Familja Rama e fshatit Koliq, e cila jeton në fshatin Shkabaj të Kastriotit, luftës për çlirimin e Kosovës i ka dhënë tre dëshmorë, Albertin, Farukun e Agronin, si dhe shtatë martirë: Xhevatin, Xheladinin, Hamiden, Shqipen, Syzanën, Bejtushin dhe Ismetin. Kjo familje për shkaqe ekonomike, ekzistenciale, u shpërngul nga fshati Koliq i Prishtinës dhe u vendos në fshatin Shkabaj të Kastriotit (ish-Obiliq).
Tradita atdhetare e Ramajve ka qenë e njohur qysh në kohën e sundimit turk. I pari i kësaj familjeje, Nezir Rama, ka marrë pjesë në luftë për çlirimin e Shkodrës nga forcat ushtarake serbe e malazeze, në vitin 1912.
Për shkak të rezistencës kundër pushtuesit serb, anëtarë të kësaj familjeje janë keqtrajtuar e burgosur në kohë dhe rrethana të caktuara.
Alberti lindi më 3 mars të vitit 1983 në Shkabaj. Babai Ismeti dhe nëna Hatixhja rriten katër bijë: Agronin, Adnanin, Ardionin, Albertin dhe tri bija: Bedrijen, Sebahaten dhe Nailen.
Mësimet fillestare i ka kryer në shkollën fillore “Pandeli Sotiri”, ndërsa ka vazhduar mësimet në shkollën e mesme “Hasan Tahsini” po në Kastriot. Në kushte dhe rrethana të caktuara të luftës, Alberti nuk e vazhdon shkollimin por angazhohet për të ndihmuar vëllanë, Argonin dhe kushëririn Farukun në aktivitetet e tyre ilegale. Babai, Ismeti punonte si lubrifikues në Bardh të Madh në kompleksin e Mihjes Sipërfaqësore të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Edhe pse i ri në moshë, Alberti nuk kursehej për ta ndihmuar luftën e armatosur. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm duke bartur armatimin mbi supet e tij të njoma, dhe duke qenë prore i rrezikuar.
Më 27 mars të vitit 1999, tri ditë pasi kishin filluar bombardimet e aeroplanëve të NATO-s kundër makinerisë së krimit të regjimit të Beogradit, forcat serbe, të cilat paraprakisht mund të kishin hetuar veprimet e tre luftëtarëve të lirisë, fillojnë rrethimin e kësaj familjeje.
Në shtëpi ndodheshin edhe tre luftëtarët: Agroni, Faruku dhe Alberti, si dhe shumica dërrmuese e anëtarëve të kësaj familjeje. Në orën 14 e 30 minuta forcat militare dhe paramilitare serbe kishin vënë rrethimin nga kishin filluar sulmin kundër familjes fqinje. Ata vrasin Latif Halimin dhe bijën e tij, Shqipen, ndërsa plagosin Mehmetin, një pjesëtar tjetër i kësaj familjeje.
Izet Rama, xhaxhai i Agronit dhe Albertit dhe babai i Farukut, së bashku me fëmijët e vegjël, bashkëshorten Adlijen, bijën trijavëshe, Fitoren dhe disa anëtarë të tjerë të familjes, të gjithë tok, arrijnë të tërhiqen nën breshërinë e predhave. Në shtëpi kishin mbetur të gatshëm për të luftuar dhe për t’ u ndeshur ballë për ballë me forcat serbe: Agron Rama, Faruk Rama dhe Albert Rama. Ndërkohë pasi kishte larguar disa anëtarë të familjes, kthehet për të ndihmuar tre luftëtarët edhe xhaxhai i tyre, Bejtushi.
Lufta ishte krejtësisht e pabarabartë. Tre luftëtarë të lirisë, të ndihmuar nga xhaxhai i tyre po përballeshin me dhjetëra militarë e paramilitarë serbë, të armatosur me të gjitha llojet e armëve. Ashtu sikur kishin vepruar bashkë si një trup i vetëm, ashtu edhe kishin rënë të tre tok, duke luftuar deri kur trupat e tyre i kishte përshkuar tejpërtej arma barbare serbe. Ata luftuan dhe ranë trimërisht, duke ndjekur shembullin e legjendarit Adem Jashari dhe të sa e sa trimave e trimëreshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Serbët, të cilët po ashtu kishin pësuar humbje, pasi depërtojnë në shtëpitë e vëllezërve Rama, fillojnë orgjinë e tyre të egër të barbarisë dhe mizorisë. Kriminelët serbë pushkatojnë të gjithë anëtarët e familjes Rama, që kishin mbetur në rrethim. Me këtë rast ata martirizuan: Bejtush Ramën, 40-vjeçar, xhaxhai e tre dëshmorëve, pastaj kushëririn e tyre Xheladinin, 48-vjeçar, bashkëshorten e Xheladinit, Hamiden dhe dy bijat: Shqipen 17-vjeçare dhe Syzanën, e cila kishte vetëm 10 pranvera jetë. Barbarët serbë pushkatuan edhe Bejtush Ramën, po ashtu xhaxha i tre dëshmorëve. Në kohën kur ishte kthyer nga puna, Ismet Rama, babai i dëshmorëve Agron dhe Albert Rama dhe kur po bënte përpjekje të futej në shtëpi për të mësuar se çka kishte ndodhur, kriminelët serbë e martirizojnë edhe atë, mu para dyerve të shtëpisë me një breshëri plumbash.
eshëri plumbash. Akti heroik i rënies së tre dëshmorëve më 27 mars të vitit 1999, si dhe martirizimi i shtatë anëtarëve të tjerë të kësaj familjeje, shënoi atë ditë edhe një ngjarje tjetër të lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe një fitore tjetër, e cila ishte paguar me shumë gjak të derdhur.
Familja Rama ka marrë mirënjohje për tre dëshmorët. Ende nuk është ngritur pllaka përkujtimore, ndërsa trupat e tre dëshmorëve: Agron, Faruk dhe Albert Rama pushojnë në përjetësi në “Varrezat e dëshmorëve në “Velani” të Prishtinës. (A. Q.)