Kryetari i Bashkësisë Lokale i fshatit, Karaçevë e Poshtme, Selver Lenjani, vizitoi Radion Kosova e Lirë dhe me këtë rast bisedoi edhe me drejtorin, Ahmet Qeriqi. Ai e ka falënderuar këtë Radio për kontributin informativ, që i ka dhënë dhe po iu jep shqetësimeve të banorëve të Karaçevës, në Brezin Kufitar mes Kosovës e Serbisë, që vazhdimisht po mbahen në presion nga prania dhe provokimet e forcave të xhandarmërisë serbe, të cilat e demonstrojnë forcën e tyre, duke i shqetësuar e frikësuar banorët shqiptarë të fshatit. Selver Lenjani ka kërkuar që mediet dhe shoqëria shqiptare përgjithësisht ta sensibilizojnë sa më shumë çështjen e pazgjidhur të demarkacionit të Kosovës me Serbinë, veçmas në fshatin Karaçevë, i cili gjithmonë ka qenë pjesë brenda kufirit të Kosovës, ndërsa pas luftës e deri tani, forcat serbe pretendojnë se një pjesë e këtij rajoni i takon Serbisë. Z. Lenjani, me këtë rast i ka dhuruar drejtorit të Radios dy “Mirënjohje” për kontribut në sensibilizimin e kësaj çështjeje me rëndësi jetësore për banorët e kësaj ane. Drejtori i Radios, Ahmet Qeriqi, është zotuar se, ashtu si deri tani do të vazhdojë ta përkrahë pa rezervë dhe ta sensibilizojë sa më shumë zgjidhjen e kësaj çështjeje.