Zbatimi dhe respektimi i ligjit me përpikëri dhe marrja e masave më energjike ndaj shkelësve të ligjit, është kërkesë kryesore e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, bërë inspektorëve komunal me në krye drejtorin Naim Hajra, në një takim që ka pas me ta, mbajtur të premten, në të cilin ishin edhe përfaqësuesit e policisë së Kosovës. Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Sami Zeka.
Fillimisht kryetari Bahtiri ka thënë se gjendja sa i përket zbatimit të ligjit nga ana e bizneseve, tregtarëve dhe qytetarëve, kur është fjala për shfrytëzimin e hapësirave publike në qytet, nuk është e kënaqshme.
Ai tha se duhet të merren të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe administrative, që të ndalohet shfrytëzimi i hapësirave të ndryshme, trotuareve dhe rrugëve nga biznese dhe individ në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret komunale.
Në këtë aspekt, kryetari Bahtiri vërejtjet më të mëdha i pati në ekspozimin e mallrave nga ana e tregtarëve dhe bizneseve vend e pavend dhe pa kurrfarë leje të organeve komunale, duke shkaktuar kështu probleme dhe vështirësi të qytetarëve dhe automjeteve gjatë qarkullimit të tyre.
“Kjo situatë më nuk mund të tolerohet. Ju duhet të bashkëpunoni ngushtë me policinë e Kosovës dhe organet tjera komunale që të eliminoni në tërësi këtë dukuri. Masat ndaj atyre që nuk e respektojnë ligjin dhe urdhrat tuaja, duhet të jenë të rrepta dhe të menjëhershme, deri tek mbyllja e dyqaneve, bizneseve, konfiskimin e mallit etj, natyrisht vetëm duke u bazuar në dispozitat ligjore dhe rregulloret komunale”, ju tha kryetari Bahtiri inspektorëve komunal.
Ai pasi kërkoi përgjegjësi dhe disiplinë shumë më të madhe nga inspektorët në punën e tyre, tha se do të inicioj masa disiplinore dhe të tjera ligjore, ndaj të gjithë atyre inspektorëve që nuk i kryejnë detyrat dhe përgjegjësit e veta ashtu si duhet e që shkelin ligjin, si dhe ndaj të gjithë atyre, në punën e të cilëve kanë vërejtje qytetarët.
“Për të mos ardhur deri në këtë situatë, unë ju inkurajoj që të punoni shumë, sepse qytetarët e kërkojnë këtë e ne jemi në shërbim të tyre. Unë në ndërkohë do të bëj përpjekje që të siguroj kushtet e nevojshme për punën tuaj”, ka thënë kryetari Bahtiri.
Në vazhdim të takimit, me qëllim të organizimit më të mirë të punës së inspektorëve, kryetari Bahtiri njoftoj për organizimin e ri inspektorëve, duke i ndarë ata në dy grupe dhe duke i obliguar që të dalin në terren para dhe pas dite.
Ai tha se me këtë organizim të ri të inspektorëve janë njoftuar edhe drejtuesit policor në Mitrovicë, të cilët do të angazhojnë një numër të caktuar policësh që do të jenë në terren bashkë me inspektorët.