Shemsi Vehbi Jusufi (24.6.1967 – 26.3.1999)

Shemsi Vehbi Jusufi (24.6.1967 – 26.3.1999)

Në fshatin Dumnicë e Poshtme të Besianës, (ish-Podujevë), në një familje me traditë bujare, u lind Shemsi Jusufi, më 24 qershor 1967. Shkollimin fillor e kreu në shkollën e fshatit Llaushë, ndërsa atë të mesëm në Besianë, në drejtimin teknik i makinave bujqësore.
Në vitin 1987/88 shkoi në Ushtrinë Jugosllave, dhe pas kthimit u punësua në ndërmarrjen rrugore, ku punoi disa muaj.
Si shumë familje shqiptare, edhe familja e Shemsiut përjetoi tortura nga policia serbe. Në vitin 1995, babai i tij, Vehbiu u arrestua dhe u dënua me tre muaj burgim, me pretekst të armëmbajtjes. Dënimin e mbajti në Prokuple të Serbisë.
Shemsiu ishte një djalë i urtë, i respektuar nga të afërmit dhe i dhënë pas çështjes kombëtare, pikërisht me frymëzimin që kishte marrë nga rrethi familjar. Gjyshi i tij, Syla, i rrëfente për luftërat me serbët.
Kontaktet e para me organizimet atdhetare i pati përmes atdhetarit të njohur të trevës së Llapit, Azem Beqirit.
Ishte pjesëmarrës në protestat dhe demonstratat masive që mbaheshin kundër okupatorit shekullor serb.
Pas vitit 1990 u mor kryesisht me punët e shtëpisë, por duke mos lënë anash çështjen kombëtare. Përkrahu pa rezervë edhe lëvizjen studentore të vitit 1997.
Me daljen në skenë të UÇK – së, në Zonën Operative të Llapit, Shemsiu pa hezitim hyri në radhët e saj. Ai ishte i angazhuar për rajonin e Dumnicës, ku fillimisht dha kontribut në rekrutimin e të rinjve nga ky rajon, duke qenë i angazhuar drejtpërdrejt nga komanda e zonës.
Shemsiu mori pjesë në betejat e zhvilluara në Llapashticë, Gegaj, Kastrat etj. Ndër shokët më të afërt të luftës Shemsiu kishte Hysen Fazliun, Xhevat Azemin etj.
Nga fillimi i viti 1999 veçanërisht pas fillimit të bombardimeve të NATO – s, forcat serbe kishin ndërmarrë aksionin për pastrimin etnik të Kosovës, duke përzënë popullatën shqiptare. Në ZOLL vazhdonte ofensiva me përmasa të ngjashme e cila pretendonte të zbatonte planin famëkeq “Patkoi”.
Fillimi i bombardimeve të NATO – s kundër forcave serbe me 24 mars 1999 ishte një tregues se UÇK, në luftën kundër forcave policore, ushtarake e paramilitare të pushtuesit serb, kishte aleatin më të fuqishëm, NATO – n dhe se sundimit serb në Kosovë po i vinte fundi, prandaj forcat serbe filluan hakmarrjen ndaj popullatës civile shqiptare duke vrarë, keqtrajtuar, masakruar, dëbuar popullatën nga vatrat e saj, djegien masive të vendbanimeve shqiptare etj.
Gjatë luftimeve të zhvilluara nët çlirimtarë mbrojtën pozicionet dhe vijën e kufirit në një gjatësi rreth 100 kilometra, në Tashefc, Pollatë, Repë, Llaushë, Dobërdol, Dumnicë, Përpellac e fshatra tjera në të cilat luftime pati edhe të plagosur e të rënë për liri në mesin e të cilëve ishte edhe Shemsi Jusufi. Ai ra heroikisht në fshatin e tij të lindjes në Dumnicë, më 26 mars 1999. Trupi i dëshmorit u rivarros më 16 korrik 1999 në varrezat e fshatit të lindjes ku i është ngritur lapidari.
Pas fillimit të bombardimeve të forcave të NATO – s dhe pas largimit të popullatës nga ajo anë, Shemsiu kishte shkuar në fshatin e tij dhe për ta vëzhguar kufirin. Gjatë këtij udhëtimi bie në pritë të forcave paramilitare dhe në dyluftim e sipër bie e nuk dorëzohet. Trupi i tij nuk ishte gjetur deri pas largimit të forcave pushtuese nga kjo trevë. Ai ishte identifikuar në varrezat e fshatit Dumnicë e Posdhtme.
Pas luftës familja e dëshmorit Shemsi Jusufi është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme, nga SHP i UÇK-së, nga komanda e ZOLL-it, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …