Veton Surroi

Bedri Halimi: INATI I MADH DHE TAKATI I VOGËL I SURROIT, NË NJË PAMFLET POLITIK (3)

Thaçi: Surroi ishte për autonomi nën Serbi!

Po pse gjithë ky pezëm i Surroit kundër Thaçit.
Mund të jenë arsye të shumta, por ne në këtë rast do ti sjellim vetëm dy.
E para, dëshirën e papërmbushur të Surroit për të qenë president, apo ministër i punëve të jashtme.
Dhe e dyta, nga se Hashim Thaçi zbuloi se Veton Surroi ishte për autonominë e Kosovës sipas 1974-es. Ai duke zbardhur një pjesë të panjohur të negociatave që janë zhvilluar në Rambuje, tha se në delegacionin kosovar, ka pasur njerëz që ishin në gjendje të bëjnë gjithçka vetëm për të ruajtur qetësinë dhe interesat e veta.
Në mesin e tyre, sipas Thaçit, ka qenë ish shefi i ORA-s, dhe pronari i grupit “Koha”, Veton Surroi. “Ai ka qenë në gjendje që të nënshkruaj gjithçka vetëm për të mbajtur gazetën e tij”, ka thënë Thaçi.
Bile, akuzat e tij, ndaj Surroit kanë shkuar edhe më larg. Ai ka thënë se Surroi është shfaqur i gatshëm, dhe ka kërkuar edhe nga Presidenti tashmë i ndjerë, Ibrahim Rugova, që të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet që asokohe organizoheshin nga shteti i Serbisë.
Edhe më vonë Surroi është deklaruar, se është i gatshëm të nënshkruaj formulën Drashkoviq-Mustafaj. Roli i tij është të pranoj kompromiset e formuluara në Serbi e të mbështetura nga ndërkombëtarët.
Veton Surroi siç thotë Hysamedin Ferraj, “është një variant i Sejdo Bajramoviqit, por që është sajuar nga vetë ndërkombëtarët në rast nevoje për t’i detyruar shqiptarët të tërhiqen nga kërkesa për pavarësi”. Por ashtu siç dështuan përpjekjet e Surroit për të ruajtur Jugosllavinë, dështuan edhe përpjekjet e Mustafajt që në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë organizoj promovimin e librave publicistikë-fiktivë të Surroit, si mënyrë e promovimit të tij, e propagandimit, e rritjes së peshës, në qoftë se ndërkombëtarëve, nën presionin e lobingjeve serbe u duhet ta përdorin si presion ndaj politikanëve të tjerë shqiptar të Kosovës për ta nënshkruar zgjidhjen e “pavarësisë së kushtëzuar”, në formulen e ashtuquajtur “më pak se pavarësi”.
Qëndrimet që mbajti Mustafaj për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës dhe sidomos me veprimin e pashembullt që bëri duke organizuar një promovim të librit të Surroit në sallonet e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në prani edhe të diplomatëve të huaj provon se preferenca e Mustafajt ishte pikërisht për Surroin. Sallat e Ministrisë së Jashtme nuk janë klub letrar, as lokal i njohur për veprimtari private, as vend ku ministri i jashtëm mund të bëjë ceremoni letraro-politike për miqtë e tij personalë. Por, reklama i duhej edhe Surroit si për faktorin e brendshëm ashtu edhe në diplomacinë ndërkombëtare.
Por ‘katundarët’ se lan. Ah ‘katundarët’, që shpirtin ja hëngrën duke e lënë të vuaj nga nostalgjia…

Dëshira dhe inatet e Surroit për të qenë i pari

Duke dashur që të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes, si dhe nga fakti se tashmë një kohë nuk është në qendër të vëmendjes, Surroi e gjeti fajtorin pse nuk është në qendër të vëmendjes. Fajtori është Qeveria, pra institucionet e Kosovës, te cilat në fushëveprimin e tyre nuk kanë denjuar asnjëherë që ta honepsin Surroin. Nuk kanë marrë mundin as ta thërrasin në një kafe. Pale pastaj edhe për ta marrë mendimin e tij, apo për tu këshilluar me të. Kështu Surroi edhe pse nuk e ka dashur asnjëherë Enver Hoxhën e vjetër, dhe Shtetin Shqiptar, mendësinë komuniste e ka pasë prezente gjithnjë, ndonëse të stilit jugosllav. Dhe mendësia komuniste nuk e lejon njeriun egocentrik që të jetë dikund i dyti. Pale pastaj edhe të mos jetë dikund fare. Prandaj duke u nisur edhe nga begraundi i pedigresë familjare, Surroi kritikon. Surroi, është mësuar të jetë shef, si në Kohavizion, herë në skenë e herë në hije. Është mësuar ta quajnë shef. Madje shef i madh. Por, shefllëku i tij jo gjithherë ka shkëlqyer. Edhe përkundër kësaj, ambiciet dhe dëshira për shkëlqim i kanë mbetur e pathyeshme. Qoftë edhe nëse nuk mund të realizohet asnjëherë. Surroi është shef. E dini pse? Pos tjerash sepse edhe veten e quan shef. Dhe jo vetëm kaq! Sepse edhe mendon se është shef edhe atje ku nuk është, Prandaj vazhdon të sillet si shef, të mendon si shef, pavarësisht që përfundimin e ka pasur jo të lakmueshëm për shefat.
Pra Surroi nuk e ka dashur Enver Hoxhen e Vjetër, por si pinjoll i logjikës së njëtrajtshme moniste që është, i ka mbetur në mendje kënga “Enver Hoxha e mprehu shpatën, edhe njëher për situatën”. Po aq sa i ka mbet në kujtesë edhe kënga e idhullit të tij shpirtëror “Druze Tito mi ti se kunemo”. Prandaj, Surroi Enver Hoxhen s’e do, por ama shpatën po. Me shpatë të mpreht në dorë Surroi do të qajë përpara “bllokada e fortuna”. Mjer kush i del përpara. Dhe merre me mend, nëse përpara i del një Enver Hoxhë tjetër, i riu, se çka do të mendoj Surroi për të dhe çka do të veproj ndaj tij. Enver Hoxha i riu, te Surroi ‘no pasaran’, edhe për faktin se e ka emrin e Enverit të Vjetër. Surroi nuk fal. Surroi është mjeshtër. Surroi godet. Pavarësisht se ndonjëherë e shkel edhe grabujën. Ani çka? Surroi jep goditje, por nuk pranon goditje. Kështu që në mungesë të goditjeve ndaj Surroit, ai shpeshherë e godit veten. Është demokratike apo jo, ta godasësh veten? Por si duket Surroi akoma nuk e ka mësuar një gjë. Se duke e goditur veten në vazhdimësi, nganjëherë duke dashur që të bëhesh shumë trim, mund ta godasësh edhe në vend të keq. Dhe si rrjedhojë të pësosh. E kjo quhet Vetëvrasje. E “ai që e vret vetveten me dorën e vet, hak nuk mund t’i kërkoj askujt”.

Tiradat e Surroit të përmbledhura me një Pamflet politik

Surroi është inatçi, edhe kur është me sheshir në kokë, edhe kur nuk është. Edhe kur del në demonstrata, edhe kur jep instruksione për to, Surroi është aktiv. Por ja që ky aktivitet i Surroit nuk po jep fryte të dëshiruara nga ai. Po këtu është një problem i vogël: Surroi është vonuar për demonstrata. Surroi asnjëherë nuk ka qenë në Demonstrata. Kështu që Surroi ka mbetur i pamësuar për demonstrata. Dhe kur nuk i ndez në rrugë, nga inati ai këtë lojë e vazhdon në letër, që të shkruaj. Kështu. së fundmi disa nga mbllaçitjet e njohura të Surroit, pak të redaktuara janë përmbledhur në një të ashtuquajtur libër me titull “Këmbët e Gjarprit”. Gjërat që i observon në ‘libër’ i quan ‘shënime heretike’.
Në funksion të qëllimit të inatit të tij ka vënë edhe median e tij ‘Kohavizion’, duke e reklamuar para opinionit se deri më tani ‘libri’ qenka ribotuar disa herë. Kjo me qëllim për ti bërë njerëzit sa më kureshtar, në mënyrë që ta blejnë librin. E duke e blerë ‘librin’, Surroi do të fitoj para, dhe njëkohësisht t’i shes idetë e tij për realitetin e UÇK-së dhe Drejtorit të Drejtorisë Politike të saj. Surroi, përmes këtij libri synon që të mohoj gjithçka, të kritikoj gjithçka, të nënçmoj gjithçka, të tallë dhe ironizoj gjithçka dhe mbi të gjitha këto, duke u munduar për ta nxjerrë veten më të diturin, më të ngriturin. Duke u munduar kështu t’i këndoj këngë vetes. E ‘ai që i këndon këngë vetes, e vret këngën’. Por të gjitha këto synime të Surroit janë të dështuara sërish, siç ka qenë i dështuar në të gjitha synimet e deritashme. Kështu që Veton Surroi kungullin e pjekur në hije, nuk mund të na shes për pjepër të pjekur në diell.
Por të shohim se çka bluan Veton Surroi në imagjinatën e tij, përmes pamfletit të quajtur “Këmbët e Gjarprit”. Që në fillim, duke ju referuar lexuesit, thotë se ky libër u shkrua si nevojë për të mbajtur shënime për një epokë, për ta kuptuar atë, por jo edhe për ta dhënë të vërtetën definitive për të. Pra Surroi do të shkruaj, për një epokë, me pretendimin e padeklaruar, se të thënat e tij, pretendojnë që të jenë e vërteta absolute për të. Këtë e dëshmojnë shumë gjëra që do të trajtohen në vazhdim. Prandaj morëm guximin për të shkruar disa fjalë për këtë ‘libër’ të tij për t’i treguar se broçkullat e Surroit nuk i ha kush. E pse jo edhe për të lënë një dëshmi për kohën, në mënyrë që pas disa deceniesh shumë autorë serbë, në pamundësi për të gjetur ‘argumente’ që u duhen atyre për interesa të Serbisë, do t’i referohen broçkullave të Surroit, duke e cituar në stilin “kako je rekao poznati intelektualac sa Kosova Veton Surroi. . . ”

Dështaku i politikës, Surroi, vajton për mësues historie

Për Vetonin “historia e Kosovës ka mundur të dukej ndryshe po të kishte vendosur ashtu siç nuk deshi, në pranverë të vitit 1999 Hashim Thaçi të bëhej arsimtar i saj, i historisë në Malishevë” për të vazhduar se kjo histori do të dukej ndryshe gjithsesi po të kishin mbetur në shkollën e mesme të Drenasit arsimtari i Historisë Jakup Krasniqi…
Këtë sintagmë Surroi do ta përsërisë, ripërsëris e stërpërsëris disa herë duke i mbllaçitur, përtypur e ripërtypur tiradat e tij.
Në formulimet e bëra në adresë të Hashim Thaçit, Surroi nuk ngurron t’a ironizoj popullatën rurale të Kosovës duke konkluduar “Këta individë të vazhdonin një rrjedhë të parapërcaktuar te një modeli në socializëm, pra të nxënësve nga fshati, madje të regjioneve më të pazhvilluara të Kosovës, që vijnë në Prishtinë, regjistrohen në fakultet dhe me të mbaruar, kthehen në regjionet e tyre për të hyrë në punë shteti”.
Thirrjes së Surroit dhe dëshirës së tij sikur të kishte mbet Hashim Thaçi mësues historie në Malishevë, “Historia do të dukej ndryshe” vërtetë qëndron. Por jo ashtu siç pretendon Surroi. Po të kishte mbetur mësues historie, d. m. th as UÇK-ja nuk do të ekzistonte. Po të mbeteshin inteligjenca rurale mësues historie, siç preferon Burdushi i Kosovës – Veton Surroi, atëherë historia do të mësohej vetëm nga servuesit e historisë edhe kjo do ti binte: “Për marshin e Igmanit; “Boshko Buhën”; “Mirko e Sllavkon”; “Sutjeskën”; “Neretvën”; “Desantin në Dërvar”; “Kozarën”… edhe për “Republikën e Uzhicës”, natyrisht të ndryshuar.
Mësuesit e letërsisë ndoshta do të mësonin edhe për babain e Veton Surroit, për kontributin e tij në letërsinë Shqipe për shqiptarët në Jugosllavi. Pra, predikimi i Surroit në këtë ‘libër’ është se sipas tij nuk ka qenë dashur të ndodhë asgjë në Kosovë nga Shqiptarët sepse që të gjitha këto do të ndodhnin vetvetiu.
Kjo i bie sikur të besosh që nga qielli do të bien kokrra gruri. A mund ta besoj këtë një njeri normal që sadopak e di rrjedhën logjike të historisë së njerëzimit? Prandaj Surroi nuk është i kënaqur as me UÇK-në as me luftën, as me luftëtaret, as me 12 Qershorin, as me 17 Shkurtin. E dini pse? Sepse në të gjitha këto është i përzier “Gjarpri“ me “këmbët” e tij. Prandaj, duam të potencojmë se nga qielli mund të bie shi, borë, por edhe breshër, por kurrë kokrra gruri.
Prandaj, ai në funksion të idesë së tij të dështuar paraprakisht hedhë këto dy teorema:
“E para, Kosova do të çlirohej më 12 Qershor të vitit 1999, me gjithë vendimet pozitive të katër të diplomuarve në histori për të vazhduar kontributin e tyre shoqëror si mësimdhënës.
E dyta, Kosova do të shpallej e pavarur me 17 shkurt të vitit 2008 dhe orën e parë të mësimit me 18 shkurt të atij viti do të mund ta mbanin në Malisheve, Drenas. . . profesorët e apostrofuar”.
Parashtrohet pyetja: si do të çlirohej Kosova pa sakrificën e UÇK-së?! Dhe si do të shpallej Pavarësia e Kosovës pa çlirimin e saj?
Këtu është edhe përgjigjja në pyetjen se çka do të ndodhte nëse Hashim Thaçi do të mbetej mësues historie. Në rrethana të tilla ai do ta shpjegonte historinë dhe atë të observuar nga të tjerët. Edhe 1000 vjet zoti ymër po ti jepte Serbisë dhe Surroit, po aq vjet Serbia do të qëndronte në Kosovë. Po aq vjet Kosova do të ishte e okupuar dhe po aq vjet nuk do të shpallej pavarësia e saj.
Hashim Thaçi nuk deshi të mbetej mësues historie, sepse së pari deshi ta krijoj historinë për t’u futur vetë ne të. Surroi mund të mos pajtohet më këtë realitet. Mund të bërtasë sa të çirret së bërtituri. Mund edhe të pëlcasë po deshi. Mund të kërcejë drejt përpjetë, dhe t’i mëshoj me këmbë kalldrëmit poshtë, por realiteti nuk ndryshon: Hashim Thaçi ka bërë historinë dhe është futur në Histori. Veton Surroit kjo histori mund t’i mos pëlqejë. Kjo çështje është e tij personale, që bën pjesë në kuadër të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. E Hashim Thaçi nuk është fajtor nëse Serbia s’mund të kthehet në Kosovë, qoftë edhe për inate të Hashim Thaçit, e as për dëshirë të Surroit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …