Filozofi më i madh idealist, gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit*.( Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974 faqe 420.)
Adem Demaçi është një emër i veçantë dhe shumë i njohur i rezistencës shqiptare, një individualitet i llojit të vet, origjinal në jetë dhe në vepra, origjinal në tërë jetën e tij, në të gjitha periudhat e jetës së tij. Si i tillë ai është një fenomen, “sui generis”, nga ai lloj, të cilin duket se Krijuesi e ka përzgjedhur për të kryer një mision human, në dobi të njeriut dhe të njerëzimit dhe jo vetëm në dobi të kombit, ashtu sikur na pëlqen ta përkufizojmë. Njerëz të ë tillë, të përzgjedhur, ka pasur dhe ka edhe në mesin e kombeve të botës. Dhe të gjithë këta kanë shenjën e individualitet, e cila është e lidhur me principin e veprimit. I tillë ka qenë Sokrati, Xhordano Bruno, Galileo, Martin Luteri, Partis Llumumba, Nelson Mandela e shumë të tjerë. Demaçi qëndron në mesin e këtyre personaliteteve, për nga principi i individualitetit, përkushtimi e sakrifica. Të gjithë këta, që nga Sokrati kanë sakrifikuar jetën për të vërtetën, “për atë të vërtetë që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes”, ashtu sikur ka thënë sundimtari i Prusisë, Frederiku i Madh. (Jeta e gjenive).
Duke medituar për shpëtimtarin dhe cilësitë e tij në kohën e apatisë jetësore, nën sundimin e autarkisë monarkiste, filozofi i madh shqiptar, Kristë Maloku ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar.” (Kristë Maloku, Shteti apo kombi, botuar në revistën Dardania Sacra nr.4. Prishtinë 2002,f. 74.) Krahasimet e tilla, në këtë mes, në raport edhe me Demaçin, janë të shumta me faktin se edhe paraqitjet e fenomeneve në botën njerëzore nuk janë të pakta.
Pavarësisht se besojmë apo jo në përcaktimin hyjnor, Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij misionare është një paraqitje e realizuar vegimtare, një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.
Humanizmi, kredo jetësore dhe krijuese e Adem Demaçit
Për karakterin humanist të Demaçit, qoftë në jetën e tij, apo në krijimtari mund të flitet me shembuj të shumtë relevantë, edhe pse një pjese të njerëzve tanë nuk iu ka pëlqyer, as iu pëlqen ky qëndrim i tij, të cilin janë munduar ta interpretojnë si një idealizëm internacionalist, madje edhe marksist. Pavarësisht nga kjo, Demaçi, mendoj unë, si në vepër ashtu edhe në krijimtari është një humanist i thellë, njeri i sakrificës, i krijuar apo i materializuar jo nga rastësia, por nga vetëdija e tij e thellë shpirtërore, mbase e trashëguar edhe nga ADN-ja, e pastër njerëzore. Baca, rrjedh nga një familje tradicionale shqiptare, e cila në katrahurën e gjatë të luftës për mbijetesë kishte ruajtur të paprekura idealet e njerëzisë, si digat e vetme të qëndrueshme të gjenit njerëzor, të atij gjeni pa të cilin nuk përparon dot raca njerëzore.
Adem Demaçi është mbrujtur me brumë nga palca e Shqipërisë, thoshte një poet i entuziazmuar nga jeta dhe vepra e tij, me rastin e lirimit nga burgu ku i kishte kaluar 28 vjet.
Dhe, shumë çka tjetër mund të thuhet dhe të dëshmohet me fakte për Demaçin, edhe pse baca nuk i duron fjalët e mëdha, dhe ky është një shenj tjetër, jo vetëm i modestisë, por edhe i filozofisë së tij jetësore. Nganjëherë me të drejtë reagon, duke përkujtuar atë maksimën popullore për këngën dhe trimin. Po e vërteta gjithnjë mbetet ajo që është, dhe në këtë rast, atë, as e zvogëlon, as e asgjëson, as e fsheh dot. Sepse ajo është vetë principi, që qëndron në ballë të Universit, ashtu sikur është edhe arsyeja, e cila i udhëheq shpëtimtarët, idealistët e vërtetë, ata që kanë mbijetuar dhe janë prore të pranishëm në mendjen njerëzore, mbi të gjitha si misionarë e krijues.
Jemi mësuar që Demaçin ta vlerësojmë në radhë të parë si simbolin e gjallë të rezistencës kombëtare, shqiptarin e pathyeshëm dhe më meritorin ndër të gjallët për lirinë e Kosovës. Jemi mësuar tashmë me paraqitjet e tij realiste, qëndrimet e tij të drejta, shpeshherë të ashpra, por gjithherë të vërteta, të shëndosha, të pastra dhe pa paragjykime.
Të rrallë janë ata shqiptarë, që duke përcjellë paraqitjet e tij në opinion nuk kanë pyetur, se ku e merr tërë atë energji ky kalorës i fjalës dhe i mendimit të lirë? Çuditërisht, Demaçi ka manifestuar dhe manifeston një energji të brendshme e të thellë shpirtërore, e cila e ka përcjellë gjatë tërë jetës, në trajtën e një dhuntie hyjnore, si virtyt universal, si fenomen i llojit të vet. Demaçi, në botën e tij të pasur me energji krijuese e meditative, duket se është po ai i moshës rinore. Gjithnjë energjik, i paepur, i sinqertë por edhe i ashpër, sipas momentit dhe rastit, kurdoherë i dashur për popullin, të cilit shpeshherë ia qan hallin, duke ia kujtuar vuajtjet shekullore dhe duke ia fshikulluar lehtë të metat e babëzitë. Dhe, duke e parë Demaçin si “homo politicus” në njëfarë mënyre krijimtaria e tij letrare artistike ka mbetur nën hijen e kësaj, edhe pse është krijimtari e thellë dhe e mirëfilltë artistike, dhe tërësia e saj e deritanishme, nga të gjitha pikëpamjet ideore, artistike, stilistike e gjuhësore, e radhit në “sofrën” e parë të krijuesve kombëtarë e më gjerë. Tregimet dhe romanet e Adem Demaçit janë po aq të veçanta në letërsinë tonë, sa është i veçantë edhe vetë autori në jetën dhe disidencën politike të tij.
Dikur shkrimtar i ndaluar dhe i persekutuar nga regjimi jugosllav, Demaçi ka qenë shkrimtari më i lexuar për afër 30 vjet në Kosovë e më gjerë, deri në vitet ‘90, kur u lirua nga burgu dhe kur vepra e tij kishte filluar të ribotohej.
Ishte kështu, në një masë, ndoshta edhe për faktin se veprat e tij ishin të ndaluara, por nuk është vetëm ky fakt, sikur pretendojnë ta interpretojnë disa kritikë hileqarë dhe hipokritë. Tregimet e përmbledhjes “Kur Zoti harron”, pastaj romani antologjik “Gjarpinjtë e gjakut”, romani “Libër për Vetë Mohimin”, “Heli e Mimoza” “Tung, vargu im” “Dashuria kuantike e Filanit” përbëjnë një opus tërësisht origjinal krijues, në të gjitha segmentet e krijimtarisë letrare, artistike.
Demaçi në letërsi ka ecur me kohën. Ai ka filluar të shkruajë tregime me temë sociale, pikërisht në akord me periudhën e vuajtjeve të mëdha dhe katrahurës së varfërisë, që i kishte pllakosur shqiptarët, ndërsa në romanin e tij të fundit, “dashuria Kuantike e Filanit” ai ka shkruar një roman modern, një roman të personazhit, duke thyer klishetë e ndërtimit të romanit tradicional. Me rastin e shënimit të 50 vjetorit të botimit të romanit të tij “Gjarpinjtë e gjakut” Demaçi ka thënë: “Krijimtaria ime ka qenë dhe ka mbetur thellësisht politike, por jo e shkruar në mënyrë politike, por në mënyrë artistike. Politika ka qenë ajo që me ka shtyrë, të merrem me letërsi, sepse ishte e pamundur që idetë e mia politike t’i plasoj ndryshe në turmat shqiptare, përveç nëse duke ia mbështjellë me njëfarë sheqeri”.(Minire Berisha). Ndërsa shkrimtari, Abdullah Konushevci e vlerëson Demaçin si njërin nga prozatorët më të mirë të prozës shqiptare në vitet pesëdhjetë. Ai shkruan se tregimet e tij të botuara gjatë viteve 1953-1958 ishin intonime sociale e psikologjike për fatin e individit dhe atë kolektiv. Ndërkaq, ligjërimin poetik të Demaçit e vlerëson si një alter ego e miqve të tij krijues, një përkushtim për ta, ndërsa lirikën si dritë e shpirtit, pa patetikë, retorikë e kozmetikë. Duke folur për romanin “Gjarpinjtë e gjakut” studiuesja, dr. Sabile Keçmezi-Basha thotë se “Proza e Adem Demaçit, si kjo e romanit “Gjarpinjtë e gjakut”, imponohet me ide, ofron mesazhe historike e aktuale dhe, mund të themi se së pari është një dokument artistik i kohës ku sublimohet fryma e situatave ekzistenciale, dhe, së dyti, ky roman ka sublimuar një substrat, që do ta quaja historik, dhe që vazhdimisht përsëritet në jetën e brezave. Si i tillë, ky roman del se është zë i ndërgjegjes së një kohe, i cili arriti të identifikohej me kolektivitetin e vet nacional, me fatin dhe tragjiken e tij historike. Mirëpo, s’është vetëm refleksi etik ai që e përvetëson lexuesin. Proza e Adem Demaçit sjell një vizion autorial, vizion prozaik, ku shkrihet historia, miti, legjenda, përvoja e vet autorit, theksimet e së kaluarës dhe tragjikja e atyre viteve. Dr. Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” “Zemra shqiptare” (17.05.2010.)
Literatura:
- Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974.
- Kristë Maloku, Shteti apo kombi, Dardania Sacra nr.4. Prishtinë 2002.
3(Jeta e gjenive)
4Minire Berisha dhe Abdullah Konushevci, vlerësime kritike në 50-vjetorin e botimit të romanit “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit.
5Dr. Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut”.
Veprat e Adem Demaçit
Adem Demçi deri tani ka botuar këto vepra:
“Gjarpinjtë e gjakut” (roman), Jeta e Re, 1958.
“Gjarpinjtë e gjakut dhe novela të tjera” (zgjedhje), Nju-Jork, 1983.
“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1984.
“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Lumi”, Lubjanë, 1984.
“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim i kthyer në gjuhën letrare), “Buzuku”, Prishtinë, 1990.
“Kur Zoti harron” (vëllim me tregime), Zëri i Rinisë, Prishtinë, 1990.
“Libër për Vet Mohimin” (roman), botoi autori, Prishtinë, 1994.
“Libër për Vet Mohimin” (ribotim), Rotanor Boksproduksjon AS, Skien Norëay, 1994.
“La metamorfosi di Vet Mohim” (përkthyer nga Nermin Vlora Falaski), Romë, 1995.
“Tung, vargu im”, “Rilindja”, Prishtinë, 2002.
“Heli dhe Mimoza”, Prishtinë, 2006.
“Dashuria kuantike e Filanit”, “Infopress” & “Buzuku”, Prishtinë, 2007.
“Alb Prometeu”, QNK “Arbnori”, Tiranë, 2008.