Ahmet Qeriqi: Ofensiva serbe e fundit të korrikut të vitit 1998 kundër UÇK-së - në Zborc, Blinajë, Carralevë, Grykë e Llapushnikut, VIII
Përgjegjësi i radios Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi dhe gazetari Mike Connor

Ahmet Qeriqi: Ofensiva serbe e fundit të korrikut të vitit 1998 kundër UÇK-së – në Zborc, Blinajë, Carralevë, Grykë e Llapushnikut, VIII

(“Kronikë lufte I II –  29 maj 1998 – 24 qershor 1999)

Malisheva po digjet, Juniku dhe Smolica nën rrethim, diplomacia evro-amerikane si gjithnjë e vonuar  (E premte, 31 korrik 1998)

 

Nga lëvizjet dhe vajtje ardhjet e ushtarëve nga një zonë në tjetrën mësojmë se forcat serbe kanë ndërmarrë aksione të përqendruara ushtarake kundër Junikut, Smolicës, Gllogjanit heroik, e vend-luftimeve të tjera. Armata serbe po granaton edhe në brendi të kufirit të Shqipërisë.

Gjendja në Malishevë është kaotike. Mijëra të zhvendosur janë strehuar në malet përreth Rrafshnaltës, ku nuk ka ujë as kushte elementare të jetës.

Shumë sish janë vendosur në Ngucat, në Bllacë, në Bellanicë në Lladrovc, në Senik e në Lladroviq. Flitet se në Ngucat janë grumbulluar rreth 30.000 të zhvendosur. Një pjesë e popullatës ka depërtuar edhe në Rrafshnaltë,  në fshatrat Luzhnicë, Javur, Kleçkë, Divjakë, Fshati Ri dhe në Berishë. Kudo të zhvendosur dhe të ndjekur nga lufta e zjarri i armës armike. Popullata po gjendet ashtu si po mundet, sipas rrethanave të luftës dhe të zhvillimeve në terren.

Gazetarët shqiptarë që po raportojnë për Dojçe Vele, për Zërin e Amerikës, për TVSH-në dhe BBC-në nuk kanë fare informata të sakta. Raportet e tyre nga terreni të cilat i marrim përmes telefonave nga të njohur të tyre janë tejet të papërgjegjshme. Po krijohet bindja në opinion se është thyer Ushtria Çlirimtare e Kosovës, çka nuk është fare e vërtetë. Humbjet nga radhët tona janë minimale. Nuk ka kurrë farë demobilizimi, përveç në raste të veçanta, krejt individuale.

Fryma pacifiste dhe dezertuese që po e përhapim mediet është e pamoralshme ashtu sikurse ishte i pamoralshëm konstatimi i Ibrahim Rugovës se tani pas ofensivës serbe pozicioni i tij në bisedë me Milosheviqin, është më i fortë. Ky njeri i papërgjegjshëm,  qesh kur duhet qajtur dhe mjerohet kur duhet qeshur. Edhe pse lufta po zhvillohet në më shumë se gjysmën e territorit të Kosovës, ai  nuk e bën qejfin “qeder”.

Pas mesditës Syla dhe Elezi më lajmërojnë se e kanë sjellë një gazetar amerikan, me origjinë irlandeze. Është korrespondenti Majk Conor, në dukje një përkrahës i popullit shqiptar. Me të është edhe një djalosh me flokë të gjatë nga Peja. Gazetari  shfaq habinë e tij kur i tregoj se jam profesor dhe me krejt familjen time jam vendosue në frontet e luftës i bindur se at[ luftën do ta fitojë UÇK-ja. Edhe pse ai shfaqë simpati duket se nuk i beson luftës sonë.

-Më pyet se a do të pranonin shqiptarët dhe konkretisht ne në male, që të na kthehet  kushtetutën  e vitit 1974.

-Kjo ka qenë mbase e mundshme   para luftës, pë shumë shqiptarë pacifistë  i them gazetarit të huaj por tani, meqë kanë filluar të flasin armët asgjë më pak se pavarësia nuk do të pranohet. Po ashtu i ankohem reporterit se në storiet e tyre filmike për Kosovën  shpalosin pamje të besimtarëve nëpër xhami duke krijuar kështu një imazh të keq për shqiptarët si myslimanë apo muxhahedinë, element ky që korrespondon edhe me opinionin zyrtar serb. Gazetarit i  propozoj që të bëjë incizime në terren, në frontin e luftimeve, por ai rezervohet duke treguar se ka mundësi që të ndalet në postblloqet serbe dhe të maltretohet. Edhe ne nuk jemi të sigurt se ky përkthyesi,  nuk denoncon.

Në pyetjen e tij të fundit se sa kohë mund të qëndrojmë në ato kushte i përgjigjem. Këtu do të jemi deri kur të çlirohet Kosova ose deri kur të vdesim të gjithë. Ne kemi një moto: “Ecim para vëlla, kthim prapa nuk ka”.

Pas një bisede të gjatë, fitoj përshtypjen se gazetari me origjinë irlandeze ka simpati për luftën tonë por nuk beson se mund ta fitojmë luftën. Ndahemi me të duke i dëshiruar rrugë të mbarë.

Në ditën e gjashtë të qëndrimit në Grykë, Epiri, e ka rregulluar tendën, të cilën e kemi mbuluar me najlon. Përmbi fier kemi shtruar sfungjerë dhe nga shtëpia në Krojmir i kemi marrë edhe bataniet dhe shtroja e mbuloja të tjera. Arbana është e angazhuar në ekipin e shëndetësisë, së bashku me disa vajza të tjera. Me ne është edhe bija ime  Rrezja e cila i ndihmon Zymrytit në punët e përditshme. Zamiri  tërë ditën luan me grupin e tij prej dhjetëra fëmijësh, të cilët improvizojnë lojën e ushtarëve. Ata rregullojnë bunkerë, kanë sajuar pushkë prej druri, i ndalojnë kalimtarët dhe i legjitmojnë, duke emituar ushtarët. Në raste të tjera ata bartin dru të thata, bartin ujë e kryejnë edhe punë të tjera.

Afër nesh në tendë ndodhet edhe familja shumëanëtarëshe e Isë, Idriz dhe Ramiz Qeriqit. Më tutje janë kushërinjt, Vehbiu, Imeri, Azemi, pastaj prindërit dhe dy vëllezër të Ramë Bujës. Nga ana tjetër janë vendosur edhe familja e vëllait tim Isufit të ndjerë: Shpendi, Gazmendi dhe Shpresa me nënën e tyre, Meleqen.

Gjatë natës nëpër tenda na rrezikojnë kuajt që kanë marrë trembje nga krismat dhe rrugëtojnë nëpër luginë. Janë bërë të padurueshëm edhe qentë, të cilët me rastin e granatimeve të futen nën këmbë nga frika.

Fshatarët kanë marrë me vete edhe lopët, delet, dhitë dhe krejt katandinë.

Gryka tanimë është bërë fushim veror edhe pse në rrethim dhe nën jehonë të krismave por edhe në gurgullimën e pandërprerë të lumit që na ndihmon për ta mbajtur pastërtinë në maksimum. Heseti, Dani dhe të tjerët kanë urdhëruar popullatën të rregullojë pusa septikë, të cilët kohë pas kohe edhe hedhim gëlqerë. Tani për tani nuk kemi asnjë rast të sëmundjeve. Ndërsa mjeku, Jakup Ismajli gjatë këtyre ditëve ka ndihmuar disa  lehona për të lindur. Janë lindjet e para në natyrë, në kushte lufte, pa mjete të duhura, por lindje të suksesshme. Të sapolindurit janë pagëzuar me emrat:  Çlirimtare dhe Çlirimtar.

Fryma e çlirimit po jehon nën goditjet e pandërprera të breshërive të armëve të armikut dhe përgjigjes  me armë së luftëtarëve të lirisë,  me aq sa kemi armë e municion….

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …