Më 27 mars 1999, dy aeroplanë bombardues jugosllavë kanë goditur selinë e Radios-Kosova e Lirë dhe të Agjencisë Kosovapress

 Më 27 mars të vitit 1999, në orën 8.20 minuta, dy aeroplanë bombardues të forcave jugosllave kanë marrë në shënjestër  selinë  e Radios Kosova e Lirë dhe të Agjencinë Kosovapress. Një ditë më parë po ata aeroplanë kishin goditur ish-selinë e zëdhënësit të SHP, Jakup Krasniqi, në Kleçkë.

Sulmi nga ajri i forcave serbe kundër selisë së Radios, ishte kryer vetëm tri ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake e strategjike të Serbisë dhe Malit të Zi. Dy aeroplanë jugosllavë të tipit Mig 21, të ardhur nga Republika Srpska, kanë marrë në shënjestër lagjen e fshatit Berishë, ku ndodhej selia e Radios dhe e Agjencisë, dy institucionet informative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Aeroplanët kanë zbrazur  nga katër arka bomba të tipit kasetë, në një hapësirë prej Shtëpisë së Osman Berishës, shtëpisë së Asllan Berishës e deri te shtëpia e Mehmet Berishës në një sipërfaqe rreth 300 metra. Nga shpërthimi i bombave është vrarë, Elbasan Jakup Berisha, 16-vjeçar, ndërkohë që kanë marrë plagë, dy prindërit e Elbasanit dhe gjashtë  anëtarë të kësaj familjeje.

Prej 27 marsit e deri në 8 prill 1999, stafi i Radios-Kosova e Lirë dhe i Agjencisë Kosovapress ka vepruar në rrethana të jashtëzakonshme. Katër ditët e para pas bombardimit, transmetimi i programit të Radios është bërë duke lëvizur vendin e antenës, meqë ajo ishte identifikuar dhe forcat serbe granatonin pa ndërprerë. Ndërkohë stafi i Radios me ndihmën edhe të ushtarëve të Brigadës 121, Ismet Jashari Kumanova ka filluar ndërtimin e Bunkerit në Majën  e malit Pallanik, një kuotë malore me gurë, në të cilin është transmetuar programi i Radios deri më 21 qershor të atij viti.Katër ditë të “Kronikës së luftës” 27-31 mars 1999, ( shkëputur nga vepra dokumentare në dorëshkrim, rreth 1200 faqe, në periudhën kohore 29 maj 1998- 21 qershor 1999)

E shtunë 27 mars 1999

Jam zgjuar herët në mëngjes, por duke parë se ishte mjegull dhe të gjithë ende po flinin, sërish jam futur në shtrat. Ndihesha tejmase i sensibilizuar dhe nuk gjeja qetësi. Sa herë që më kaplojnë shqetësime të tilla parandiej ndonjë të papritur. Tërë kjo vjen edhe nga ngjarjet e ditëve të fundit.

Rreth orës 8.00 kam dalë tek Lisat këtu afër shtëpisë së Rizah Berishës dhe po vështroja fshatrat e Drenicës, të cilat i ka mbuluar tymi i zi i shtëpive të djegura i mbuluar me mjegull. Pas pak u zgjua edhe Isë Krasniqi i cili filloi ta montonte adopterin e telefonit satelitor në akumulatorin e veturës, meqë nuk kemi rrymë. Ndërkohë duke parë dy aeroplanë që kishin filluar të ateroni  mbi Blinajë bëj pak hapa tutje drejt gardhit për të hulumtuar se ku kishin cakun. Në moment kanë bërë kthim të stërshpejtuar përmbi Malin Gradinë dhe të dy paralelisht, me furi të rrufeshme janë drejtuar në drejtim të selisë. Instinktivisht jam përplasur te gardhi dhe kam mbuluar kokën me duar. Aeroplani ka kaluar përmbi kokë në lartësi ndoshta 80-100 metra. Në moment kam dëgjuar shpërthimet e fuqishme në lagjen e Berisha të fshati. Livadhi përballë ishte mbuluar me disa elemente të vogla të plastikës, të cilat nuk di se si u shpërndanë dhe kah erdhën. Në Lagjen përballë afër 150-200 metra u dëgjuan shpërthime të fuqishme. Një si re pluhuri kam hetuar te shtëpia e Kadri Mehmet Berishës.

U nisa në drejtim të Selisë, pa e ditur se të gjithë ishin zgjuar. Nga shtëpia dalin me shpejtësi, Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Rizah Berisha, Valdet Hoti, Ismet Sopi, Besnik Berisha, Fatmir Dugolli, Berati, Qemali, Meta e të tjerë. Krisma e ka zgjuar edhe Nusretin. Ai ka rënë për të fjetur në mëngjes meqë gjatë natës  ka qenë në roje.

Martin Çuni, Ismet Sopi, Besnik Berisha dhe Valdet Hoti janë nisur në drejtim të shtëpisë së Kadri Mehmet Berishës. Pas pak ata kanë lajmëruar se si pasojë e shpërthimit të bombave të tipit kasetë, të hedhura nga dy aeroplanët Mig 21 të forcave armike, ka vdekur Elbasan Jakup Berisha 16 vjeçar, vëlla i katër motrave dhe janë plagosur rëndë e lehtë edhe tetë pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje dhe të një familjeje tjetër mike që ka qenë e strehuar aty. Janë plagosur edhe prindërit e Elbasanit, dy bijat e Nuhi Berishës e të tjerë.

Ishte ky sulm i paralajmëruar në njëfarë mënyre, por ne nuk kemi sens për preventivë. Të gjithë anëtarët e stafit jemi vendosur  një 100 metra më poshtë te Zabeli afër varrezave. Atje e kemi maskuar edhe xhipin dhe sakaq Isë Krasniqi e ka transmetuar informatën për sulmin e aeroplanëve në Berishë.

Rreth orës 12,30 në vendqëndrimin tonë Te Zabeli ka ardhur Haxhi Shala, Komandant i Operativës i Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova. Së bashku me Haxhiun ka ardhur edhe bija ime Arbanë Qeriqi dhe Faruk Hajredin Gashi, të cilët kur kanë dëgjuar për sulmin, nga Gryka e Krojmirit këmbë kanë depërtuar në Kleçkë e prej andej së bashku me ta ka ardhur me xhip edhe Haxhi Shala. Arbana është shqetësuar tejmase, meqë ishte përhapur lajmi se është goditur selia jonë.  Pas një gjysmë ore, Arbana dhe Faruku janë nisur së bashku me komandant Topin në drejtim të Kleçkës.

Arbana është kthyer sa më parë meqë e kupton se familja dhe të tjerë janë tejet të shqetësuar, meqë ishin përhapur lajme se ishte bpmbraduar selia e Radios.

Edhe pse në natyrë dhe pa kushtet elementare për punë iu kemi rrekur sajimit të informacioneve duke i shkruar me stilolaps, në letër, ndërsa pastaj i përshkruan me dorë, Nusret Pllana, me qëllim që informatat t`i lexojë pa gabime.

Luftimet kanë filluar edhe në rrezen e veprimit të Brigadës sonë drejt maleve të Kizharekës, të Arllatit e të Llapushnikut. Serbët kanë bërë përforcime në Komaran dhe kanë filluar të djegin shtëpitë. Banorët e Kamaranit janë larguar më herët nga shtëpitë e tyre.

Ushtarët tanë në Bajrak na bëjnë me dije se një cifël predhe e ka goditur edhe antenën e Radios. Martin Çuni, Valdet Hoti, Rizah Berisha dhe Fatmir Dugolli kanë shkuar te antena me qëllim që nga vendi ku tanimë janë identifikuar antenat të vendosen në një pikë tjetër, meqë në orarin e caktuar dihet të japim informacionet dhe t’ ia bëjmë me dije opinionit se e kemi mbijetuar sulmin shkatërrimtar të aeroplanëve të armikut.

Në orën 15.00 pas një rrugëtimi katër orë nëpër grykat e maleve të Baicës e të Nekocit te Zabeli kanë ardhur edhe biri  im, Epiri dhe Elhami Qeriqi. Ata me të dëgjuar për sulmin në Berishë kanë mësyrë këmbë. Duken të lodhur e të dërrmuar nga ecja, por nuk duan t’ ia dinë rrugës kur kuptojnë se kemi shpëtuar. Pas një gjysmë ore, Epiri dhe Elhamiu nisen në drejtim nga kanë ardhur. Duhet të ecin edhe katër orë të tjera deri në Krojmir..

Në orën 16.00, ashtu si gjithnjë prej 4 janarit  përhapet në eter  zëri paralajmërues i fitores, Ju flet Kosova e Lirë. Është kjo një sfidë tejet e rrezikshme që po ia bëjmë armikut, meqë mjetet serbe të informimit, qysh në orën 12.00  kanë dhënë lajmin se është asgjësuar radioja sikur e quajnë ata e “terroristëve” në Malet e  Berishës. Kjo është përgjigjja jonë, tanimë e përjetësuar me qëndrimin e patundur, “Ecim para vëlla- kthim prapa s’ ka”.

Pasi është errësuar kemi depërtuar në podrumin e selisë dhe jemi ngrohur te stufa. Të gjithë jemi të lodhur dhe të dërrmuar. As në këto çaste tejet dramatike familja e Asllan Berishës, nuk na ka harruar. Buka është gati. Atë në rrebeshin e granatave e ka përgatitur familja e Asllan Berishës.

Kjo na bën edhe më të fortë, sepse tanimë po bindemi përfundimisht se nuk ka forcë që na ndanë, nuk ka forcë që e largon këtë popull nga ushtria e vet çlirimtare.

Pasi kemi ngrënë darkë, së bashku me Rizah Berishën, Martin Çunin dhe Nusret Pllanën kemi shkuar për ngushëllim te Kadri Mehmet Berisha. Gjëmimet e topave të armikut po dëgjohen në drejtim të Abrisë dhe të Likocit. Dritë nuk ka askund. Rruga është e mbushur me baltë dhe ujë.

Xha Kadriun, dhe bijtë e tij Jakupin e Mehmetin i gjejmë në shtëpi. Ata kanë dhembje por nuk jepen. Jakupi, babai i Elbasanit martir, e ka një plagë në qafë, të cilën ia kanë lidhur me fasho. Janë plagosur edhe dy bijat e Nuhi Berishës, të cilat janë dërguar për trajtim të mëtejmë në fshatin Sedllar.  Të tjerët kanë plagë të lehta.

Xha Kadriu qëndron. I fortë duket edhe Jakupi, edhe pse në shpirtin e tij hetoj një dhembje të papërshkrueshme. Elbasani ishte djali i vetëm,  i lindur më 28 nëntor të vitit 1983, i lindur në datën më të rëndësishme të historisë sonë. Një koincidencë domethënëse.

Pas qëndrimit njëorësh, nga shtëpia e Xha Kadriut nisemi drejt selisë.

Derisa po rrugëtonim nëpër baltë hetoj se këmbët janë mpirë dhe nuk e kuptoj se trupi po i zvarrisë, apo ato po më tërheqin zvarrë. Dymbëdhjetë orë në këmbë…

Futemi në podrumin e selisë. Dikush ka rënë në një qoshe. Një tjetër gërhet. Njërin e ka zënë gjumi pa u mbuluar me batanije. Një tjetër dremit apo flet përçart. Nëpër terr lëshohemi kush ku mundet…

 E diel 28 mars, 1999.  Angazhimin tonë informativ e kryejmë në natyrë. Ndërkohë bëjmë përpjekje ta rregullojmë një tendë për tërë stafin

Jemi zgjuar të gjithë në orën 5 të mëngjesit. Me transmetimin e emisionit të djeshëm, forcave serbe iu kemi dhënë të kuptojnë se jemi  dhe këtu do të jemi. Pikërisht për këtë duhet të largohemi sa më parë nga shtëpia, meqë aeroplanët mund të na vizitojnë sërish.

Vazhdimisht po bën një mot i lig me mjegull dhe lagështirë.

Edhe sot kemi mbetur në natyrë. Ende nuk kemi vendosur se si do t`ia bëjmë. Do të qëndrojmë këtu apo për shkaqe taktike do të na duhet  të ndërrojmë vend.

Martini propozon të rregullojmë një bunker në Majën e Pallanikut. Berati mendon se duhet të ikim nga këtej. Si duket po troket koha e ndarjes. Tani për tani jemi këtu,  në vendin e quajtur te Zabeli, apo te varret. Jam mbështetur për një lis të madh ahu dhe kam filluar të evidentoj në këtë fletore  rrjedhën e ngjarjeve sidomos të ditës së djeshme, meqë gjatë natës nuk kam arritur të shënoj asnjë rresht.

Isë Krasniqi po bën kujdestarin te telefoni satelitor. Ai i ka montuar një pllakë për grumbullimin e rrezeve. Këtu ka valë të mjaftueshme për komunikim.

Martin Çuni, Rizah Berisha dhe Fatmir Dugolli kanë depërtuar në një luginë në drejtim të Gradinës, për të caktuar një vend ku do ta ngrehim tendën e najlonit, meqë  gjatë tërë ditës nuk mund të qëndrojmë këmbë.

Neziri po i përgatitë lajmet, ndërsa Nusreti i përshkruan, në mënyrë që të mos habitet gjatë leximit.

Popullata e zhvendosur e fshatit Berishë është këtu afër nesh. Dëgjohen zëra fëmijësh dhe zëra nënash të shqetësuara për fatin e fëmijëve të tyre.

Popullata e fshatit Kizharekë po ashtu është dyndur në brendësi të Grykës, te Mrizet e Berishës, pikërisht nëpër tendat ku ka mbijetuar gjatë verës së vitit të kaluar.

Lajmet nga Tirana bëjnë me dije se në kufirin shqiptar të Morinës kanë arritur dhjetëra mijëra të dëbuar. Afër 20 mijë kanë kaluar tanimë kufirin.

Gjatë kalimit në kufi, serbët iu marrin të gjitha dokumentet dhe të hollat. Në disa raste ata i ndajnë anëtarët e familjeve dhe nga mesi i tyre i marrin sidomos të rinjtë.

Pritet një fluks tjetër, që tanimë është nisur nga Suhareka, Rahoveci  Prizreni dhe fshatrat përreth. Nuk kemi informacione se si ka vajtur halli i dhjetëra mijëra vetave të dyndur nga rajoni i Drenicës.

Nga Prizreni bëhet e ditur se barbarët serbë e kanë shkatërruar dhe djegur shtëpinë muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Piromanët serbë kanë kryer masakra çmeritëse në Celinë, Në Suharekë, në Krushë të Madhe e të Vogë, në Gjakovë, në Prizren dhe kudo ku kanë arritur. Ata po i fshehin gjurmët e krimeve meqë kufomat po i djegin dhe po i asgjësojnë. Në Izbicë të Skënderajt druhet me të drejtë se është ripërsëritur Srebrenica e Bosnjes. Nga Zona e Drenicës nuk arrijmë të marrim informacione.

Edhe pse kemi pak informacione, megjithatë e kemi përgatitur një emision me lajme dhe komente të caktuara që kemi filluar t`iu bëjmë disa informacioneve. Pasi e kemi transmetuar emisionin, me Nezirin kemi depërtuar në vendin ku Riza dhe Martini e kanë caktuar për ta ngritur tendën. Shumica pajtohemi se duhet të vendosemi sa më afër antenave me qëllim që të mos rrezikohemi gjatë vajtje ardhjeve. Berati e sidomos Qemal Aliu i cili i rri prore pranë  nuk pajtohen që të jetojmë në tenda.

Ata si duket po përgatitën për të ikur nga kjo zonë…

Në mbrëmje me Nezir Myrtajn kemi depërtuar në Kizharekë dhe prej andej me Sylë Qeriqin dhe Elez Durmishin kemi shkuar në Krojmir.

Në orën 21, së bashku me Nezën, Sylën, Elezin e të tjerë kemi dalë në Bungishte te vorret e Lagjes Qeriqi, për të përcjellë bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe. Kanë dalë për ta parë këtë spektakël edhe shumë të rinj nga Krojmir. Disa prej tyre kanë depërtuar në maje të Grapit, meqë nga atje shihet edhe rrafshi i Kosovës.

Ndërkohë kemi parë sulmin në afërsi të Blinajës në ndonjë bazë ushtarake të papërcaktuar serbe në fshatrat e Lipjanit. Hetohet edhe kundërpërgjigjja e armëve raketore dhe kundërajrore të forcave armike. Mirëpo aeroplanët bombardues të NATO-s nuk lëshohen në rreze të veprimit deri ku i arrin raketa e armikut. Serbët megjithatë po mundohen të qëndrojnë…

 

E hënë 29 mars, 1999.  Drenica jugore  është vënë në rrethim të hekurt. Pritet fillimi i depërtimit të  forcave të armikut

Në mëngjes, unë Nezir Myrtaj dhe Fatmir Dugolli jemi nisur për në Berishë. Një sasi të mjaftueshme të najlonit e kemi marrë te Idriz Qeriqi dhe e kemi transportuar deri në Kizharekë. Prej  andej duhet që Riza po ndodhur tjetër me traktor ta dërgojë në tendën të cilën mendojmë ta rregullojmë qysh sot.

Sot duket një ditë pak më e qetë në rajonin tonë. Forcat serbe po përgatitën për të na futur në rreth, në të ashtuquajturin “Rrethi i patkoit”. Ata mund të fillojnë ofensivën drejt Rrafshnaltës nga çasti në çast.

Kemi arritur se vendqëndrimi i ri në natyrë, te Vorret e Berishës. Isë Krasniqi po jep dhe po merr informacione. Neza ka përgatitur një koment. Nusreti i ka përshkruar informatat. Valdet Hoti dhe Fatmir Dugolli po përkujdesën për gjeneratorin dhe teknikën transmetuese, të cilën e kemi vendosur në xhip. Ushqehemi me çka kemi Me veti kam marrë disa krofne që i ka përgatitur bashkëshortja ime, Zymryti, të cilat i hamë të gjithë së bashku.

Edhe pse ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet për të qëndruar këtu në vijën e parë të fronit, por larg popullatës civile, Berati dhe Qemali duan me çdo kusht të largohen nga këtu. Ata si duket vetëm tani  e kanë kuptuar se jemi në luftë dhe në rrezik permanent. E ndiej se do të ndahemi përgjithmonë por nuk merakosem. Është rrjedhë logjike e situatës, sepse  jo të gjithë njerëzit janë krijuar për të qëndruar.

Sipas burimeve ende të pakonfirmuara të lajmeve, që kryesisht dëgjohen përmes radiolidhjeve të ushtarëve tanë thuhet se në fshatin Izbicë serbët kanë vrarë e masakruar më shumë se 200 veta. Është një informatë e tmerrshme, por ende nuk është konfirmuar. Do  Zoti të mos jetë e vërtetë.

Pas transmetimit të Programit së bashku me Nezirin nisemi drejt Kizharekës, nga një rrugë tjetër më afër maleve të Llaushnikut. Meqë Ali Mullini nuk ka ardhur në vendin dhe kohën e caktuar, sepse as i kemi thënë nga Kizhareka nisemi drejt Mahallës së Lugut në Nekoc, me qëllim që atje ta takojmë Ilir Dugollin. Ilirin e kemi takuar te shtëpia e tij dhe ai na ka dërguar në Krojmir. Iliri po ashtu na tregon se shumica e banorëve të Nekocit, Kizharekës dhe të fshatrave të tjera ose kanë hyrë në Grykë ose presin të gatshëm për të hyrë.

Edhe në Baicë,  Shalë, Risinovc, Krojmir, Pjetërshticë  janë marrë të gjitha  masat për të depërtuar në Grykë. Gjatë ditëve të fundit është trefishuar numri i popullatës në Krojmir.

 

E martë 30 mars, 1999. Në rrethana të pasqaruara dhe pa asnjë marrëveshje paraprake ndërrohet vendi i qëndrimit të selisë

Edhe pse jemi marrë vesh që të vendosemi në vendin e caktuar në tendë, afër Gradinës, Berati me disa anëtarë të stafit është vendosur në një shtëpi të lagjes së Munollëve në Fshatin e Ri. Sot unë dhe Neziri jemi nisur nëpër Grykën e Gashit të fshatit Nekoc, meqë paraprakisht na kanë lajmëruar se stafi tani për tani është vendosur në lagjen e Munollve në Fshatin e Ri.

Gryka e Nekocit është mbushur me të zhvendosur. Me mijëra banorë të Komaranit të Nekocit dhe të fshatrave të tjera të Drenicës janë vendosur nëpër tenda, apo në rimorkio traktorësh ku kanë ngarkuar rroba, ushqime, dhe krejt çka kanë arritur. Disa i kanë futur edhe veturat e tyre dhe i kanë lënë anash rrugës meqë me to nuk depërtohet më thellë, për shkak se rruga është e pakalueshme. Fëmijët lozin dhe nuk duan t`ia dinë. Nënat duket të brengosura tejmase. Burrat të parruar, pa gjumë, të pangrënë dhe të shqetësuar për familjet…

Pas një rruge të gjatë dhe të mundimshme, së bashku me Nezirin depërtojmë në selinë e re. E shoh se vendi është shumë i papërshtatshëm dhe nuk na përshtatet meqë  prej këtij vendi nuk bën të transmetojmë, për shkak se mund të rrezikohet popullata. Sipas Beratit dhe të tjerëve, ne duhet të qëndrojmë aty, ndërsa në kohën e transmetimit teknikët dhe Nusreti u dashka  të shkojnë këmbë  tri katër kilometra dhe nën breshëri të granatave deri te Bajraku në Berishë për ta transmetuar emisionin. Unë habiten në mendjelehtësinë dhe papërgjegjësinë e Beratit dhe disave që e pasojnë. Mospëlqimin tim e shpreh publikisht, ndërsa me Beratin dhe Qemalin e kemi ndërprerë komunikimin.

Selia në Fshat të Ri është vendosur në shtëpinë e dëshmorit të kombit,  Liman Gega.

Rreth mesditës forcat serbe kanë filluar të granatojnë në drejtim të Arllatit, të Carrallukës dhe të Tërpezës. Shpërthime predhash të minahedhësve po dëgjohen edhe në drejtim të Berishës.

Në kohën e caktuar Nusreti, Vakdeti dhe Fatmir Dugolli janë nisur me xhip për të transmetuar programin…

Në mbrëmje, së bashku me Nezirin dhe Hilmi Ramadanin, nisemi drejt Grykës së Gashit, në Mëhallen e Lugut ku tani e tutje na pret Ali Mullini.

Në mbrëmje kemi biseduar për rrjedhën e ngjarjeve të ditëve të fundit, për hapat që duhet të ndërmarrin në evakuimin sa më të shpejtë të popullatës dhe për përforcimin e pikave në drejtim të Grykës.

 

E mërkurë 31 mars, 1999: Forcat serbe kanë avansuar në drejtim të pozicioneve tona. Nga çasti në çast pritet sulmi në drejtim të fshatrave të Drenicës jugore prej Komaranit deri në Pretërshticë

Edhe sot së bashku me Nezirin jemi nisur në hapërimin tonë të përditshëm. Në hyrje të Grykës së Gashit ka filluar një valë tjetër e të dyndurve. Po kështu po ndodh edhe në Grykën e Kizharekës dhe në Grykën e Thatë.

Serbët tanimë po përgatitën për të na sulmuar nga Komarani, nga Çukat e Sankocit si dhe nga drejtimi i Magurës. Luftëtarët e të dy batalioneve tona, “Imer Alushani” dhe “Ruzhdi Salihu”  po qëndrojnë të patundur nëpër istikame. Ata janë të vetëdijshëm se nuk mund të zhvillojnë luftë kundër njësive të motorizuara, por janë vënë në hyrje të grykave me qëllim të mos e lëshojnë depërtimin e këmbësorisë armike te popullata civile. Elez Durmishi, komandant i Batalionit “Ruzhdi Salihu” më ka bërë me dije se Komandanti i Zonës së Pashtrikut, Tahir Sinani u ka dhënë urdhër të prerë ushtarëve dhe eprorëve që në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim, qoftë edhe të jetës së gjithsecilit ushtar  të mos lejohen serbët të hyjnë në grykat e maleve ku ndodhen dhjetëra mijëra të zhvendosur.

Me Nezirin kemi dalë në Rrafshnaltë në mes të Fshatit të Ri dhe të Divjakës. Nga ajo lartësi vërehet Dukagjini, Drenica dhe një pjesë e Rrafshit të Kosovës.

Serbët po granatojnë nga distanca. Ka rrezik të godasin popullatën e zhvendosur. Drejt Rrafshnaltës janë drejtuar edhe shumë banorë të fshatrave Arllat, Tërpezë dhe Lladrovc. Dyndje të pjesërishme ka edhe nga fshatrat e tjera si Lladroviq, Senik, Banjë, Bellanicë, Ngucat e Bllacë.

Edhe sot kemi transmetuar një program të shkurtër të lajmeve.

Pastaj së bashku me Nezirin jemi nisur në rrugë drejt Grykës së Nekocit.

Fillimisht jemi nisur nëpër një pllajë në anën e Grykës së Thatë, me qëllim që të depërtojmë shkurt drejt Grykës së Gashit. Ndërkohë kemi humbur rrugën dhe kemi dalë në anën perëndimore të Grykës së Thatë. Pas dy tri orë rrugëtimi nëpër pllaja malesh kemi arritur më në fund të lëshohemi një rrëpire të rrezikshme drejt Grykës. Në vendin e caktuar e kemi takuar Ali Mullinin, i cili me veturë nga kthen në Krojmir.

Fshatrat rrëzë maleve janë boshatisur.

Tek tuk ka mbetur ndonjë burrë i moshuar ka mbetur në shtëpi  dhe  përkujdeset për bagëtinë.

Edhe fshatarët e Baicës së Kolshit kanë mësyrë Grykën e tyre. Vetëm Shala dhe Krojmiri ende nuk janë dyndur por presin të dyndën nga çasti në çast.

Kësaj radhe  shumica e banorëve të zhvendosur janë shumë më mirë të përgatitur. Ata tashmë kanë fituar përvojë edhe në sajimin e tendave dhe krijimin e ambienteve më funksionale, të cilat i kanë përgatitur me kohë. Po mësohemi dhe po kalitemi me luftën tonë çlirimtare të bindur në fitore…

Kontrolloni gjithashtu

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …