Ministri Zharku inauguroi projektin e kamerave monitoruese në Njësinë e Patentë-Shoferëve

Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, inauguroi projektin e kamerave monitoruese për testimin e kandidatëve në Njësinë për Patentë-Shoferë në Prishtinë.

Me këtë rast ministri Zharku, pa nga afër vendosjen e kamerave në  sallat e kësaj njësie që kanë të bëjnë me testimin teorik, njëkohësisht edhe vendosjen e kamerave në veturat në të cilat do të testoheshin kandidatët në testimin praktik. Në të njëjtën kohë ministri Zharku, e pa  edhe procesin e përcjelljes apo monitorimin e testimit të kandidatëve në të dyja testimet si atë teorik po ashtu edhe në atë praktik.

Në konferencën me gazetarë, ministri Zharku këtë projekt e vlerësoi si mjaft të rëndësishëm: ”Sa i përket vendosjes së kamerave në pjesën praktike besoj se kjo shkon në rritjen  e një transparence, e cila transparencë do të ndihmojë në luftimin e dukurive negative si dhe një vlerësim real të kandidatëve të cilët do të testohen për marrjen e patentë-shoferit”.

Ministri Zharku, po ashtu tha se së shpejti pritet që testimi teorik i kandidatëve të bëhet në mënyrë elektronike e që në mënyrë automatike secili kandidat, do ta shef rezultatin e tij në mënyrën më të shpejtë.

Kreu i Infrastrukturës, bëri të ditur se projekti për vendosjen e kamerave ka kushtuar rreth 25 mijë euro, ndërsa për testimin elektronik,  i cili pritet që të realizohet së shpejti vlera parallogaritare është 500 mijë euro. Qëllimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës është që të vendosim një rregull dhe një transparencë më të mirë në procesin e vlerësimit të kandidatëve për marrjen e patentë-shoferit.

Projekti i monitorimit të kandidatëve në pjesën teorike si dhe atë praktike, do të realizohet në 7 Njësitë e Patentë-Shoferëve, në gjithë Kosovën.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …