Asociacioni i Komunave të Kosovës me anë të një kërkese drejtuar Ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj dhe Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Agim Veliu ka kërkuar rishqyrtimin e masave Anti-Covid-19. Në këtë letër thuhet se bazuar në statistikat e fundit nga IKSHP, masat e datës 5 korrik nuk kanë dhënë ndonjë impakt në këtë ulje. “Po shihet qartë që kufizimi i lirisë së lëvizjes në komunat kryesore të Republikës së Kosovës dhe masat që janë ndërmarrë për sektorin e gastronomisë, (koha e aktivitetit të ekonomik të jetë i kufizuar nga ora 21.00 – 05.00), nuk paskan qenë masa përkatëse në parandalimin e përhapjes së COVID 19. Prandaj, me këtë rast, kërkojmë nga Ju që në këtë kuadër të hiqet orari i kufizimit të lëvizjes dhe të niset me lirimin e disa masave për gastronominë, të cilat ishin të vendosura në pikën 9 të Vendimit të Qeverisë së Kosovës, nr. 01/10 të datës 5 Korrik 2020. Pra, kërkohet që masat të rishikohen në mënyrë që parandalimi i përhapjes së COVID-19 të jetë më i suksesshëm.