Paraqitja publike apo intervista e ndërmjetësuesit ndërkombëtar Piter Vanhoutte, dhënë për “Deutsche Welle” se “ Maqedonia nuk është e gatshme për zgjedhje apo edhe më rëndë se kjo “në Maqedoni mbisundon frika, ndërsa partitë në pushtet nuk lejojnë asnjë mendim kritik”, duke u shprehur qartë se ky vend si i tillë nuk guxon të shkoj në zgjedhje. Parashtrohet një pyetje logjike se ç`bëjnë shqiptarët? – Ç`farë rruge ndjekin shqiptarët? – Si sillen politikisht në këto rrethana antishqiptare partitë politike shqiptare? Të gjithë e dimë se partitë parlamentare shqiptare BDI dhe PDSH ruajnë pozicionet e tyre politike nën sqetullën vdekjeprurëse të VMRO-DPMNE-s.
Të gjithë i kemi lexuar deklaratat e udhëheqësve shqiptarë të këtyre partive se fatin e kanë lidhur me VMRO-DPMNE, me pushtetin e saj politik, që me të gjitha veprimet dhe projektet shtetërore kryekëput janë antishqiptare. Pra këto tri parti politike VMRO-DPMNE, BDI dhe PDSH vazhdojnë të deklarojnë se janë publikisht për VMRO – DPMNE që ka instaluar në pushtet: masakrën elektorale, falsifikimin e zgjedhjeve, dhunën dhe terrorin shtetëror mbi vendbanimet shqiptare, ku të gjitha aksionet politike, policore dhe ushtarake janë zbatuar e zbatohen edhe me pajtimin e këtyre dy partive politike “shqiptare”, që janë pjesë e institucioneve shtetërore me siglën Made in IRJM. Ky konstatim është përsërit ndër vite me radhë, është përgjithësuar dhe detajizuar me fakte, por të gjitha këto nuk kanë mjaftuar dhe nuk mjaftojnë.
Ç`duhet bërë?
Patjetër nevojitet që shpresa e popullit shqiptar të mbështet në një forcë politike shqiptare që do t`iu dalë zot kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar në IRJM. Dhe kjo shpresë është menduar dhe mendohet se duhet të jetë opozita shqiptare.
Por për fat të keq, gati që një vjet nga Masakra e Kumanovës 9-10 Maj 2015, kjo forcë opozitare shqiptare jo vetëm që nuk është stabilizuar, por edhe nuk shihet e gatshme për të sakrifikuar interesat e ngushta personale, në dobi të çështjes së pazgjidhur kombëtare në IRJM. Nuk ka zgjidhje me zgjedhje të falsifikuara, me 310.000 votues fiktiv, me forca policore, me votime grupore, me votues që votojnë në dy ose më shumë vendvotime etj. Duke pasur parasysh lojën e pushtetit aktual, i cili me forma dhe metoda policore, mundohet ta ruaj status – quon, e kemi thënë dhe e themi vazhdimisht se partitë opozitare shqiptare e kanë të kotë, që hapin shtabe zgjedhore, që fillojnë fushata zgjedhore, sepse pushteti dhe institucionet e shtetit janë të kapura nga partitë në pushtet, të cilën gjë e ka vërtetuar edhe e ndërmjetësuesi belg. Shih korrigjimin e listave zgjedhore, shih punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, shih punën e gjykatave në IRJM, punën edhe të Gjykatës Kushtetuese, shih alarmin e dhënë edhe nga Gjykata speciale, të cilat të gjitha të nxjerrin faktet se pushteti i tanishëm është i korruptuar, kriminel, vrasës dhe nuk guxon këtij pushteti t`i lihen në dorë institucionet shtetërore të një shoqërie multietnike.
Unë dhe shumë shqiptarë të cilët kanë punuar dhe punojnë në shërbim të lirisë së popullit shqiptar, në ditën kur përfundoi mandati i ndërmjetësit ndërkombëtar Vanhoutte (27 Mars 2016), kemi pritur që Partitë opozitare shqiptare dhe Organizatat joqeveritare, shoqatat, klubet të ftohen në protestë para institucioneve ndërkombëtare, para ambasadave, para OSBE-së, që ndërmjetësit ndërkombëtar Vanhoutte t`i vazhdohet mandati politik dhe beteja politike të marrë rrugë të mbarë drejt instalimit të institucioneve demokratike në vend. Tronditja e ndërmjetësuesit ndërkombëtar duhet të jetë tronditja e radhës për shqiptarët, e në rend të parë tronditje e partive opozitare, me qëllim që të zgjohemi dhe të veprojmë bashkërisht në shërbim të lirisë. Të ndarë do të thotë të ndihmosh pushtetin.
Partitë opozitare shqiptare e kanë për obligim moral dhe kombëtar që t`i bashkohen thënies së tij se “Maqedonia nuk është gati për zgjedhje”. Prandaj në këto kushte vetëm ndërhyrja ndërkombëtare dhe prania e saj në të gjitha vendvotimet në IRJM mund të bëjë ndryshime demokratike.
Jam i prirë të besoj që më në fund para kësaj katastrofe politike mbi shqiptarët, do të dominoj arsyeja kombëtare dhe këto forca politike, do të fillojnë t`i bashkërenditin aktivitet politike, në të kundërtën për të gjitha krimet mbi popullin shqiptar do të jenë bashkëfajtore.
27.03.2016 (Data e përfundimit të mandatit politik të ndërmjetësit ndërkombëtar Vanhoutte).