leoni

Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka përkujtuar, Adem Demaçin në dy-vjetorin e ndarjes nga jeta

Dy-vjetorin e ndarjes nga jeta të Adem Demaçit e ka kujtuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka  thënë se Demaçi ishte një njeri që dinjitetin e të ngjashmëve të vet e ktheu në mburojë të pakapërcyeshme për plumbin. Rama, ka kujtuar edhe jetën e veprimtarit, dhe ideologut të Lëvizjes Kombëtare për çlirim dhe bashkim, ndërsa dhe ka shkruar se e gjithë bota habitej nga ai, se i shpërfillte plumbat në rrugës e Prishtinës.

HOMAZH « Ma s’pari dhe mbi të gjitha, jam qenie njerëzore; fatmirësisht jam edhe shqiptar ». ADEM DEMAÇI ishte fatmirësisht shqiptar, shqiptar i mirë shumë, po mbi të gjitha ai ishte një njeri që dinjitetin e të ngjashmëve të vet e ktheu në mburojë të pakapërcyeshme për plumbin dhe për helmin. Pse ishte një shqiptar i mirë fare dhe një qenie njerëzore e lartë, që nuk e negocionte ndërgjegjen e vet, ai u bë pishtar i lirisë së ndërgjegjes në rrugëtimin e Kosovës përgjatë errësirës drejt lirisë. Tre dënime. Tre dekada sfilitëse. Tre ngadhënjime. Habitej e gjithë një botë tek e shihte si i shpërfillte plumbat në rrugët e Prishtinës, torturuesit në birucat e Jugosllavisë apo edhe vetë hijen e vdekjes, e cila më se një herë iu avit në ato biruca. Ai nuk i trembej asaj ndoshta edhe pse me të ishte ndeshur qysh në djep kur mori emrin, që në Bibël e Kuran e mban krijesa që Zoti plazmoi në shëmbëlltyrën e vet! Ademi lindi në gusht të vitit 1935 aq i brishte, sa prindërit nuk e regjistruan veçse në shkurt të vitit 1936. Por brishtësia e frikshme e ditëardhjes në jetë, atij iu bë butësi shpirtërore brenda koracës së hekurt të karakterit të jashtëzakonshëm, që e ktheu Adem Demaçin në një legjendë të gjallë të lirisë së Kosovës. Hero i pavdekshëm i popullit të Kosovës në kuptimin më të plotë të fjalës dhe gur i gjallë i sovranitetit kosovar, qysh në kohëra kur as imagjinata më e shfrenuar nuk e rrokte dot mundësinë e realizimit të Kosovës sovrane, baca Adem u nda nga kjo jetë si sot dy vjet më parë, duke na e lënë jetën e tij si një “Bibël” a “Kuran” shqiptarie. Duke e kujtuar sot në këtë dyvjetor të ndarjes fizike prej nesh, më erdhi në mend dedikimi që përmban novela e tij, « Gjarpërinjtë e gjakut » – e para novelë shqip botuar në Kosovë, më 1958:

« Jo – atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por- atyne që janë trima me zgjatë dorën e pajtimit. »

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …