Gjykata Speciale kundër UÇK-së është themeluar me pajtimin e krerëve politikë të vendit dhe është aprovuar në Kuvend me dy të tretat e deputetëve.
Shumë politikanë, zyrtarë madje dhe veteranë të luftës, nuk e kuptojnë, apo nuk duan ta kuptojnë se kjo gjykatë është raciste, një etnike dhe akuzon e dënon me burg vetëm luftëtarë të UÇK-së, nuk dënon serbë, romë, as shqiptarë që kanë luftuar madje edhe në radhët e regjimit të Millosheviqit, që ka pasur të tillë në Kosovë dhe kush kanë qenë ata, i dimë të gjithë.
Gjykata Speciale nuk është themeluar për t’ i ndjekur kriminelët serbë, sepse ata i ka dënuar Gjykata e Hagës, dhe “gjyqet” në Serbi. Ata nuk trajtohen kriminelë specialë, të tillë trajtohen vetëm eprorët dhe luftëtarët e UÇK-së.
Këtë fakt real, të shkruar, të publikuar sa e sa herë nuk e kanë kuptuar as do ta kuptojnë kurrë disa politikanë e zyrtarë shqiptarë, madje, në mënyrë të papërgjegjshme, për të mos thënë naive, por jo me qëllim të keq këtë e shpreh vetë kryetari i veteranëve, i cili paradoksalisht kërkon që Gjykata Speciale t’ i dënojë edhe krimet serbe, duke u pajtuar që me hir apo pa hir t’i dënojë, “krimet shqiptare”.
“Ne si OVLUÇK shumë shpejt do të takohemi me grupet parlamentare, me kryetaren e Kuvendit. Jemi në bisedime me disa avokatë që Gjykata Speciale t’i fut edhe krimet serbe ndaj popullatës shqiptare”, ka thënë Gucati, raporton “Epoka e re”.
Me këtë kërkesë, OVL e UÇK-së, në radhë të parë pranon verdiktin e Gjykatës Speciale, duke kërkuar që njëjtë, sikur do të dënohen luftëtarët e UÇK-së, që pretendohet se kanë kryer krime në Kosovë kundër 100 serbëve e shqiptarëve kolaboracionistë, të shpallen fajtorë dhe të dënohen edhe kriminelët serbë që kanë vrarë e masakruar 13.500 shqiptarë.
Nuk dua të besoj se kryetari i veteranëve e bën këtë lajthitje me qëllim të keq, por duhet pasur para sysh se një Gjykatë e tillë, sikur është kjo Gjykata Speciale, antishqiptare, në një moment të caktuar paralizon kryetarin e vendit, paralizon takimin ndërkombëtar të aranzhuar në Uashington, në Shtetin me fuqinë më të madhe në politikën ndërkombëtare, dhe i jep të drejtë vetës, që nesër ta pezullojë edhe pavarësinë e Kosovës, sepse Gjykata vepron në kuadër të Rezolutës 1244 të KS OKB-së, e cila është mbi pavarësinë aktuale të Kosovës, andaj edhe ajo e “suspendon” për fillim edhe kryetarin e Shtetit të Kosovë.
Këtë fuqi ekzekutive të Gjykatës që jo rastësisht quhet “Speciale”, dhe që “de iure” është e Kosovës me të ashtuquajturat “Dhoma të Specializuara, dhe “de facto” është gjykatë speciale e OKB-së, që ka autoritet dhe fuqi speciale, nuk e shpërbën dot, kërkesa e veteranëve, por as e Kuvendit të Kosovës, sepse shumica e deputetëve dhe vetë zonja e parë e Kuvendit, as do të pranonte ta merrte në shqyrtim një kërkesë të tillë, pasi bie ndesh me programin operativ të |Gjykatës, e cila kurrë nuk do ta pranonte një modifikim të statusit të vet, gjithsesi special.
Kjo kërkesë nuk e mbulon pasivitetin dhe pacifikimin e OVL të UÇK-së të ndarë e përçarë, e cila nuk është në gjendje të organizojë qoftë edhe një protestë paqësore, sepse ajo mund të dështojë ende pa filluar…
Iluzionistët, që mendonin se gjykata do të dështojë, sepse trimat e UÇK-së atje, gjatë hetimeve e kishin mbrojtur pastërtinë e luftës, dhe të gjithë ishin kthyer fitimtarë, sikur ka raportuar më shumë se dyqind herë OVL e UÇK-së, tani e kanë parë fuqinë ekzekutive vetëm të një prokurori të asaj gjykate, i cili në mënyrë të paligjshme shpall një aktakuzë dhe pezullon nga puna dhe aktivitetet kryetarin e vendit, duke ia veshur 100 krime ende pa e shpallur zyrtarisht aktakuzën, si dhe duke paralajmëruar tronditje të reja, në Kosovë.
Teksti i plotë i OVL të UÇK-së
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK) ka mbajtur të enjten një konferencë për medie, ku drejtuesit e kësaj organizate kanë thënë se Gjykata Speciale është e një anshme, për shkak se është duke i akuzuar vetëm ushtarët e UÇK-së. Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, ka thënë se shumë shpejt do të kërkojnë të takohen me grupet parlamentare dhe kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth mundësisë që Gjykata Speciale t’i trajtojë edhe krimet serbe ndaj popullatës shqiptare.
“Ne si OVLUÇK shumë shpejt do të takohemi me grupet parlamentare, me kryetaren e Kuvendit. Jemi në bisedime me disa avokatë që Gjykata Speciale t’i fut edhe krimet serbe ndaj popullatës shqiptare”, ka thënë Gucati, raporton “Epoka e re”.