Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: ALI AHMETI, FITORJA QË DO ÇUAR PËRPARA

Një shekull e tepër kalvari pushtues serb për popullin dhe viset tona të pushtuara nuk qe thjeshtë një pushtim, ai ishte një përimtim zhbërjeje, prej shfarosëse deri asimiluese, për aq sa ia arriti ta realizonte pasllavizmi serb, herë nën ombrellen e mbretërisë serbe e herë nën mbretërinë apo federatës Jugosllave, për të përfunduar në triadën tonë fatkeqe Serbi, Maqedoni dhe Mal i zi.

Falë një plejade atdhetarësh që erdhën nëpër kohë dhe kulmuan me bashkimin në LPK ku spikatë edhe Ali Ahmeti, shqiptarët e viseve të pushtuara nga jugosllavët ia dolën ta bënin realitet UÇK-në dhe tri luftërat e saj për çlirim, dhe sot Kosova me vise frymon më e lirë. Kosova e çliruar, Viset nën Maqedoni me një liri goxha të avancuar, poashtu në Mal të zi ka një zhvillim që duhet përshëndetur më shumë për shkak të rrethanave atje se sa për vet evolimin e situatës bazuar në veprim aktiv të shqiptarëve dhe masës së asimiluar tashmë, por me kujtesë të fortë prejardhjeje, Lugina mbetet në gojën e ujkut edhe përkundër marrveshjes ndërkombëtare që imponoi lufta e UÇPMB-së.

Sikur historia nuk është treguar miqësore me ne shqiptarët, ndaj po i vuajmë armiqësitë e fqinjëve bashkë me gabimet tona.

Gjendjet e ndera dhe kakofonitë mjerane janë sëmundjet që po na përcjellin dhe për to po paguajm goxha çmim. Shqipëria politike zien nga rasti në rast. Bastardomania është bërë më shumë se modë. Kolona e pestë nuk ka të sosur. Turpërohet secili kur na rastisë të lexojmë ato që i kërkohen komunitetit ndërkombëtar kundër vendit tonë, qoftë për integrimet qoftë për dëmtimin e imazhit. E mira është se varrmihësit e atdheut dalëngadalë po e humbin pranueshmërinë e shoqërsë.

Çoroditja prej sojit të keq e ka kapur veçanarisht Kosovën. Një telall i zi nga brenda saj në unison me Serbinë nuk rreshti kurrë së denoncuari, me gënjeshtra të fabrikuara në Beograd a nga smira. Të dy bashkë, Serbia dhe kjo zezonë e jona, po ia dalin ta godasin çlirimin tonë edhe me një sfidë përballjeje ndërkombëtare me drejtësinë. Pa zërat e kësaj kolone të pestë nuk do arrihej kjo goditje ndaj nesh. Tashmë, pak ka rëndësi se të akuzuarit do dalin të pafajshëm. Ata ia dolën në komplotin e tyre kundër ushtrisë sonë çlirimtare si veçanti dhe Kosovës si tërësi. Efekti i përbaltjes së luftës sonë për ta vrarë Kosovën ka filluar e po jep frute në dobi të Serbisë. E keqja nuk është vetëm një, goditja e madhe është se të tillët zezonistë livadhisin edhe jetën tonë publike, jetojnë prej parasë publike dhe adhurohen në masë nga çoroditja. Aq e thellë është çoroditja sa ka edhe nga çlirimtarët e meritorët e liribërjes që janë vënë në unison gëlimi nga gëzimi po aq sa edhe vet Serbia.

A nuk ishte populli ynë ai fisniku që kurrë para armiqve nuk u shit e nuk i nxori të palarat?! Çfarë po ndodhë me këtë çoroditje?

Zgjedhjet në Luginë dhanë një rezultat më shumë të një fitoreje morale se sa efekt numrash, edhe pse ia dolën t’i marrin tre deputet. Bashkimi, të cilin e shtynë Shqipëria dhe Kosova prodhoi këtë rezultat, por kjo ka pak rëndësi krahasuar me anën e mirë të një fitoreje morale që ndodhi atje. Bërja bashkë e shqiptarëve në Luginë është një ogur i mirë në të cilin mund të llogaritet. Biologjia është fitorja që i nevojitet kohës për hapsirën e Luginës. Të bashkuar mund t’ia dalin.

Mali i zi sot ka një qasje ndryshe karshi shqiptarëve si atje edhe për fqinjësinë. Një Mal i zi në rrezik e luftë të përheshme speciale nga Serbia jo vetëm verbale por edhe vepruese me diversionin kinse për kishën serbe, që më shumë se kaq ka synime territoriale. Jo rastësisht Serbia është e fokusuar në pjesën e Budvës dhe lartë deri te depërtimi serb në det nga Bosnja që e llogaritë serbe për faktin e egzistencës së Republikës serbe.Mali i zi në këtë rrethanë agresioni serb nuk ka se si të mos e kuptoi miqësinë me shqiptarët po aq të nevojshme sa na shtynë edhe vet gjeografia. Komuna e Tuzit është njëri nga veprimet e fundit që na jep të shpresojmë që gjërat po shkojnë përpara për mirë.

Dy ditë na ndajnë nga zgjedhjet në Maqedoni.

Atje në 20 vitet e fundit, UÇK apo nën akronomin BDI, ishte era Ali Ahmeti. Është ecur ngadalë dhe ka akoma gjëra që nuk janë bërë. Ku për fajin e klasës sonë politike atje e ku për fajin e tjerëve. Maqedonasit po e kanë të vështirë ta kuptojnë se shqiptarët janë shtylla e vetme ku mund të qëndroi shteti Maqedoni e Veriut. Zhbërja e saj sot nuk do të ishte interes së pari i Maqedonasve nëse ata ndonjëherë do ta krijojnë identitetin e tyre etnik, por as edhe i shqiptarëve, meqë çështja shqiptare si tërësi ka disa zhvillime që nuk i duhen të hapura të gjitha frontet.

Çështja shqiptare në Maqedoni është si puna e restaurimeve të kalave të vjetra. Atje është punuar shumë kundër shqiptarëve edhe me asimilim. Meqë jemi akoma në kohë do shumë punë në vetëdijësim. Duhet menagjuar dimenzionin shtet për të zhbërë ato që përdorën në të kaluarën shteti dhe shërbimet për të heshtur të qenit shqiptar atje. Mjafton të shohim Manastirin dhe të kuptojmë përmasën e asaj që ka ndodhur. Reka e epërme është plaga që lëngon rrëfim tronditës, dhe këtë rrëfim e kemi të gjallë gjithandej deri në Shtip e Veles mos të flasim për Ohrin etj.

Zgjedhjet e pas dy ditëve janë vazhdë e gjendjes konfliktuoze ndërmaqedonase me edhe pasojë mundësie rreshtimi ndëshqiptar. Fragmentimi i opozitës shqiptare (ta themi kështu kushtimisht), e ka hendikepuar maksimalizimin e neojshëm të përfaqësimit parlamentar të shqiptarëve. Përtej një lufte politike ideja e Ali Ahmetit për tu bashkuar opozita shqiptare që ta mundin Aliun dhe BDI-në ëshhë më shumë se sa vetëm një Psalmë prej heretiku të një bindjeje se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar për ta maksimalizuar potenceën e vet.

Shqiptarët në Maqedoni në vazhdimësi këto 20 vite e kanë vuajtur përzierjen për të keq nga jashtë e veçanërisht nga Kosova. Ka qenë flagrante ndërhyrja e PDK-së dhe SHIK-ut në krah të Menduh Thaqit në vitet e para pas 2001-shit kur punët nuk sihin mirë mes Aliut dhe krerëve të PDK-së. Kjo mani brenda drejtimit të PDK-së shtyri edhe gabime të pafalshme akuzash verbale e denigrimesh për kreun e BDI-së Ali Ahmetit. Kjo sagë u mor nga AAK-ja pas një afrimi të Haradinajve me Menduh Thaqin. Këta nuk u lëshuan në denigrime për Ali Ahmetin, por treguan anësi në të mirë të Menduh Thaqit. Këto sot janë të shkuarat që kanë mbetur vetëm kujtesë, sepse Menduh Thaqi më nuk përbënë gjithçafen anti Ali Ahmeti. Sot opozita e fragmentarizuar nëpër akronime që më shumë janë autoritete personash se sa një shpërfaqj politike nuk ia doli të bashkohej. Bashkimi mund të shkonte nëpër duart e Aleancës, Besës dhe PDSH, të cilave do tu bashkoheshin edhe një dyzinë emrash të harruar partish por që do funksionalizoheshin në bashkimin me trupën opozitare.

Meqë bashkimi i opozitës nuk ndodhi, u kujdes Kosova edhe kësaj radhe (por tashmë përmes Albin Kurtit dhe Vetvendosjes), t’i fuste duart ashtu sikur nuk i takon. Zijadin Sela dhe Aleanca e tij me të sotmen e tyre nuk i kanë kapacitetet ta menaxhojnë çështjen shqiptare në Maqedoni. Mëtimi i Albinit për të krijuar një bazë nga ku do ta shtrinte Vetvendosjen e tij e dëmton Aleancën e Selës sot dhe ia vështirëson punën për ta gjetur rrugën e suksesit politik në të ardhmen meqenëse Ali Ahmeti një ditë do ta arrijë fundin e tij në politikën aktive, dhe skena atje ka nevojë për shpatulla shtetari të maturuar.

Ali Ahmeti sot duhet të jetë zgjedhja sikur që është edhe vet zgjidhja për kohën dhe zhvillimet që po kalon rajoni ynë kur Kosovës po i sillen re territoresh. Shqiptarët mund të vinë në një situatë kur mund të duhet të veprojnë në frymë zhvillimesh. Zhvillimet për territoret nuk mund ta nxjerrin Kosovën dhe Serbinë jashtë realitetit historik që po pret qindra vjet për t’u rregulluar njëherë e mirë në ballkan.

Për të qetësuar gjakrat dhe për ta ushqyer mirëbesimin mes popujve, apo për të marrur vendime të vështira për të shkuar drejt bashkimit të shqiptarëve në një shtet, për të dy këto zhvillime të mundshme, sot jo vetëm Maqedonisë, por edhe gjithë rajonit e në veçanti çështjes shqiptare i duhet akoma Ali Ahmeti në krye të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, për shpatullat politike që ia krijoi veprimtaria e tij e gjatë politike prej liridashësi e liribërësi!

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …