Dialogu

BE-ja kërkon sërish bisedime teknike, në mes të Kosovës dhe Serbisë, ashtu sikur edhe në të kaluarën

Edhe pse kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se në bisedimet Kosovë- Serbi, të cilat kanë rifilluar zyrtarisht, në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk do të ketë bisedime teknike, realisht kemi të bëjmë krejtësisht me bisedime teknike, përderisa edhe bisedimet e fundit të Kryeministrit, Hoti dhe kryetarit të Serbisë, Aleksander Vuçiq ishin bisedime teknike sikur është çështje e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik.

Këtë fakt e ka pranuat vetë kryeministri, i cili tani na thotë  se bisedimet do të vazhdojnë mes koordinatorësh, kuptohet të nivelit teknik, dhe jo mes autoriteteve të larta të dy shteteve. Hoti ka saktësuar se çdo koment që dëgjoni, sipas tij  ose nuk janë të informuar ose nuk duan t’i dëgjojnë. Sot kam dërguar ftesat për forum të liderëve gjithashtu edhe në kuvend për t’i informuar për të gjitha zhvillimet. Nuk ka dialog teknik, vetëm dialog për të normalizuar marrëdhëniet”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e përkrah Kryeministrin Hoti dhe ekipin gjithëpërfshirës të Kosovës, për të dialoguar për arritjen e njohjes reciproke me Serbinë duke respektuar dy parimet e panegociueshme: integritetin territorial dhe rendin kushtetues. Çdo përpjekje për devijim nga këto dy parime do të dështojë, siç edhe kanë dështuar në të kaluarën. Kjo deklaratë e ministrisë ka një kundërshtim në vetvete, edhe pse shprehimisht kërkon njohje reciproke nga Serbia  duke respektuar integritetin territorial dhe rendin kushtetues. Po ja që në realitet është e kundërta.

Si mund të rifillojnë bisedimet me kërkesa të tilla kur Serbia në preambulën e Kushtetutës së vetë saktëson se Kosovës është pjesë përbërëse e Serbisë. Andaj kryetari i Serbisë, Aleksandëer Vuçiq jo vetëm njëherë ka deklaruar se Serbia nuk dëshiron ta dëgjojë fjalën pavarësi madje nervozohet kur ajo fjalë përsëritet në bisedime, sepse e ka thënë sa e sa herë se Beogradi zyrtar kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, deri sa të arrij qëllimet e veta në procesin e bisedimeve. Ai është shprehur në mënyrë kategorike se nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje, të cilën Kosova fiton  të gjitha e Serbia, asgjë. E ka bërë të ditur se bisedimet duhet të bëhen kompromise  nga të dyja palët.

Pikërisht për këtë qëllim Serbia ka pranuar rifillimin e bisedimeve, fillimisht bisedime teknike, të cilat i ka pranuar në parim edhe pala e Kosovës dhe që janë edhe program bazë i Bashkimit Evropian,  i cili ka caktuar dy krerët e vetë më të lartë në bisedime, nga dy shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, as do të kërkojnë që Serbia ta njohë atë.

Pavarësisht çka thotë kryeministri Hoti, Koordinatori cilido qoftë ai, delegacioni i Kosovës në bisedimet e ardhme është teknik, sepse edhe niveli i përfaqësimit të Kosovës me Serbinë është në nivelin më të ulët përfaqësues. Një kryeministër, që ka  besimin e vetëm gjysmës së votuesve, nuk mund të barazohet me kryetarin e Serbisë, i cili përfaqëson njeriun numër një të Serbisë, i cili është fuqiplotë dhe vendos pa pasur nevojë të kërkojë mbështetje shtesë, sepse e ka prapa Qeverinë e tij, shumicën në Kuvend dhe të gjitha institucionet përkatëse.

Kryeministri,  Avdullah Hoti nuk mund ta përfaqësojë Presidencën, as e ka aktualisht forcën e duhur të Kuvendit.

Në një pozicion të tillë, delegacioni i Kosovës, pavarësisht retorikës bombastike politike, nuk është asgjë më shumë se delegacion për çështje teknike, ashtu sikur ishte në të kaluarën, kur kryesuesja e delegacionit teknik raportonte se Kosova i kishte arritur të gjitha qëllimet në bisedime.

E tillë do të jetë edhe pozita e delegacionit apo e koordinatorit, sepse këtë nivel të procesit  negociator e ka zgjedhur vetë Brukseli, duke i bërë diversion përpjekjeve të kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kishin qëllim që kjo çështje të zgjidhej në Uashington, me qëllim për të mos pritur edhe 20 vite të tjera Bashkimin Evropian, i cili nuk e ka në plan zgjidhjen përfundimtare, por është përcaktuar për zgjidhje sa më të ngadalshme, evolutive, pa tensione, duke shpresuar se shqiptarët e Kosovës, pa përkrahjen amerikane nuk do të arrijnë dot synimet dhe aspiratat për ta ruajtur sovranitetin dhe integritetin e Shtetit të Kosovës.  Pesë shtetet e Evropës, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ashtu sikur nuk e ka njohur as vetë Bashkimi Evropian, nuk do të marrin qëndrim pro Kosovës, e kundër Serbisë, sepse këto dhe shumë shtete të tjera të Evropës, kanë qenë kundër intervenimit të NATO-s, në Serbi në vitin 1999 dhe Kosovën e trajtojnë i një krijesë kuislingë amerikane  në  “zemrën e Evropës”. Në këtë mes dy shtetet më të mëdha të BE-së, Franca  dhe Gjermania, janë duke përgatitur një projekt për një lloj bashkimi federal apo konfederal, me qëllim që të mos ketë zgjidhje definitive, por zgjidhje graduale, evolutive, qoftë me joshje ekonomike e financiare, qoftë edhe me një presion direkt për ta pranuar përmbajtjen e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së e cila e ka bazën e vetë juridike derisa nuk riformulohet apo nuk zhvlerësohet.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …