Arif Elezi: Qyteza e ëndrrave të mia

Arif Elezi: Qyteza e ëndrrave të mia

  1. QYTEZA E SHPRESËS SË RINISË SIME

  Me këpucët e pastra ndër sqetull, posi Lina e William FAULKNER-it ! I mësuar në jetën e diskrete të një katundi të vogël shtatë shtëpish, ballafaqimi me dritat elektrike, mbeti njëri nga momentet që do të shënojnë, por edhe do të joshin kureshtjen time, për të shkuar më tej nga ajo që shihja…

  Në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, i sprovuari adoleshent, mund të hetojë shumë gjëra që e rrethojnë, por në pamundësi krahasimi, ato përvoja të paeksploatueshme, do t’i vejë në ndonjë sirtar, gjer në momentin kur do t’i “hyjnë në punë”, apo ndoshta edhe kurrë…

  Në fakt, gjithmonë kam pasur një admirim ndaj vendbanimeve pak më të mëdha, por jo edhe në atë masë, ku nuk do të ishte i mundur menaxhimi i zhurmës, i ambientit, respektivisht, i jetës në tërësi.

  Rasti kur po e shihja një automjet tek po e lante rrugën e Preshevës, përgjatë një buzëmbrëmjeje, për mua ishte shenjë e mirëfilltë civilizimi, anipse atë kurrë më nuk e pashë, meqë rruga kryesore e këtij qyteti, preferoj të mos fshihej më, duke e parapëlqyer ngulfatjen dhe pushtimin nga papastërtia, gjersa njeriu i qytezës po përqafonte përshtatjen me papastërtinë-këtë plagë pesëdhjetëvjeçare ?!

  Me të mbaruar studimet, krahas letërsisë, lexoja edhe libra nga fushë të ndryshme. Degradimi i ambientit, më ishte bërë brengë, sepse në të shihja rrezikimin e jetës. Tash e tutje, për zhgënjimin tim, qyteza, do të shndërrohej në një “llomopolis”…

  Sipas konceptit tim (të atëhershëm dhe të sotëm) qyteza apo qyteti, në parim do të duheshin të përmbushin një mori kriteresh, të domosdoshme, për të mundur të quhet “Hapësirë URBANE”. Me hapësirën urbane, njeriu nënkupton një polifoni zërash, që do të jenë ide të ndryshme dhe plotësuese, të domosdoshme për një prodhim kulture të mirëfilltë. Kjo hapësirë urbane, e destinuar dikur për të krijuar qytetarë të qytetëruar (lexo: emancipuar gjithanëshmërisht), do të siguronte një “prodhim qytetarie”, qytetari e domosdoshme për një funksionim qytetërues të një lokaliteti urban.

  Në origjinë,që nga mesjeta, borgjezia (banorët e qytetit), menaxhonte kujdesin ndaj polisit (qytetit) të vet…

  Kurrë nuk e kam menduar se hapësira urbane, për ne shqiptarët, nënkupton: Vendosje dhe zhvendosje njerëzish apo objektesh, duke shkaktuar kaos, ndër më të shëmtuarit ! Sot, sa herë shkoj atje, shoh se bërlloku, shkon duke u shtresuar… ngjitet e ngjitet lart, në nivele katesh të këtyre ngrehinave frikësuese të betonit të përhirtë !

  Qytetërimi, kjo çështje superkomplekse, mbanë sy, edhe mbi çështje dhe gjëra, që njeriu ynë i konsideron të vogla !, por që janë elementi dominues i “çështjeve” të mëdha.

  Qyteza ime, unë bëra atë që munda për shëndetin tënd. Përgjatë katër vitesh gjimnazi, në çantën time, mbaja, edhe basketet (patikat e stofit, që i quanin “Shangajka”), vetëm e vetëm për të mos e sjellë baltën në ty, shkaktuar nga udha e largët që bëja për të ardhur tek ti, vendi i dritave elektrike dhe i grumbullit njerëzor. Ato, i ndërroja tek vendi i quajtur “Te Kurbalitë”, rreth një km larg

qytezës së qytetërimit…

  Ndoshta thënia “Romak, është ai që jeton romakçe”, do të ketë vend për…

  1. PRESHEVËS SIME

  Burokracia, vret e godet, shpesh, pashërueshëm!

  Nga nxënësi model, një anonim dhe kryengritës memec… Ulur mbi një shkëmb buzë rruge, në hyrje të qytezës, mendohem… dhe i them, pa zë e krejt memecërisht, vendit ku do të kaloja katër vite gjimnazi, por edhe ku do të kthehesha prapë në cilësinë e mësimdhënësit, për ta braktisur disa vite më vonë, duke “marrë botën në sy”, apo thënë ndryshe, për të vajtur “atje ku, ulkonjës i thuhet nënë”, sipas të madhit, Gj. Fishta, vend ky që do të më përcjellë, po si hija, përgjatë tërë jetës, si në gëzime, po ashtu edhe në hidhërime të nostalgjisë. E shikoj së larti nga “Guri i Mishës”, dhe i them: “Preshevë, po vi nga katundi L. i malësisë së Karadakut tënd. Një copë udhë të gjatë bëra në këmbë, për të ardhur gjer tek Ti “…

  Dita e parë e gjimnazit, ishte njëra nga ato ditët që vështirë mund të definohen, por që, në fakt, te shumëkush, mund të lënë gjurmë të thella, jo vetëm për një jetë ! Ishte ditë sistemimi, caktimi mësojtoresh, caktimi i karriges dhe bankës shkollore, të cilën do ta ndanim me ndonjërin nga bashkënxënësit. Pra, një ditë zhurme, lëvizjesh, tollovie… Java e parë po mbaronte, pa e vërejtur, as edhe më të voglën buzëqeshje tek ndonjëri nga profesorët, me të cilët do të kisha të bëja, tash e tutje!

  Në fund të javës, kthehesha në familje. Prindërit, vëllezër e motra, më pritën me plot hare. Në pyetjen e babait tim, nëse ishte çdo gjë në rregull, unë iu përgjigja me “mirë”, term që do ta përdorja përgjatë katër viteve të gjimnazit tim, edhe pse “mirë”, ishte larg të qenit mirë.

  Duke qenë i një natyre gazmore dhe duke e dashur punën, mbase përjetova një thyerje të vrazhdë, që nga ditët e para, mu për faktin që nuk vëreja askund ndonjë buzëqeshje, e leje më ndonjë ledhatim, ndonjë ndalesë të mësimdhënësve, sa për të vu ndonjë kontakt njerëzor, akt ky mase i domosdoshëm për ndonjë ecje para, në rrugën që ishim nisur. Kisha më pak se katërmbëdhjetë vjet ! Në këtë atmosferë të ftohtë, seç mu krijua një mekanizëm psikologjik, i cili më servonte një “indiferencë” ndaj mësimit, por edhe një lloj pasigurie. Tash e tutje, do të lexoja vetëm librat që m’i kishte ënda, pa i zbatuar kërkesat dhe preferencat e mësimdhënësve për autorë të caktuar: Një lloj kryeneçësie, shoqëruar me një revoltë, por skajshmërisht të kamufluara në brendinë e shpirtit, pa e dëmtuar kurrë askënd, madje edhe me masa sigurie që ajo revoltë e imja të mos ishte e dukshme !

  Vitin e tretë dhe të katërt, pat edhe mësimdhënës të tillë që më ofroheshin me kënaqësi, por, si duket, gjërat kishin eskaluar thellë në botën shpirtërore, gjë që e bënte të vështirë vendosjen e ndonjë bashkëpunimi të çiltër dhe të besueshëm. Ndër ta që ishin sinqerisht të afërt, mbase edhe kam postuar ndonjë fjali falënderimi, por edhe më këtë rast, i falënderoj përjetësisht. Fjalën e dhënë prindërve të mi, si çdo herë dhe në çdo mision e mbajta. edhe në ketë gjimnaz: kurrë nuk mungova, por edhe kurrë, nuk u vonova !

  Gjimnaz memecërie, gjimnaz i heshtjes… E adhuroja javën, ku nuk duhej ngritur gishtin për të furnizuar ndonjë përgjigje. Së pari shikoja majtas-djathtas, dhe nëse dikush nuk kishte ngritur gishtin, nuk e bëja as unë. Mimetizëm, mbyllje në vetvete… Nuk i përkisja botës së ekspozimit, ndërsa sa për grindje e pakënaqësi, unë kurrë nuk isha i “kampit” tyre.

  Po vija nga larg, dhe në këmbë… ishte mësim jete. Në kohën kur u jepja mësim nxënësve serb, kishte që vinin në këmbë nga Cakanoca. të lagur, të mërdhirë, u afrohesha dhe i inkurajoja. E çmoja atë mundin plus ! Nxënësit e paraleleve të mia të rregullta, i njihja aq mirë, sikur të kisha dosje të tërë për ta; mjaftonte të kisha edhe një sekondë të vetme për t’i lëshuar sytë në ta, për t’u kuptuar ku ishte halli, dhe cila ishte zgjidhja.

Përse ky shkrim ? Ky postim nuk ka për qëllim auto-portretizimin apo auto-psikanalizën. Synimi i tij, është të ofrojë një përvojë individuale, që mund të inkorporohet në ato kolektive, orientuar drejt qëllimit fisnik-suksesit.

  Meqë fati më ra të vija këtej ku jam, zbulova aq gjëra të mira që mund t’ia kemi huq vetvetiu, duke dëmtuar atmosferën e duhur të mësimdhënies, ku, edhe më i vogli gjest i dashamirësisë, mund të japë rezultate marramendëse.

  Megjithatë, Preshevë të mbeta besnik, edhe nga distanca gjeografike, ashtu siç më mbete edhe ti mua, gjë për të cilën, të falënderoj nga zemra !

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …