duke u bazuar në burimet e gazetarëve “të besueshëm”, të cilët nuk ia dhanë asnjëherë identitetin e dëshmitarëve as Carla Del Ponte-s, Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish–Jugosllavinë, që në vitin 2003, zhvilloi hetime për thëniet se “oficerë të rangut shumë të lartë dhe të rangut të ndërmjetëm të UÇK-së ishin tërësisht në dijeni të trafikimit me organe, madje edhe vetë merrnin pjesë aktive në këtë trafikim.” Këto burime anonime, por të “besueshme”, kishin njoftuar UNMIK-un se “gjatë muajve të verës të vitit 1999, shqiptarët e Kosovës i kishin ngarkuar nëpër kamionë treqind persona të rrëmbyer, të cilët i kishin çuar në anën tjetër të kufirit të Kosovës, në veri të Shqipërisë.” Nga Ky numër ishte bërë përzgjedhja e të burgosurve më të rinj dhe më të shëndetshëm, të cilët ishin ushqyer mirë, ishin kontrolluar rregullisht nga mjeku dhe ishin transferuar në qendra të tjera arresti në qytetin Burrel dhe rrethinën e tij. Në një shtëpi të verdhë, ku njëra nga dhomat ishte shndërruar në klinikë kirurgjike të improvizuar, të burgosurve u nxirreshin organet. Pastaj këto organe përcilleshin në mënyrë të fshehtë drejt aeroportit të Rinasit, afër Tiranës, prej nga u dërgoheshin klinikave jashtë vendit, për t’u transplantuar pacientëve të pasur që kishin paguar për këtë ‘shërbim’.”
Përmasat e efekteve që shkaktoi kjo “informatë”, bëri që edhe ish-zëdhënësja e Prokurores së Përgjithshme, Florence Hartmann-i të deklarohet publikisht dhe ta cilësojë veprimin e Carla Del Ponte-s si të papërgjegjshëm.
Në një shkrim të publikuar në gazetën «Le Temps» të 16 prillit 2008 dhe të titulluar «Carla Del Ponte dhe thashethemet për trafikimin me organe në Kosovë», Florence Harmann-i shpreh habinë e vet se si është e mundshme që “Carla Del Ponte, puna e të cilës konsistonte që të kërkohet e vërteta, përkundër pengesave, dhe në këtë mënyrë të luftohet mohimi dhe manipulimi, sot të na fundosë në kohën më të errët të propagandës.”
Aktualizimin e një çështjeje të mbyllur para pesë vjetësh, të mbyllur për arsye se nuk u gjet as prova më e vogël, revoltoi ish-zëdhënësen e Carla Del Ponte-s. Për Florence Harmann-in “të flitet sot, përderisa për pesë vjet nuk u soll asnjë element i ri që do ta mbështeste këtë tezë, është papërgjegjësi.” Ndërsa “është jo dinjitoze emërtimi, në mënyrë të nënkuptueshme, i atyre që urdhëruan një krim të padëshmuar, nën arsyetimin se disa liderë shqiptar të Kosovës kanë qenë të dyshuar për krime tjera.”
Sado “skandaloze”, të “papërgjegjshme” dhe “jo dinjitoze” të kualifikoheshin veprimet e Carla Del Ponte-s, libri i saj bëri bujë në opinionin publik dhe u shërbeu si pretekst të gjitha qarqeve që ishin të mobilizuara në kulm kundër pavarësisë së Kosovës. Florence Harmann-i mbrojti të drejtën dhe denoncoi shpifjet që u bënë kundër shqiptarëve. Prandaj me të drejtë shtrohet pyetja se kush ua dha gazetarëve të portaleve në gjuhën shqipe gënjeshtrën se gjoja Florence Harmann-i ka publikuar një libër anti-shqiptar. Për mua është e qartë se këto shpifje irrituese dhe neveritëse shpërndahen nga qarqeve antishqiptare të cilave u intereson që shqiptarët të mos i çmojnë personalitetet që kanë ngritur zërin në mbrojtje të tyre.