Bisedë në studion e TV-Diellit me dr. prof. Shyqri Galicën, studiues, poet, shkrimtar, kritik letrar, publicist, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës

Bisedë në studion e TV-Diellit me dr. prof. Shyqri Galicën, studiues, poet, shkrimtar, kritik letrar, publicist, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës

Në emisionin javor të TV-Diellit, “Bisedë në studio” dr. Prof. Shyqri Galica ka folur për jetën, krijimtarinë dhe aktivitetet në shumë segmente të veprimtarisë së tij, si: studiues, poet, shkrimtar, kritik letrar, publicist, mësimdhënës,  drejtues institucionesh arsimore, aktualisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Shyqri Galica ka lindur në fshatin Rashincë të Shtimes. Tetëvjeçaren e ka kryer në Muzeqinë, kurse shkollën e mesme, gjimnazin, në Ferizaj. Gjuhën dhe letërsinë shqipe e ka mbaruar më 1975, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku dhe ka kryer shkallën e tretë të studimeve. Në vitin 1974, ka filluar të punojë,  në Radio Prishtinë, ndërsa nga viti 1978 në  gazetën “Rilindja” ka punuar gazetar, redaktor e zëvendës kryeredaktor.

  Në vitin 1986 ka kryer magjistraturën me temën “Poezia e Fatos Arapit”, kurse më 1997, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës ka mbrojtur tezën e doktoratës me titull “Faik Konica – eseist dhe kritik letrar”.  Në vitin akademik 1998- 1999 ka mbajtur lëndën fillet e gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, kurse më pas ka ligjëruar  në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 2000 është zgjedhur docent. Më 2004 profesor i asocuar për lëndën histori e letërsisë, kurse më 2009 profesor i rregullt. Ka qenë shef i Katedrës së Dramaturgjisë të Fakultetit të Arteve të UP-së, kurse një mandat edhe anëtar i Senatit të UP-së.

Dr. Shyqri Galica, në një bisedë në studion e TV-Diellit ka shpalosur shumë nga kujtimet e tij të kohëve të kaluara gjatë shkollimit, studimeve, punës në gazetari, veçmas në të përditshmen e vetme në Kosovë, “Rilindja”,  ku ka punuar qysh prej vitit 1978 e deri në vitin 2002 kur edhe ishte mbyllur, gazeta me stazhin më të gjatë në Kosovë. Duke folur për punën në Rilindje ai ka segmentuar disa nga problemet, me të cilat janë ballafaquar gazetarët, redaktorët, krijuesit, në kohën kur në politikën redaktuese dominonte censura partiake e LKJ-së, e cila përpiqej ta vlerësonte lartë politikën e bashkim vëllazërimit, kursin e patriotizmit jugosllav dhe ishte kundër rizgjimit të frymës kombëtare shqiptare, që përfaqësonin dhe e përkrahnin shumica e gazetarëve dhe krijuesve, edhe pse në kushte të censurës dhe auto-censurës tejet të shprehur.

Dr. Shyqri Galica ishte edhe shok ideali i Jusuf Gërvallës, me të cilin kanë bashkëpunuar deri në ditën kur ai ishte larguar nga Kosova, meqë ndiqej për t’ u arrestuar nga regjimi jugosllav.

Duke qenë i trajtuar si i papërshtatshëm ideo-politikisht, iu kishte ndërruar vendi i punës dhe një kohë ka punuar lektor, në Rilindje.

Ai ka folur edhe për kohën e diferencimit ideopolitik, sidomos në vitet 80-të të shekullit XX, kur regjimi jugosllav përpiqej ta ngushtonte autonominë e Kosovës, duke marrë si shkak kërkesën e drejtë dhe  plebishitare të shumicës shqiptare,  e cila kërkonte, liri, barazi, drejtësi dhe  avansimin  e pozitës kushtetuese  të Kosovës në një republikë të barabartë në ish-RRFJ.

Në bisedë me kryeredaktorin e TV-Diellit, dhe drejtorin e Radios Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi, dr. Shyqri Galica ka folur edhe për aktivitetin e tij ilegal në shërbim të çështjes së lirisë së Kosovës, kontributin që i ka dhënë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kontaktin që ka mbajtur në vazhdimësi me autoritete të caktuara, veçmas me Radion-Kosova e Lirë dhe Agjencinë Kosovapress, por edhe me ushtarë e eprorë të luftës, ku kishte shtrirë kontrollin Brigada 121, Ismet Jashari Kumanova por edhe në zonat e tjera.

Shyqri Galica, ishte caktuar të vepronte në nxjerrjen e një informatori ditor, por në kushte dhe rrethana lufte, Drejtoria për Administrim Civil dhe Marrëdhënie me Publikun, të cilën e drejtonin, Shaban Shala dhe Ahmet Qeriqi, nuk kishte arritur të konsolidohej, edhe pse ishte siguruar shtypshkronja, por jo edhe kushtet për funksionimin e saj, meqë në radhë të parë mungonte energjia elektrike, pastaj kishte vështirësi të tjera të natyrës objektive. Pavarësisht kësaj, Shyqri Galica nuk e kishte ndërprerë komunikimin me autoritete të caktuara deri në mbarimin e luftës dhe ndihmën e caktuar në aspekte të ndryshme.

Ai, në studion e Tv-Diellit  ka folur veçmas për aktivitetin e shumanshëm të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, jo vetëm në vend por kudo edhe në trojet shqiptare, në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e mërgatë. Po ashtu një pjesë të bisedës i ka kushtuar edhe revistës “Metafora”, botim i Lidhjes  së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila financohet nga Ministria e Kulturës, por mjetet që ndahen për daljen në dritë të kësaj reviste,  nuk i plotësojnë as përafërsisht nevojat e shtypshkronjës, duke lënë anash kërkesat e tjera.

Shyqri Galica ka botuar shkrime letrare – poezi e prozë, pastaj ka shkruar punime kritike për letërsinë e artin, ka publikuar artikuj studimorë, kumtesa e studime për letërsinë; ka bërë biseda me personalitete të shkencës e të artit, ka shkruar artikuj për kulturën, përkatësisht për librin, muzikën, radiotelevizionin, jetën teatrore e atë kulturore; për figurat historike dhe të kulturës kombëtare e të asaj botërore, si dhe shkrime për aspekte të ndryshme të shkencës, të letërsisë dhe të artit.

Ka marrë pjesë me kumtesa në disa tubime letrare e shkencore në Kosovë dhe jashtë.

Ka botuar veprat:

1.Koha flet me brezni, poezi, 1979

2.Poezia e Fatos Arapit, studim monografik, 1990

3.Amësia, tregime, 1991

4.Simbolika e sundimit, kritika dhe ese, 1995

5.Konica – moderniteti, eseistika, kritika, studim monografik, 1997

6.Mesazhi kritik, ese dhe kritika, 1999

7.Dashuria vdekërisht, roman, 2003

8.Identiteti artistik, kumtesa shkencore dhe vështrime kritike, 2005

  1. Gazetarë dhe publicistë shqiptarë, fjalor enciklopedik

(bashkautor), Tiranë, 2005

10.Bota magjike e fëmijës, kritikë letrare, 2007

11.Mesazhi intelektual, studime, 2012

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …