…me ngadalë or shpend
përmbi plag m’u ul
merr nga gjaku im
dhe shtoje m’i Flamur…
Është e njohur për të gjithë ne, se kjo tokë, me mijëra herë, është ujitur me gjakun më të mirë të bijve të saj, me gjakun e pastërt të heronjëve. Dhe, ky gjak i derdhur, i ka ruajtur pastërtinë e saj, e ka ruajtur identitetin e saj, e ka ruajtur krenarinë dhe patundshmërinë, si tokë shqiptare.,,Më mirë shqipe një ditë, se sorrë njëqind vjet” kisha lexuar në vitet e 80-ta në një libër të Sylejman KRASNIQIT. Dhe, ishte i tillë në jetën e tij, Rexhep BISLIMI, një shqipe e lartësive.
Rexhep BISLIMI u lind në Ferizaj, me 13 shtator 1966, në një familje të ardhur nga Stublla e Vitisë, ai rridhte nga një familje e varfër, por të çiltër, të ndershëm, bujar e krenarë. Këto veti, të cilat i trashëgoi nga familja, do ta bëjnë të shquhet ndër shokë, të pavdekshëm ndër breza. Baba Rexhën, e kishte punëtor krahu, por i papërkulshëm në vështërsitë e jetës; i varfër, por i ndershëm dhe krenar, ndërsa Nënë Hava, vinte nga një familje nga Uglari i Gjilanit, që shquheshin për përkushtim atdhetar. E veçanta e Nënë Havës ishte: Bijë dëshmori, e Ymer Hajredinit, ushtar i Mulla Idrizit, Ymeri i lindur në Uglar, i vdekur nga plagët e luftës dhe varrosur në Marec të Prishtinës; Nënë Hava ishte motër e Osman Hajredinit, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe i dënuar me burg; Nënë Hava ishte nënë Dëshmori Ushtar i parë i UÇK-së për Ferizaj e rrethinë Gjeneralmajor Rexhep Bislimit dhe nënë e Luftëtarit Kemajl Bislimi. Atdhetarizmi te Rexha ka rrënjët te prindërit e gjyshërit e tij.
Rexhep BISLIMI, qysh në moshë të re, bashkë me vëllaun, Xhelalin filloi të punojë në ngarkim shkarkim, në depot e materialit ndërtimor në Ferizaj, për t’i ardhur në ndihmë babait të tij, paga e të cilit nuk arrinte të siguronte ekzistencën e familjes. Por, qysh në moshë të re filloi edhe aktivitetin atdhetar. Si 14 vjeçar, Rexhepi, merr pjesë në demonstatat e vitit 1981, e më vonë ,në kuadër të grupeve ilegale që vepronin në atë kohë.
Koha jonë ishte vazhdim i përpjekjeve të pandërprera të popullit tonë për liri. Dikush u zgjua herët dhe u vu në lëvizje. Dikush bënte ,,politikë” duke dremitur, ose duke i bërë shërbim pushtuesit, duke dënuar nacionalizmin e seperatizmin shqiptar, duke fyer vlerat kombëtare. Mbledhje të Komiteteve të LKJ-së, mbaheshin gjithkund. Nga ato mbledhje, ,,Don Kishotët” dilnin me pallën zhveshur duke sulmuar gjithçka kombëtare, duke bërë diferencime të gjithë atyre, që nuk ishin për ,,Jugosllavinë shumënacionale” e që ishin kundër ,,vëllazërim-bashkimit”. Më së keqi, vuajtën familjet e të burgosurve kombëtarë, që krahas dhimbjes për të burgosurin, vuanin edhe nga distancimet që ju bëheshin nga veglat e pushtuesit. Dhe ngjarjet rrodhën. Dhuna e represioni kalitnin atdhetarët, por jo edhe tradhtarët, që nga ky represion edhe më tepër ju shtroheshin para këmbëve pushtuesit. Gjatë vitit shkollor 1981/82, në klasën tonë, sollën dy nxënës, që ishin dënuar me humbje të vitit shkollor për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat e lavdishme të 1981-shës. Ata ishin Jakup NUHAJ e Avdi SHERIFI (në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare Avdi SHERIFI ka humbur njërin sy). Këta dy nxënës unë i shikoja me simpati dhe më pëlqente shoqëria me ta. Në një ditë përmes Jakup Nuhajt njoha edhe një të ri, me një kasketë e pallto ngjyrë kafe, tërë gas. E pyeta Jakupin se cili ishte ai djalë? Dhe ai m’u përgjigj se ai djalë ishte Rexhep BISLIMI, shok i tij i klasës dhe bashkëpjesëmarrës i demonstratave. – Ate nuk e paskan përjashtuar nga shkolla? – e pyeta me të qeshur. – Jo. Ate nuk e kanë pa. – më tha Jakupi edhe ai duke qeshur.
Me sinqeritet të madh, pa hipokrizi, me ato sjellje të afërta, me atë fytyrë të qeshur e të dashur, ai të bënte për vete dhe nuk të lente të dyshosh për djallëzi. Shumë shpejt u miqesuam. Dhe sa ma shumë e njoha, aq më shumë u lidhëm. Rradhët e shokëve filluan të zgjerohen. Letërnjoftim i yni, për njohje të njëri tjetrit, ishin bisedat për Shqipërinë Nënë, njohurit rreth këngëve atdhetare që në at kohë transmetonte Radio Tirana, bisedat për heronjtë, urrejtja për pushtuesin, e më vonë, edhe me libra apo revista, për atë kohë të ndaluara, etj.
Shtëpia e Rexhës, ishte baza e grupit tonë ilegal i përbërë nga Florim SHABANI, Rexhep BISLIMI, Bajram SYLA, Kadri MUSA, Ramadan SEJDIU, Jakup NUHAJ dhe unë, e më vonë na u bashkuan Osman e Hysen SHAHINI, grup që veproi që nga shtatori i vitit 1983 e deri në fillim të vitit 1986, kur edhe u zbuluam.
Në këtë shtëpi gjetëm mikëpritje, edhepse në atë kohë, të paktë ishin njerëzit që na respektonin, pasiqë ishim fëmijë. Aty, në atë shtëpi, gjetëm mirëbesim, edhepse veprimtaria e jonë, nuk ishte pa rrezik edhe për ta. Anëtarët e familjes së Rexhës, e vërenin se ne hynim e delnim, se lenim e merrnim libra e gazeta, se mblidheshim e diskutonim, por nuk na pengonin. Na shtronin bukë, por kurrë nuk na thanë t’i lenim këto punë, si u thonin në shumë familje fëmijëve të tyre. Në shtëpi të Rexhës, nga revolja e tij, mësuam se si shtihet me revole, themeluam grupin tonë ilegal dhe fondin e tij simbolik, lexonim dhe komentonim artikujt e shtypit ilegal, si të ,,Zëri i Kosovës”, ,,Liria”, ,,Rruga e Lirisë”, e të tjera, nga shtypi ilegal i asaj kohe, flisnim rreth romaneve historike të ,,Shota dhe Azem GALICA”, të ,,Mic SOKOLI”, ,,Dedë Gjo Luli” , ,,Titistët’’ e për libra të tjerë të ndaluara që në atë kohë i lexonim, e sidomos na pëlqenin vargjet e Jusuf GËRVALLËS:,,Me ngadalë, or shpend/ përmbi plag m’u ul/ merr nga gjaku im/ dhe shtoje mbi flamur!” Nga kjo shtëpi,në vitin 1984 dolëm edhe në aksionin tonë të parë, për të siguruar një makinë shkrimi, për shumfishimin e materialit propagandistik, aksion i cili dështoi. Si grup, përjetonim rëndë arrestimet dhe dënimet e të burgosurve kombëtar, kishim idol Hydajet HYSENIN dhe ,,Pushkën amanet’’:,,Luftë gjerë në vdekje/ për liri t’ vatanit/ pushka e lirisë/ kurrë në dorë t’dushmanit’’. Lexova ,,Mic SOKOLIN’’ dhe duke njohur karakterin e kreshnikut, gjeja të përbashktat me Rexhën. Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (tash Lëvizja Popullore e Kosovës) në at kohë front çlirimtar i masës, i kishte caktuar vetes detyrë vetdijësimin e masave, ngritjen kombëtare të tyre, shtrirjen territoriale dhe organizimin guerril, por kjo nuk i mjaftonte Rexhës, i cili kërkonte të vepronte në aksione. Moto kishte fjalët: ,,me fjalë shkau s’merr vesh, merre pushkën dhe ashtu drejtohet puna!” dhe ashtu bëri.
Rexhep BISLIMI u paraburgos me 19 mars 1986 dhe u mbajt tri ditë në paraburgim. Na morrën në pyetje UDB-ashët (mua më morrën në pyetje kriminelët Adem Ibrahimi dhe Fadil Hyseni), dikend më pak e dikend më shumë, dikend e kërcënuan e dikend e torturuan, e më së keqi e pësoi Osman SHAHINI (u dënua me 6 vite burg 4 nga të cilat i vuajti), që mbante lidhjet mes nesh si celula dhe qendrës. Nga kjo, nuk dolëm të penduar, por me besim më të madh tek njëri tjetri.
Rexhës, fytyra i qeshej kur flitej për heroizmat e heronjëve kombëtarë, për Shqipërinë e Lirë. I shpërthente një gaz i papërmbajtur, kur tregonte, se si një daj i tij në Zvicërr, e kishte ndjekur tradhtarin Selim Brosha, i cili në ikje e sipër kishte hequr pallton, që të vraponte më lirë deri në Konzullatën jugosllave ku ishte future, për të gjetur shpëtim. Dhe, në mendjen tonë, na parafytyrohej Esat Pasha duke ikur dhe Avni RRUSTEMI duke e ndjekur dhe në të njëjtën kohë edhe neve na shpërthente gasi. Por, fytyra i skuqej dhe trupi i dridhej nga gjaku që i vlonte, kur informoheshim për torturat që ushtroheshin kundër të burgosurve kombëtar, nga kriminelët serbë dhe langojtë e tyre shqiptarë.
Edhe pas zbulimit të grupit tonë, nuk pati tërheqje, e kjo e karakterizonte Rexhën dhe familjen e tij. Nga kjo kohë, shoqëria jonë, u kthye në shoqëri familjare. Në shtëpi të Rexhës, tash e tutje, ne nuk ishim vetëm shokë të Rexhës, por si njerëz të familjes së tyre. Me të familjes sime, ishte shumë i afërt, bisedonte me të gjithë pa komplekse. Por, ishte i papritueshëm edhe për punë fizike. Nëqoftëse dikush nga ne ose nga njerëzit tjerë me emër fillonte, për shembull, ndërtimin e ndonjë shtëpie, Rexha kishte për t’ju ndihmuar me ditë të tëra. Por i tillë, i dashur me të gjithë ishte në çdo mes. Vend ku e gjenim ishte edhe depoja e materialit ndërtimor ku punonte në ngarkim-shkarkim. Kurrë nuk e kemi gjetur vetëm, por gjithëmonë në mes të shokëve, duke qeshur, ose duke biseduar për hallet e të tjerëve, që i merrte si halle të veta.
Më 1987, lidhemi me Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës, përmes Sabri LUSHIT dhe kështu formuam prap një treshe: Rexhep BISLIMI, Bajram SYLA dhe unë, prap obligime, zgjerimi i rradhëve, gatishmëria për aksione dhe leximi dhe shpërndarja e shtypit ilegal. Rexhës i vjen thirrja për t’ju përgjegjur armatës jugosllave. Shërbimin në armatën jugosllave e konsideronim ferr, por të njëjtën kohë na ngushllonte bindja se do të na pregatis për luftën e armatosur. Prandaj, nisëm t’i ndajmë detyrat. Lidhjet me Lëvizjen… (Sabri LUSHIN) do të mbaheshin nga Bajram SYLA, ndërsa së bashku do t’i kryenim detyrat që do të na ngarkoheshin. Filloi UDB-a të pyes për ne. Takoj Bajramin dhe ai më njoftoi për gjendjen. Të njëjtën ditë shkova në shtëpinë e Rexhës. Prindërit e Rexhës më njoftuan se Rexhën e kishin burgosur natën e 31 dhjetorit të 1988 dhe me përcjellje të Policisë ushtarake e kishin transferuar në burgun e Prishtinës, por ata brengosjen më të madhe e shfaqën për mua (pasi nuk kisha vëllezër tjerë). Na paraburgosën edhe Bajramin e mua, por pas katër ditëve, ne na liruan. Kishin burgosur edhe:Ramadan SEJDIUN, Jakup NUHAJN, Skënder EMËRLLAHUN, Afrim AGUSHIN dhe Florim KUQIN. Pas 6 muaj hetime, fillon gjyqi në qershor të vitit 1989. Gjyqi ishte formal me akuzë të montuar. UDB-ashët kishin arritur të kuptonin se ne punonim, por nuk kishin arritur të informoheshin për veprimtarinë tonë, prandaj kishin montuar një proces ashtu si kishin dashur me shabllonet e tyre. Rexha, kishte arritur që në gjyq të mbroj vijën e veprimtarisë sonë, por kishte mohuar aktakuzën. Në gjyq kishte mbajtur qëndrim krenar e të paepur. ,,Rexha ishte si një ujk që nuk epet! Unë nuk kam parë njeri si ate!”– fliste me simpati Avokati Idriz GËRVALLA, kur e kuptoi se isha shok i tij, në maj të 1990 në një takim të rastësishëm në Prishtinë. Për shkak të qëndrimit të tij u dënua me 2 vite burg. Më keq nga torturat kishte pësuar Skënder Emërllahu, i cili kishte pësuar tronditje psiqike. Rexha u lirua 1 vit pas arrestimit me 31 dhjetor1989. Pas daljes nga burgu, na fliste për një të izoluar, Zenun ÇELAJ i cili shumë tragjike e kishte parë jetën në burg, ndërsa Rexha, ia kishte kthyer se ,, nuk je i pari në burg, mbaju edhe ti, qysh janë duke u mbajtur edhe të tjerët, se nuk është bërë nami”.
Në maj të vitit 1990, lidhemi përmes Florim SHABANIT prap me Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës. Këtij organizimi të ri nuk do t’i rrij anash as Rexhep BISLIMI. Ai ishte i pakënaqur me mungesën e një aktiviteti më të dendur, prandaj gjurmon. Anëtarsohemi në Lidhjen Demokratike të Kosovës, por është i pakënaqur me plasaritjet brenda LDK-së dhe pas një kohe të shkurtër zhgënjehet. Fillimisht, na mbajti shpresa se kreu do të jetë i shëndoshë dhe i arsimuar, por shpejtë edhe nga kreu u zhgënjyem, gjithënjë duke kërkuar dinamizim dhe evoluim të proceseve që do shpiejnë drejtë një zgjidhje të shpejtë të çështjes shqiptare, duke pasur ne konsideratë pa hezitim luftën, si mjet, për arritjen e qëllimit. Gjatë vitit 1990, pasi ishte student i Shkollës së Lartë Teknike në Ferizaj, Rexha aty krijon rrethin e njerëzve të besuar. Shokët i kishte të panumërt, e në mesin e tyre ishte edhe Dëshmori Ilir Konushevci. Shoqërohet me student, nga anë të ndryshme dhe e vë nën kontroll gjendjen në shkollë. Kështu që, gjatë mbarimit të vitit shkollor 1990/91, ne ishim hartues të disa peticioneve, që merrnin aprovimin e studentëve të kësaj shkolle dhe ju drejtoheshin institucioneve të ndryshme. Anëtarsohet në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, punon brenda këtij Këshilli, në mbledhje të materialeve të ndryshme. Rexha, miqasohej lehtë me ata njerëz që në dejtë e tyre kishin gjak të pastërt shqiptari dhe fliste me urrejtje e përbuzje për demagogët e tradhtarët. Njëri nga ata tradhtar, Shaban Maloku, që lumturinë e tij e ngriste mbi fatkeqsinë e të tjerëve, e kishte përshëndetur Rexhën si mik të tij, ndërsa Rexha, ia kishte kthyer me një shikim përbuzës. Edhe përpjekja e gjakpirësve Adem Ibrahimit (Goga), Fadil Berisha e Fekir Tahiri për ta rekretuar si spiun duke e lutur, por edhe duke e kërcënuar, dështon. Gjatë të njëjtës kohë, ka obligime për t’i siguruar ekzistencën edhe të familjes. Pas viteve ’90, Rexhep BISLIMI ishte ndër të rrallët, që çlirimin kombëtar, nuk e mendonte nga konferencat e shtypit të të premtes, por në luftën çlirimtare! Iniciativës së tij, për të ndërmarrë diçka më të madhe, unë i përgjigjesha se ka njerëz më të përkushtuar, që janë lart dhe shohin më larg se ne, duke shpresuar në njerëz të dëshmuar, por qëndrimi i tij kishte qenë më i drejtë. Dhe, ai kërkoi dhe e gjeti vehten, duke u vënë në Ballë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrethinën tonë. Në verë të vitit 1993 formohet formacioni ushtarak i përbërë nga Dëshmori Rexhep BISLIMI, Dëshmori Vezir JASHARI (FLAMURI) dhe Xhavit GASHI. Në fillim të 1994 e pret në shtëpi Nait HASANIN me të cilin kordinojnë punët rreth veprimtarisë e aksioneve. Dëshmitarët thonë se i vetmi njësiti i Ferizajt kishte lidhjen hierarkike drejtëpërdrejtë nga Shtabi i Përgjithshëm. Gjatë kësaj kohe kryen dy aksione. Në fund të vitit 1996 shkon në Shqipëri me Vezir JASHARIN, ku vë kontakte me Azem Sylën, Komandant i Shtabit të Përgjithshëm Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas vrasjes së Zahir PAJAZITIT, Edmond HOXHËS dh Hakif ZEJNULLAHUT dhe burgosjes së disa pjesëtarëve të UÇK-së, Rexhep BISLIMI për dy muaj arratiset në Shqipëri. Gjatë vitit 1997 Kadri VESELI për disa ditë qëndroi në Ferizaj ku ushtroi njësinë e këtij qyteti për përdorimin e armëve. Rexha flet për takime me shokë, interesim për njerëz të caktuar. Erdhi marsi i 1998-ës. Rexhepi mobilizon njerëz në UÇK. Dridhet nga inati kur ndonjë nga ata nuk i përgjigjet mobilizimit.
Me 11 mars 1998, në gjendje depresive pas masakrës në Drenicë, në përvjetorin e demonstratave të 1981-shë, shoku ynë Skënder EMËRLLAHU bënë vetvrasje në Gjermani, me qëllim të senzibilizimit të opinionit gjerman për situatën në Kosovë. Rexha insiston që ne të shkojmë në varrim! Unë me dëshirë që ta nxirrja në dritë figurën e tij pata vendosur të flas në emër të shokëve, prandaj përgatita një fjalë rasti të shkruar, por fjalën e përgatitur e lexoi Florim Shabani.
Maj 1998. Qarkullojnë fjalë për shpërthim lufte në shumë qytete. Drejtohem për te Rexha me dëshirën për mobilizim. Atë nuk e gjej në shtëpi. Në ndërkohë vjen edhe Fadil MUSA. Pasi kthehet Rexha, Nënë Hava na thotë: ,,e di që koha ju kërkon, por lutem ishalla nuk ju shoh të gjall në durë të shkaut’’.
Duke mos u dëshpëruar nga ndonjë mossukses, ai vazhdoi aktivitetin e tij edhe më me forcë, deri me 6 korrik 1998 kur edhe ra në kurthin e ngritur të UDB-së dhe langojve shqipfolës. Në burg, Rexha, mbajti qëndrim të paepur. E sollën në shtëpi duke i kërkuar armë, e rrahën derisa u alivanos dhe me ujë të ftohtë ia kthyen vetëdijën, por nuk arritën të mësonin se ku gjendeshin armët. Një bashkëluftëtar i tij nga Gremja, Ragipi, thoshte:,, Pas arrestimit të Rexhës, si mas preventive morrëm largimin e armëve nga vendi ku i patëm fshehur, por as aty ku i dinte Rexha, e as në ndonjë vend tjetër nuk i kërkoi kush!” Disa ditë me rradhë Nënë Havën e kishin malltretuar duke e endur Gjykatë – burg dhe anasjelltas, Ferizaj – Prishtinë – Gjilan pa arritur që ta vizitonte birin e saj. Edhe në duart e gjakpirësve serbë e shqiptarë mban qëndrim të paepur, duke mos kërkuar kompromise e falje por duke i përbuzur. 21 korriku i 1998-ës ia mori jetën, por ia fali përjetësinë ndër breza, duke e bërë të pavdekshëm. 21 korriku familjes së tij i solli lajmin e hidhur. Në familjen e heroit nuk dëgjohen gjëmat. Nënë Hava i qëndronte te koka birit të mbuluar me flamurin kombëtar, si një lis që nuk e përkulin fortunat. Rrinte ashtu krenare, e vetdijshme për veprën e birit të saj, pa lot në sy, duke na thënë: ,,Ju e keni njohur Rexhën. Ne me lot e lëndojmë shpirtin e tij!” Lumi i gjat, i pafund i njerëzve kishte vërshuar rrugën e Gjilanit, sot Rruga Rexhep BISLIMI, për të përcjell martirin, ndërsa jehona e pushkës së lirisë e bashkëluftëtarëve të tij në Jezerc, ishte nderimi më i mirë për martirin, i cili ra për t’u ngritur në përjetësi. Avokati Alishefik Spahiu ishte munduar ta ndriçonte këtë skenë krimi, institucionet serbe e zhdukën edhe ate në prill 1999-tës.
Nuk mund t’i takoj të gjithë ata njerëz që Rexha i kishte bashkëveprimtar apo bashkëluftëtar. Nuk mund ta takoj Adem JASHARIN, Zahir PAJAZITIN, Mujë KRASNIQIN, Ilir KONUSHEVCIN që të qesin në dritë atë pjesë të veprimtarisë së përbashkët. Takova një ushtar të UÇK-së në Greme i cili kishte për nder që kishte qenë bashkëluftëtar i Rexhës. Takova një ushtar tjetër të UÇK-së në Mollopolc që krenohej se kishte qenë në aksion me Rexhën. Takova një ushtar të TMK-së në Gjilan dhe më tha se ka dashur të mobilizohet në rradhët e UÇK-së përmes ndihmës së Rexhës. Pashë një fotografi në mur të Rexhës në një familje dhe kur i pyeta për të, më folën fjalët më të mira me shumë emocione. Por sa bashkëveprimtarë të tij nuk i kam takuar? Jam i sigurt se janë shumë. E shumë janë të tjerë që nuk ju përgjigjën zërit të Atdheut, dhe kështu e mohojnë se kanë pasur kontakte me të.
Sot, Rexha i derdhur në bronz në heshtje, na vëzhgon, fëmijët të lumtur afër prindërve, njerëz që të lirë pijnë kafe dhe debatojnë, policët që fotografohen me fëmijë, ndërtimin e qytetit tonë e të gjithë Kosovës. Sot Rexha i derdhur në bronz sheh gruan besnike që i përkulet me respekt, Arditën, Lavdinë dhe Fisnikun, fëmijë të edukuar e krenarë me babanë hero! Sot Rexhën e Madh, të derdhur në bronz, të përjetësuar në breza e sheh Rexhepi i vogël i Fisnikut, Rexhepi i vogël i Fisnikut e sheh rrugën e trasuar nga të parët, për të qenë gjithë jetën në shërbim të Atdheut – Nënë Shqipërisë!